E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: PS-ja s’fiton zgjedhjet, se Rama do i vetëm të gjithë pushtetet

SHKRUAN: Dardan Malaj 15-03-2011 15:35

Zoti Islami, tanimë Partia Socialiste u ka dhënë fund dilemave për pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet e 8 Majit, ndërsa u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Si e konsideroni këtë veprim?

Një vendim i vonuar, që nuk mund të ishte ndryshe, por sidoqoftë pozitiv. Natyrisht që nuk do të mund të ketë kaluar pa ndikim negativ në përgatitjet e PS-së dhe të koalicionit të saj për zgjedhjet e 8 Majit 2011. Ky vendim duhet pranuar ka ardhur edhe si rezultat edhe i qëndrimit të prerë e të fortë ndërkombëtar për 1) mos bojkotim të zgjedhjeve dhe 2) mos shtyrje të datës kushtetuese të 8 Majit. Kjo sjellje e PS-së do të konsiderohej, dhe kështu e kanë konsideruar edhe zyrtarët e lartë ndërkombëtarë nga SHBA e BE, pjesë e sjelljes “kundër sistemit, duke qëndruar jashtë tij”, të aplikuar prej dy vjetësh nga PS-ja me përbërëset e tilla si i) djegia e mandateve të deputetëve 6 muajt e parë pas 28 qershorit 2009, ii) protestat me sloganin “hap kutitë ose largohu”, iii) bllokimin e rrugëve, iv) grevën e urisë, deri në iv) demonstratën e dhunshme të shoqëruar me viktima të 21 Janarit…

Gjithsesi, është artikuluar vijimësisht se “PS-ja nuk bojkoton, por zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në këto kushte dhe pa PS-në”, si ju duket? Çfarë mendoni për këtë?

Artikulimi me gjuhë të drunjtë se “PS-ja nuk bojkoton, por zgjedhjet nuk zhvillohen pa të”, është anakronik dhe perceptohet mediokër; nga ndërkombëtarët konsiderohet ofendues. Për më tepër, rezulton inefikas, se sapo vijnë afatet PS-ja është e detyruar t’i respektojë e të futet me bishtin nën shalë në sistem. Për më tepër, e gjithë kjo taktikë dyzimi dhe dilemash perceptohet si frikë e PS-së nga humbja, e shoqëruar me planifikimin nga Rama të kontestimit të zgjedhjeve dhe bashkëndarjes së alibisë së humbjes me të gjithë, njëlloj si më 2009. Ndërkohë që PS-ja dhe opozita duhet të angazhoheshin intensivisht, pa hezitim, për “fitimin dhe mbrojtjen e votave”, duke kërkuar eventualisht në kohën e duhur të gjitha garancitë ligjore e administrative të cilat natyrshëm do të kërkonin konsultime, debate dhe konsensus me mazhorancën për t’u realizuar. Dilemat e forta për fitoren/humbjen dhe njëkohësisht pranim/kontestim të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës nga Rama, mesa duket, do të përcaktojnë të gjithë axhendën e veprimeve politike e elektorale të PS-së deri në daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 Majit 2011.

Pavarësisht nga regjistrimi në KQZ, zoti Islami, PS-ja ka artikuluar publikisht tre kushte për garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale. Së pari, janë kartat e identitetit dhe verifikueshmëria e tyre, riformatimi i KQZ-së sipas një skeme të balancuar dhe rikthimi i anëtarit të propozuar nga Presidenti. Kushti i trete është ai i kontrollit dhe transparencës mbi regjistrin e votuesve. A janë të negociueshme këto kushte dhe a besoni se vërtet mbi to varet mbarëvajtja e zgjedhjeve?

PS-ja nuk ka artikuluar as në forumet e PS-së dhe as me partnerët ndërkombëtarë asnjë “kusht garancie”; do të thoja se kjo nuk është e bërë “as institucionalisht, as zyrtarisht dhe as në mënyrë të organizuar e të argumentuar”; t’i hedhësh ato në media, nga cilido personazh dhe sado i lartë i PS-së, kjo nuk përbën “artikulim zyrtar” të “kushteve për garanci të zgjedhjeve”. Tre kushtet i kam marrë vesh nga media. Nuk do të kisha dëshirë të diskutoja hipotetikisht “propozimet që janë më shumë mediatike sesa politike”, por nuk do të isha as kundër eventualisht kërkesave të arsyeshme për më shumë garanci. Minimalisht, mund të them se nuk është serioze kjo mënyrë veprimi.

Po çfarë duhet të bënte PS-ja në këto kushte?

