E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS në prag të shpalljes së kandidatit për Himarën

Asambleja e PS në Himarë i ka propozuar Ramës kandidimin e Gjergj Goros, përballë Vasil Bollanos. Rama, takim me Dulen për garën elektorale në Himarë

Partia Socialiste është në prag të shpalljes së një kandidati të vetin për Himarën, duke e ruajtur aleancën me PBDNJ-në, vetëm në nivel kombëtar. Ky duket se do të jetë vendimi i pritshëm i kryesocialistit Edi Rama, pas takimit të tij me anëtarët e Asamblesë së PS-së në qytetin e Himarës. Këta të fundit kanë shprehur rezerva për mbështetjen e kandidatit tashmë të shpallur të PBDNJ-së në Himarë, Vasil Bollano, duke propozuar si kandidat për këtë bashki socialistin Gjergj Goro. Anëtarët e Asamblesë së PS-së, gjatë takimit me Ramën i kanë shprehur atij besimin se Goro mund ta fitojë Bashkinë e Himarës, në një garë me kryetarin aktual, Vasil Bollano. Burime nga ky qytet bëjnë me dije se kreu i PS-së, Edi Rama, ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit të Goros, por u ka pohuar socialistëve të Himarës se për këtë çështje do të konsultohej edhe me aleatin e tij, Vangjel Dule. Takimi Rama-Dule mësohet se është zhvilluar gjatë ditës së djeshme, por ende nuk dihet nëse kreu i PBDNJ-së ka dhënë “bekimin” e tij për t’u futur të ndarë në garën e zgjedhjeve lokale. Pas ambicies së përsëritur të Vasil Bollanos, për të kandiduar për një mandat të katërt në Bashkinë e Himarës, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule e konfirmoi atë si kandidat të PBDNJ-së. Pas një refuzimi paraprak nga Partia Socialiste, Bollano ka pohuar në një intervistë të pak ditëve më parë për “MAPO” se, mbetet i hapur për bashkëpunim të mundshëm me PD-në. Nga ana tjetër, skenës lokale të Himarës i shtohet edhe partia e re e minoritetit grek, MEGA, e cila pritet të ndryshojë aleancat në garën elektorale të 8 Majit.

PS: KQZ po fotokopjon listat e zgjedhësve të 2009

Partia Socialiste ka akuzuar kreun e KQZ-së, Arben Ristani, se po vë në dispozicion të Kryeministrit Berisha, materialet zgjedhore të vitit 2009. Sipas deputetit të PS-së, Armando Subashi, Arben Ristani po fotokopjon materialet zgjedhore të qershorit 2009 në bodrumet e KQZ, me qëllim vënien e tyre në dispozicion të qeverisë aktuale. “Për të ndalur zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, Ristani, për llogari të Saliut, i shpalli deri edhe sekret materialet zgjedhore, madje për 25 vjet, ndërkohë që Saliu dhe Luli i marrin përmes Ristanit nga bodrumi i KQZ”, theksoi Subashi. Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë dhe shprehet qartë, në mënyrë që mos të përsëritet ajo që ndodhi në zgjedhjet e 2009-s. Deputeti i PS-së është shprehur se me këto kushte është e vështirë që të zhvillohen zgjedhje të lira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›