Berisha: Kryebashkiaku i Tiranës do të jetë Lulëzim Basha
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se kandidatura e PD-së për Bashkinë e Tiranës është Lulëzim Basha
Elbasan- Nga qyteti i Elbasanit, Ditën e Verës, Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar emrin e Lulëzim Bashës, për Bashkinë e Tiranës. I pyetur nëse do të festonte edhe në Tiranë festën pagane, Kryeministri Berisha u përgjigj: ”Vitin tjetër kryebashkiaku i ri i Tiranës dhe kryebashkiaku i ri i Elbasanit do të bëjnë një axhendë të përbashkët, për të festuar Ditën e Verës”. Berisha nuk vuri në pikëpyetje faktin se do të ishte Basha kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, teksa u pyet pikërisht për emrin e këtij të fundit.
Në Elbasan u festua dje festa pagane e Ditës së Verës. Mijëra qytetarë nga Elbasani, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, ishin dje pjesë e kësaj atmosfere. Në këtë festë mori pjesë edhe kryetari i opozitës, Edi Rama. Pas koncertit të dy netëve më parë, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të njohur të muzikës popullore, në orët e para të mëngjesit, sërish rrugët u mbushën plot me njerëz. Në parkun Rinia u përformuan veshje të traditës, lojëra popullore, muzikë live edhe nga grupe amatore. Kampingu me çadrat e shërbimeve, të ngritura në qendër të Elbasanit, kanë qenë mjaft të frekuentuara, ku sipërmarrës të vegjël, privatë dhe firma të ndryshme, kanë tregtuar ushqime dhe ëmbëlsirën karakteristike të Ditës së Verës, ballokumen. Rreth orës 11:00 të paradites, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në inaugurimin e linjës së tensionit të lartë Elbasan-Tiranë, 48 km e gjatë, e cila lidh nënstacionin e Elbasanit me Greqinë, Tiranën dhe Podgoricën. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, ambasadori Italian në Shqipëri, Saba D’elia, deputetë dhe pushtetarë lokalë. Gjatë fjalës së mbajtur, Kryeministri Berisha është ndalur në mënyrë të veçantë në superstradën Elbasan-Tiranë, duke u shprehur se ajo është pjesë e rëndësishme e boshtit të Jugut dhe se ka vlerë jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për zonën verilindore dhe jugore të vendit. Berisha u shpreh gjithashtu se më 8 maj do të realizohen zgjedhjet më të mira. Ai ka ftuar qytetarët elbasanas që të votojnë për alternativën më të mirë. Vizita e Kryeministrit ka vijuar me një kafe në një nga lokalet e lagjes ‘Kala’, e më pas është drejtuar për në Panairin ‘Dita e Verës’. Berisha shoqërohej nga bashkëshortja Liri Berisha dhe një nga mbesat e tij.
F.Salliu