E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza për drejtësinë, PD: Propagandë. Rama: Dora ende e shtrirë

Tryeza e para disa ditëve e organizuar nga Partia Socialiste për ligjet me 3/5, jo vetëm që nuk arriti të unifikojë qëndrimet e dy kampeve politike, por është bërë shkak për një përkeqësim të situatës dhe debatit politik për to. Dy ditë pasi u mbajt kjo tryezë, kanë reaguar deputetët e djathtë të komisionit të Ligjeve, të cilët e kanë quajtur atë si një vizion i mbrapsht antireformë. “Deputetët demokratë të komisionit të Ligjeve nuk pajtohen me këtë vizion të mbrapshtë antireformë. Reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetëmohim. Reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent. Atje ne presim kolegët tanë socialistë që me të njëjtin shpirt si ne të japin mendimin, kontributin, vizionin dhe votën e tyre në të mirë të vendit dhe të integrimit”, - shprehen deputetët demokratë në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat. Më tej shprehen se rruga e reformës është e papajtueshme me “shfaqje të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë”. Për këtë ata i referohen pikërisht pjesëmarrjes në këtë tryezë të disa nëpunësve të shtetit, që janë pjesë e administratës së lartë të sistemit të drejtësisë. Në fakt, zoti Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve integruese të Shqipërisë. Dallimi i vetëm është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizoje nëpërmjet veglave të vërbëra të Partisë Socialiste në gjirin e drejtësisë. Jo më kot ndërhyrjet më të zëshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, zotit Shkëlqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (mesa duket me urdhër të Shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shtetëror”, - thuhet në këtë deklaratë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili e ka konsideruar këtë qëndrim të demokratëve si të pajustifikueshëm. “Kryetari i PS-së, Edi Rama, shpreh keqardhjen për reagimin brutal të deputetëve të PD-së në komisionin e Ligjeve. Nëse mungesa e palës së tyre në atë tryezë ishte e pajustifikuar, ky reagim është i pajustifikueshëm”, - shprehet Rama në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit e PS-së, ndërsa garanton se dora e forcës që ai drejton do të mbetet e shtrirë për mazhorancën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›