PS-ja fillimisht duhet të dalë nga ngërçet dhe qorrsokaku ku është futur dhe 1) të “futet brenda sistemit” e të mos “veprojë kundër tij”, por “të veprojë nga brenda tij për ta përmirësuar vazhdimisht atë”; 2) të mos i lërë propozimet për kushtet apo garancitë për minutën e fundit, pasi ka aplikuar radikalizimin për dy vjet pa pushim e me dështime dhe nuk ka më kohë për t’i realizuar ato, sepse e gjitha kjo perceptohet sikur i kërkon ato si alibi për kontestim/humbjen; 3) dhe më e rëndësishmja, të vendosë në veprim e në funksion të zgjedhjeve strukturat politike e elektorale të PS-së, tanimë të paralizuar, të tilla si sekretariati, Kryesia e tjerë dhe të mos veprohet në mënyrë ad hoc apo informate, duke e fokusuar të gjithë veprimin te deputetët (të cilët duhen natyrisht angazhuar maksimalisht në fushatën elektorale, por jo të zëvendësojnë apo shmangin strukturat qendrore e lokale të partisë), apo akoma më keq në mënyrë hileqare të krijohen struktura paralele.

Në vlerësimin tuaj, a kanë shans që garancitë që kërkon PS-ja të realizohen ?...

Për t’iu përgjigjur integralisht e thjeshtë pyetjes suaj, do të thoja se 1) nuk ka asnjë shans më që propozimet e PS-së, edhe po të jenë të arsyeshme, nuk mund të aplikohen, minimalisht thjesht për arsye mungese kohe e besimi reciprok ende të pamjaftueshëm dhe përgjegjësia për këtë bie më shumë mbi PS-në dhe direkt vetëm mbi Ramën dhe 2) të hiqet dorë nga ky lloj “çorganizimi i organizuar”, që “kërkohen garanci dhe nuk artikulohen garanci konkretisht e zyrtarisht”, thuhet “nuk bojkotojmë dhe nuk zhvillohen zgjedhje pa ne” e tjerë e tjerë, që tingëllojnë “si kinezëritë në kohën e revolucionit kulturor maocedunian”.

Zoti Islami, zoti Rama duket se e ka vendosur të rikandidojë sërish për Bashkinë e Tiranës, të paktën siç është thënë nga mbështetës të tij brenda partisë. Çfarë do të sjellë ky rikandidim dhe a ishte një taktikë e duhur?

E kam thënë disa herë që nga viti 2007, që Rama, si kudo në të gjithë botën demokratike, duhet të dalë nga “qerthulli i interesave personale që e lidhin dhe e mbajnë peng si kryetar i Bashkisë së Tiranës” dhe t’i kushtohet drejtimit të PS-së, për të cilën është zgjedhur në krye të saj. Unë mund të veproja edhe ndryshe, siç veprojnë disa të tjerë shumë pranë Ramës ose i) për ta pasur mirë me Ramën t’i bëja temena duke e joshur të rikandidonte, që në rast fitoreje të fitoja diçka ose ii) ta shtyja të rikandidonte me shpresën e humbjes, se kështu shtyhej më shpejt në humnerë Jo, nuk është as vizioni dhe as morali im, as njëri dhe as tjetri. Fabulat tanimë mediokre dhe e pa mbrojtshme 1) për të justifikuar kandidimin për Tiranën në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në vitin 2007, ndërkohë që shtrohej pyetja se ç’do bëjë Rama në zgjedhjet e 2009, 2) kandidimi apo moskandidimi në krye të listës së PS-së në zgjedhjet e vitit 2009 dhe argumentet qesharakë për moskandidimin dhe 3) së fundmi, dyzimet, pasiguritë dhe dilemat për të kandiduar/moskandiduar për Bashkinë e Tiranës më 8 maj 2011 e kanë bërë bajate sjelljen e PS-së që pret me sy nga qielli se çfarë do të bëjë individualisht Rama, ndërkohë që ai nuk funksionon më si kryetar i PS-së. PS-ja po vuan dhe lëngon nga “zvarritja e Ramës në rrethin vicioz të Bashkisë së Tiranës”, ndërkohë që Rama përpiqet të sigurojë garancinë maksimale nga “kolltuku i kryetarit të Bashkisë”, mundësisht duke arritur opsionin maksimalist të kalimit nga “kolltuku i kryetarit të Bashkisë” në “kolltukun e Kryeministrit”.

Rama kryetar bashkie më 2011 i rrit apo zvogëlon shanset për fitoren e PS-së më 2013?...

