Rama në Elbasan: Kjo do të jetë pranvera e ndryshimit
Kryetari i opozitës, Edi Rama, përcolli dje ditën e Verës në Elbasan një mesazh politik. Sipas tij, kjo pranverë do të jetë në një prag ndryshimesh
Elbasan - Pjesë e festimeve të ditës së Verës në Elbasan ka qenë dje edhe kreu i opozitës Edi Rama. I shoqëruar nga deputetët e Elbasanit dhe kryetari i bashkisë Qazim Sejdini
ai ka vizituar panairin “Dita e Verës”. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, Rama ka përshëndetur qytetarët e Elbasanit dhe mbarë vendit për festën. Sa i përket Ditës së Verës ai tha se,” kjo festë nuk iu mor Elbasanit, por thjesht u përhap në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë”. Gjatë deklaratës së shkurtër dhënë për mediat, kryetari i opozitës, ashtu si edhe kryeministri Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh politik. Sipas tij, kjo pranverë do të jetë periudha e ndryshimit. “Falë traditës së Ditës së Verës në këtë qytet ne mundëm ta shtrijmë këtë festë edhe në Tiranë edhe në qytetet e tjera duke bërë të mundur që ti gëzohen kësaj dite shumë qytetarë. Është njëkohësisht kënaqësi që në këtë ditë, sot ne takuam qytetarë nga Saranda, Gjirokastra, Tepelena si dhe nga veriu. Në radhë të parë dua ti uroj të gjithë atyre që janë në vështirësisë për shkak të papunësisë, të varfërisë, të çmimeve që rriten përditë ndërkohë që fuqia e lekëve në xhep bie për ditë. Le të urojmë që kjo pranverë është në një prag ndryshimesh që i meritojnë të gjithë shqiptarët pa dallim”,- tha dje kryetari i PS-së, Edi Rama. Më pas kreu i PS-së, Rama i ndjekur edhe nga bashkëshortja e tij Linda, kryebashkiaku Qazim Sejdini dhe deputetët e Elbasanit ka bërë një shëtitje në bulevardin kryesor Qemal Stafa ku është duartrokitur dhe ndjekur nga qindra qytetarë.
F. Salliu