Rama: Çdo ditë, një protestë. Më 30 prill në Tiranë

Kryetari i opozitës ftoi dje qytetarët të bëhen pjesë e protestave të përditshme, për situatën ekonomike në vend
Tiranë - Partia Socialiste do të protestojë çdo ditë për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, për të kulmuar me një tubim në datën 30 prill në bulevardin e Tiranës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka bërë dje apel qytetarëve që të bëhen pjesë e protestave të përditshme, për t'i dhënë fund pushtetit aktual.
"U bëj sot apel të gjithë qytetarëve të rimarrin në dorë fatin e tyre të marrë peng prej një pushteti që, pasi grabiti votat, po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Të hapim kutitë dhe ndalim rrënimin ekonomik përmes protestave pa ndalim. Çdo ditë një protestë për t'u takuar që të gjithë në 30 prill në bulevardin e Tiranës.
U bëj apel të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme të rimarrin në dorë fatin e familjeve të tyre për të dalë nga kurthi marramendës i një krize ekonomike, e cila i ka rrënjët tek grabitja e votës së popullit dhe tek keqqeverisja e pushtetit të vjedhur që nuk garanton më askënd përveç vetvetes.
Të bashkohemi të gjithë për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe, duke rritur çdo ditë çmimin e jetesës për çdo familje", - tha ai. Kryetari i opozitës i është drejtuar edhe të papunëve, që të marrin në dorë fatin e tyre.
"U bëj gjithashtu apel sipërmarrësve të rimarrin në dorë fatin e tyre të nëpërkëmbur nga një pushtet që siç shkeli me këmbë kontratën me popullin duke grabitur votat, i ka vënë shqelmin çdo kontrate që garanton liri e të drejta për sipërmarrjen.
Të ndalim përshkallëzimin e abuzimeve shtetërore ndaj sipërmarrjes që po tkurret përditë, duke mbyllur vende pune dhe paguar gjobat e rënda të arrogancës antikushtetuese të një pushteti, të cilit duhet t'i vëmë përballë fuqinë e protestës qytetare", - tha ai. Një mesazh, kryetari i opozitës ia ka drejtuar edhe punonjësve të administratës.
"U bëj apel rrogëtarëve të keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjenci e ndërmarrje shtetërore, të rimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës së largimit nga puna për një llaf goje.
Vetëm të bashkuar mund t'i japim fundin që meriton këtij pushteti që pasi fundosi zgjedhjet po fundos edhe ekonominë duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë", - tha ai.
Rama i bëri thirrje edhe bujqve, fermerëve e peshkatarëve, ushtarakëve të liruar, minatorëve në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatave e organizmave të shoqërisë civile.
"Partia Socialiste ndjen detyrimin e pashmangshëm të pjesëmarrjes në çdo protestë ku do të jetë e ftuar nga qytetarët dhe të mbështetjes së plotë morale të çdo proteste që vetë qytetarët do të organizojnë, kudo qoftë, për çfarëdo çështje të jetës së tyre të rënduar nga keqqeverisja dhe sado të pakët në numër qofshin.
Ndërkohë, së bashku me partnerët e koalicionit opozitar, ne do të ndërmarrim edhe nismat tona protestuese në rrugën e protestës kulmore të 30 prillit. E cila nuk do të ndalet, por do të pasojë më pas, në 1 maj e më tutje, me të gjitha format demokratike, në Tiranë e në gjithë Shqipërinë.
Do të jemi në protestë deri në rivendosjen e ekuilibrave demokratikë në këtë vend, ku pushteti i disave nuk mund të vazhdojë të jetë njësh me shtetin e të gjithëve për interesat e atyre që grabisin votat, gjunjëzojnë drejtësinë, rrënojnë ekonominë", - tha ai.