Së pari, Rama kryetar bashkie më 2011 është një çështje komplekse dhe e komplikuar deri më 8 Maj 2011. Së dyti, kam bindjen e thellë se PS-ja po zvogëlon shanset e ardhjes në pushtet, për të mos thënë po i çon ato drejt zeros, vetëm për shkak se Rama do të qëndrojë me çdo kusht si kryetar i Bashkisë së Tiranës, sepse vetëm kështu dominon PS-në përmes klientelizimit që ia ofron ky post. Dhe kjo edhe sepse ky veprim rezulton i çiftuar me idenë e përhapur se nuk ka rëndësi se në çfarë viti vjen PS-ja në pushtet, më 2013, 2017 apo më vonë, rëndësi ka të dominohet PS-ja nga Rama që, duke qenë i ri, do t’i vijë një ditë radha të bëhet Kryeministër, sepse Berisha po mplaket dhe PD-ja nuk mund të qëndrojë më gjatë se tre mandate në pushtet. Kjo është dëshpëruese, vuajtëse dhe lënguese për PS-në. Tanimë Rama e ka ndarë i vetëm (ndoshta informalisht edhe në bashkëpunim me “shokët” e ngushtë) vetë mendjen për të rikandiduar për Tiranën dhe nuk mund të ishte ndryshe; pasi të shënojë zyrtarisht emrin në KQZ do të them se çfarë sjell konkretisht ky kandidim për Ramën dhe PS-në më 2011 dhe më 2013, ndërkohë që çdo ndryshim i mendjes nga sot deri në datën 24 mars 2011, kur është afati ligjor i regjistrimit të kandidatëve, duke qenë se është shumë vonë, do të sillte një humbje katastrofike në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Por, edhe nëse kjo do të ndodhte, do të thoja mendimin tim pas datës 24 mars 2011.

Ka patur zëra, si ai i zotit Agolli, se, në rast kandidimi, Rama duhet të largohej nga partia. A e mbështesni këtë linjë?

Përshëndes opinionin e Dritëroit. Do të flas për këtë çështje pasi Rama të shënojë zyrtarisht eventualisht emrin e tij në KQZ si kandidat për Bashkinë e Tiranës, bile edhe për rastin kur ai do të ndryshonte mendje për të mos qenë eventualisht kandidat për Tiranën; nuk gjykoj dhe aq më pak dëshiroj, që analiza ime modeste dhe argumentet e mia ndoshta të parëndësishme për Ramën, do të mund të shërbenin si alibi për të rritur dyzimin, dilemat dhe pasigurinë që janë ekstremale, apo akoma më keq për të ndryshuar vendimin e tij.

Si e shikoni procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për krerët e komunave dhe bashkive në rang vendi. A është transparent?

Procesi ka qenë jo institucional: forumet e PS-së nuk funksionojnë siç duhet apo nuk mirë funksionojnë, sekretariati është paralizuar se i) Rama as nuk e mbledh dhe as nuk e ndryshon, ii) Kryesia mblidhet zbehtësisht e formalisht shumë, shumë rrallë, sa për të thënë dhe debatet janë të pakta apo të munguara; iii) asambleja mblidhet “pas pilafit”, thjesht për të “ngritur dorën” ; iv) për më tepër, është shpikur një grup pune që vepron jashtë funksioneve organizative të sekretarit organizativ, jashtë funksioneve elektorale të sekretarit elektoral dhe jashtë funksioneve koordinuese të sekretarit koordinativ, për gjoja “seleksionimin e kandidaturave”. Procesi është jo efikas: janë futur në lojë deputetët për kandidaturat, gjë që ka krijuar perceptimin se po “bashkëndahet fajësia e humbjes dhe jo angazhimi për fitore”, ndërkohë që strukturat lokale janë jo plotësisht të angazhuara e deri formale. Sistemi i përzgjedhjes është gjoja i “decentralizuar”, por në fakt është tejet i centralizuar dhe klientelist: kandidatët për kryetarë të komunave janë paracaktuar përgjithësisht nga deputetët, të cilët janë bërë pjesë e sherreve dhe problemeve me kandidaturat, kurse kryetarët e bashkive i ka caktuar përgjithësisht vetë Rama. Procesi ka qenë jo transparent: deri në minutën e fundit, po ashtu siç ndodhi me kandidaturat për deputetë, pra në orën 00.00 të natës që mbaron afati për regjistrimin, askush nuk e di me siguri nëse është apo jo kandidat, përveç disa “klientelistëve” të privilegjuar. Procesi do të rezultojë demotivues: ata kandidatë që do të eliminohen ka shumë gjasa të dalin të pavarur ose, nëse detyrohen të heshtin, nuk do angazhohen maksimalisht, sepse e perceptojnë procesin jo të drejtë, jo transparent dhe jo efikas; argumenti se “eja të bashkohemi kundër Saliut dhe mos u përçani për kandidaturat” është i pamjaftueshëm dhe perceptohet lojë me stilin e vjetër e hile sa për të kaluarën radhën.

