Berisha: Kutitë nuk hapen. Gati për votim elektronik

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun estonez, Kryeministri Sali Berisha foli për protestat dhe kutitë e votimit
TIRANË - Në kushtet kur opozita ka paralajmëruar për protesta masive, duke kërkuar transparencën e plotë të zgjedhjeve të kaluara dhe kur faktori ndërkombëtar kërkon me ngulm zgjidhjen e krizës politike në vend, Kryeministri Sali Berisha vazhdon t'i mbetet qëndrimit të tij standard, duke mbrojtur edhe komisionin hetimor parlamentar të ngritur nga mazhoranca.
Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e evidentoi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që zhvilloi me homologun e tij estonez, Andrus Ansip.
Duke iu referuar qëndrimit të opozitës, e cila kërkon me çdo kusht hapjen e kutive të votimit, si rrugën kryesore për zgjidhjen e ngërçit politik, Berisha vuri në dukje se vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit parlamentar që, sipas tij, synon transparencën e zgjedhjeve, duke respektuar vendimet e gjykatave, është i parefuzueshëm.
Sipas Kryeministrit, nëse opozita kërkon realisht hetimin e zgjedhjeve, komisioni i ngritur me votat e mazhorancës është e vetmja mënyrë drejt kompromisit politik. Për sa i përket protestave të spektrit opozitar, lideri i shumicës në pushtet theksoi se kjo është e drejtë e patjetërsueshme e opozitës. Për këtë arsye, sipas tij, ajo ka të drejtë të protestojë, ndërsa la të kuptohet se pavarësisht protestave, kutitë e votimit nuk do të mund të hapen.
"Për sa i përket qëndrimit të opozitës unë mund të theksoj se vendimi i parlamentit për komisionin parlamentar, për transparencë të plotë për çdo gjë tjetër përveç çështjeve, për të cilat ka vendime gjykatash, është i parefuzueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë transparencë. Protestat janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë, e garantuar me Kushtetutë, me të gjitha rregullat", - tha dje Berisha.
Votimi elektronik
Procesi zgjedhor i 28 Qershorit, i kontestuar nga opozita, duke e futur vendin në një krizë politike që nuk po gjen zgjidhje, mund t'i shmanget kontestimeve për zgjedhjet e ardhshme nëpërmjet sistemit elektronik. Kryeministri estonez, Adnrus Ansip, vuri në dukje se që prej vitit 2005 vendi që ai drejton, i zhvillon zgjedhjet nëpërmjet sistemit elektronik.
Sipas tij, kjo mënyrë operimi krijon mundësinë që asnjë forcë politike të mos kontestojë rezultatin e zgjedhjeve për të kërkuar rinumërim të votave. "Në Estoni, madje edhe zgjedhjet i kryejmë në mënyrë elektronike.
Në vitin 2005 bëmë zgjedhjet lokale, të cilat i realizuam nëpërmjet votimit elektronik. Edhe vitin e kaluar patëm dy zgjedhje, për Parlamentin Europian dhe sërish zgjedhje të tjera lokale. Vitin që shkoi, rreth 15 për qind të votave i numëruam nëpërmjet internetit.
Në Estoni njerëzit i besojnë shumë sistemit elektronik të votimit, askush te ne nuk kërkon rinumërim. Kur ne i besojmë paratë tona, që lëvizin nëpërmjet internetit, atëherë përse të mos kemi besim edhe te vota e hedhur nëpërmjet internetit!" - u shpreh kryeministri estonez.
Ai sugjeroi që këtë praktikë të zhvillimit të zgjedhjeve, Estonia mund t'ia ofrojë edhe Shqipërisë. Megjithatë, duke iu referuar infrastrukturës së sistemit elektronik në vendin tonë dhe periudhës kohore kur është futur në Shqipëri, duket se është mjaft e vështirë të ndërmerret një hap i tillë. Këtë fakt e pranoi edhe vetë kryeministri Berisha, duke theksuar se Estonia ka shkallën më të lartë se në çdo vend tjetër të operimit nëpërmjet sistemit elektronik.
"Estonia ka shkallën e penetrimit më të lartë të IT në shoqërinë e saj, më të lartë se çdo vend tjetër", - nënvizoi Berisha. Por, sipas kreut të mazhorancës, qeveria shqiptare, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e opozitës, është e gatshme ta adoptojë një procedurë të tillë, me qëllim që të garantohet transparenca e zgjedhjeve. "Lidhur me votimin elektronik unë jam plotësisht në favor të tij.
Ajo çka unë do të propozoja është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita, të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike.
Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim, se thashethemet dhe frika në zgjedhje ndaj sistemeve elektronike janë provuar tërësisht të pabazuara. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira, më transparente", - shtoi Berisha.