Nëse shikohet koalicioni i PS-së në qershorin e vitit 2009 kishim pesë parti, ndërsa tani duket se do të kemi minimalisht 9 të tilla. A po shkon PS-ja drejt riparimit të gabimit taktik të zgjedhjeve të kaluara?

Është e vërtetë se koalicioni opozitar numerikisht është më i madh se në vitin 2009, por e majta është më e përçarë se në vitin 2007 dhe më e përçarë se kurrë në këto 20 vjet. Nga këndvështrimi elektoral, opozita e majtë rezulton në pozita më të disfavorshme, jo vetëm e krahasuar me vitin 2007, por edhe në krahasim me vitin 2009. Ideja dhe propaganda e brendshme në PS se LSI-ja “ka mbaruar e ka vdekur” ka shumë gjasa të mos rezultojë e saktë. LSI-ja mbetet në çdo rast një forcë që ka më shumë vota se të gjithë aleatët e majtë të PS-së, sepse 1) është forcë parlamentare, 2) është në qeverisje (ky fakt është edhe avantazh edhe dizavantazh); 3) merr pjesë me kandidatët e saj në shumë njësi vendore; 4) ka komisionerë në QV dhe ZAZ, gjë që përbën angazhim të më shumë se 5 mijë familjeve dhe 5) në zgjedhjet vendore LSI-ja do të ketë një rritje për shkak edhe të shpërndarjes së votave nga dy partitë e mëdha drejt partive mesatare e të vogla, nga ku LSI-ja ka shanset më të mëdha për të përfituar.

A mundet dhe sa dëmton LSI-ja koalicionin opozitar, po të kemi parasysh që më 2007 e majta ishte e bashkuar?

E kam thënë edhe në analiza të tjera, po të krahasohen zgjedhjet e vitit 2007 me 2011-n “dëmtimi” që sjell LSI-ja në numrin e njësive vendore të majta mund të rezultojë deri në 20 për qind më pak njësi vendore për PS, nëse LSI ruan të njëjtin numër të votave si në vitin 2009 dhe deri në 10 për qind nëse LSI zvogëlohet përgjysmë; dhe kjo vjen vetëm nga fakti që kalimi i LSI nga në “koalicion me PS” në “koalicion me PD” efekti është i dyfishtë matematikisht nga pikëpamja elektorale dhe politikisht krijon frymë suksesi e fitoreje në ato njësi ku koalicioni qeveritar elektoralisht rezulton fitues; kështu ndodhi më 2007 në favor të së majtës, kur pas ndarjes së PS me LSI më 2005 erdhi bashkimi më 2007. Është naive dhe mediokre t’u thuhet socialistëve se “LSI ka mbaruar” dhe se përçarja nuk ka asnjë rol në rezultatin e 8 Majit 2011. Ky argument tanimë është i ezauruar dhe nuk ia vlen të rimerret, për më tepër që ndarja e thellë e së majtës duket për disa kohë e pariparueshme dhe PS-ja me Ramën në krye do të eci në rrugën e së “majtës së përçarë” me synim “eliminimin e plotë të LSI-së”, e cila përbën një lojë me shumë rreziqe dhe për më tepër e provuar tri herë i) më 2005, me humbje të pushtetit, ii) më 2007, me sukses relativ në zgjedhjet vendore të qyteteve kryesore dhe iii) më 2009, me mos fitim të pushtetit.

Cili është shansi i suksesit të opozitës më 8 maj 2011 me veprimet e saj, ndërsa është vendosur edhe slogani “fajin e ka Saliu”?

Nëse PS-ja më 8 Maj 2011 do të merrte më pak komuna/bashki se më 2007, gjë që duket shumë probabël dhe nëse koalicioni qeveritar PD plus LSI do të kishte të njëjtin numër votash apo pak më shumë vota se më 2009, atëherë edhe sikur Rama të fitonte Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e vitit 2013 do të nxirreshin këto konkluzione: 1) koalicioni PD plus LSI do të rezultonte funksional, 2) indirekt do të provohej se zgjedhjet e 2009-s ishin legjitime; 3) strategjia radikale e PS do të rezultonte e dështuar dhe 4) kjo situatë do të shërbente si një bazë prej nga me shumë gjasa nuk do të kishte shanse që PS-ja e vetme të fitonte mbi 50% të deputetëve, pra do të mbetej në opozitë. Ndërkohë, në këto kushte që humbja e Tiranës do të shënonte një demoralizim ekstrem, ndërkohë që edhe fitorja e saj nuk do ta shpëtonte PS-në nga humbja më 2013 duke ndihmuar vetëm Ramën të “kalëronte” edhe katër vjet PS-në.

Së fundmi, çfarë nuk duhet të bëjë dhe çfarë duhet të bëjë PS-ja që të rezultojë e suksesshme në betejat elektorale?

Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të gjatë, por le të përgjigjem shkurtimisht. Situata në të cilën ndodhet PS-ja nuk mund të zgjidhet as me strategji radikale, as me dilemën e kontestimit të zgjedhjeve, as me shndërrimin e veprimit politiko-elektoral në veprim klientelist dhe as me “inshallah” që LSI-ja të shkatërrohet; dhe as me akoma më keq me “vizionin” se “… çfarëdo që të ndodhë unë (apo ne) kam (kemi) kohë dhe askush nuk ma (na) merr partinë, derisa Berisha të plaket dhe PD-ja të bjerë vetë nga pushteti…”. Ky është vizion i katastrofës dhe hedhjes në humnerë të PS-së. Opsioni me “inshallah” nuk ka shanse të rezultojë fitues dhe nuk gjykoj se funksionon, aq më tepër që në PS nuk mungojnë kapacitet politike që dinë të ndërtojnë strategji e taktika suksesi e fitoreje, por aktualisht e prej disa kohësh janë të eliminuara, të shmangura dhe të margjinalizuara. Një gjë duhet patur parasysh, se Rama vetëm me klientelistw dhe me të majtën e përçarë nuk e fiton as këtë betejë dhe as të ardhshmet…, as më 2013, as më 2017 dhe as më 2021… sepse brezi i ri i votuesve nuk votojnë naivisht e me sy mbyllur, vetëm që Rama të jetë Kryeministër . “Gogoli Sali” dhe slogani “fajin e ka Saliu” janë shumë pak si “dordolec” për të fituar zgjedhjet, ato frikësojnë vetëm fëmijët, “gëzojnë” dhe lënë në ëndërr militantët naivë, por nuk ua mbushin mendjen (për t’ia ndryshuar as që bëhet fjalë fare) të gjithë atyre që kanë dy pare mend apo atyre që nuk presin nga PS-ja vend pune, tendera apo leje ndërtimi, por presin më shumë shpresë për një jetë më të mirë…

Axhenda elektorale

Dilemat e forta për fitoren/humbjen dhe njëkohësisht pranim/kontestim të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës nga Rama mesa duket do të përcaktojnë të gjithë axhendën e veprimeve politike e elektorale të PS-së deri në daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit 2011.

Për kushtet e PS

Tre kushtet i kam marrë vesh nga media. Nuk do të kisha dëshirë të diskutoja hipotetikisht “propozimet që janë më shumë mediatike sesa politike”, por nuk do të isha as kundër eventualisht kërkesave të arsyeshme për më shumë garanci.

Për Ramën

E kam thënë disa herë që nga viti 2007, që Rama, si kudo në të gjithë botën demokratike, duhet të dalë nga “qerthulli i interesave personale që e lidhin dhe e mbajnë peng si kryetar i Bashkisë së Tiranës” dhe t’i kushtohet drejtimit të PS-së, për të cilën është zgjedhur në krye të saj.

Ardhja në pushtet

Së dyti, kam bindjen e thellë se PS-ja po zvogëlon shanset e ardhjes në pushtet, për të mos thënë po i çon ato drejt zeros, vetëm për shkak se Rama do të qëndrojë me çdo kusht si kryetar i Bashkisë së Tiranës, sepse vetëm kështu dominon PS-në përmes klientelizimit që ia ofron ky post.

Për kandidatët

Sistemi i përzgjedhjes është gjoja i “decentralizuar”, por në fakt është tejet i centralizuar dhe klientelist: kandidatët për kryetarë të komunave janë paracaktuar përgjithësisht nga deputetët, të cilët janë bërë pjesë e sherreve dhe problemeve me kandidaturat kurse kryetarët e bashkive i ka caktuar përgjithësisht vetë Rama.

Për LSI-në

PS-ja me Ramën në krye do të eci në rrugën e së “majtës së përçarë”, me synim “eliminimin e plotë të LSI-së”, e cila përbën një lojë me shumë rreziqe dhe për më tepër e provuar tri herë i) më 2005, me humbje të pushtetit, ii) më 2007, me sukses relativ në zgjedhjet vendore të qyteteve kryesore dhe iii) më 2009, me mos fitim të pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›