E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kutitë nuk hapen, opozita ka si qëllim pushtetin

Sali Berisha dhe Ridvan Bode adresojnë akuza të ashpra ndaj kreut të opozitës, ndërsa konfirmojnë se kutitë nuk do të hapen: "Zgjedhjet u certifikuan nga të huajt"


ELBASAN - Përpos afatit të lëshuar nga opozita, mazhoranca nuk ka ndërmend që të hapë kutitë e votimit. Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar të tejkaluar këtë fazë, teksa dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan, ka akuzuar, sërish ashpër, kryetarin e opozitës, Edi Rama.


Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dje edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Korçës. Kështu, Kryeministri i vendit deklaroi dje se "dara e ligjit" do të veprojë mbi bandat e tokave. Nga qyteti i Elbasanit, lideri i mazhorancës theksoi se pas bandave të Aldo Bares, radhën e kanë "aldo baret e tokave".


Kreu i ekzekutivit tha, gjithashtu, se opozita nuk do të mund t'i imponojë asgjë mazhorancës nga kërkesa e saj, për hapjen e kutive të votimit. Sipas tij, qeveria do të përballet me forcën e ligjit përballë aleancës puniste-mafioze, siç e ka quajtur ai opozitën.


Për sa i përket kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit, lideri i së djathtës vuri në dukje se opozita nuk ka si qëllim votën, por vetëm pushtetin. Sipas Berishës, kryesocialisti Edi Rama dhe deputeti Gramoz Ruçi janë të papajtueshëm me votën dhe nuk duan ta pranojnë atë si të lirë.


"Ajo çka ne kemi denoncuar dhe kemi deklaruar është se një aleancë punisto-mafioze, e kryesuar nga zoti Rama, nuk do të mund të imponojë asgjë dhe kjo qeveri është e vendosur të përballet me të gjithë forcën e ligjit me mafian, me klanin punisto-mafioz. Të jeni të sigurt që nuk janë stisje, por realitete. Këta duan pushtet dhe vetëm pushtet. Këta dhe vota janë dy gjëra të kundërta, të papajtueshme", - tha dje Berisha


Kryeministri shtoi se mosnjohja e zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ana e opozitës ka të bëjë, me mendësinë e saj të shkuar, që, sipas tij, është e ngërthyer me mafian e ndërtimit të Tiranës.


"Është mendësia e tyre puniste, ishte punizmi, ai që bëri Gramoz Ruçin t'i japë urdhrin në vitin '9-ën6, në orën 4, komisionerëve të vet që të largohen nga komisionet. Është punizmi që shtyn Edi Ramën të thotë: O të shkelim vendimet e gjykatave, ose do të rrëzoj qeverinë.


Është mendësia dhe mentaliteti punist, por, kësaj here, i ngërthyer me interesat e mafias më të rrezikshme të Ballkanit dhe të Evropës, siç është mafia e ndërtimit të Tiranës", - u shpreh ai.


Duke sjellë në vëmendje zgjedhjet e 28 Qershorit, Kryeministri Berisha, nënvizoi se këto zgjedhje u certifikuan nga faktori ndërkombëtar, por mbi të gjitha, sipas tij, janë zgjedhje që i ka certifikuar vetë opozita me 20 mijë anëtarët e saj të dërguar në Komisionet Zgjedhore.


Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, deklaroi dje nga Korça se Rama po kërkon të rrëzojë rendin kushtetues. "Edvini dhe klika e tij mafioze është duke përgatitur skenarin e fshehtë të rrëzimit të rendit kushtetues. Edvini është duke projektuar puçin antikushtetues në dëm të interesave të shqiptarëve.


Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Shqipëria ka kryer zgjedhjet më të mira ne vend më 28 Qershor dhe për këtë ka marrë bekimin e OSBE/ODHIR-it, por dhe nga SHBA dhe konkretisht Departamenti i Shtetit etj,... Zgjedhjet me standarde janë vlerësuar nga organizma të rëndësishme evropiane dhe në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesit e BE-së.


Ky vend është duke ecur drejt procesit të liberalizimit të vizave, proces që do të mbyllet 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm", - tha dje Bode në Konferencën e PD-së së Korçës, ku u votuan edhe emrat e 54 delegatëve që do të marrin pjesë në Kongresin e PD-së në Tiranë në muajin dhjetor.


******************************************

Deputetët e PS-së reagojnë pas deklaratës së kryeministrit

PS: Nëse s'hapen kutitë, ka vetëm zgjedhje

TIRANË - Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha në Elbasan, kanë reaguar deputetët e PS-së, Olta Xhaçka dhe Blendi Klosi. "Sot, gjuha e urrejtjes u përdor sërish nga Sali Berisha dhe ushtarët e tij.


Sot shqiptarët panë një tjetër shfaqje të turpshme, që tentonte sërish ta zhvendoste vëmendjen nga kutitë e krimit elektoral të 28 Qershorit, mbi të cilat Sali Berisha dhe ushtarët e tij qëndrojnë ulur. E ka ndritur Ridvan Bode ekonominë e Shqipërisë dhe financat e shqiptarëve, që del e shpif duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit.


E ka ndritur Genc Pollo arsimin në Shqipëri, që del e gënjen, duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. E ka ndritur Sokol Olldashi tunelin e Kalimashit, që del e mashtron duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. Për Sali Berishën dhe ministrat e tij ka mbetur vetëm një zgjidhje. Të hapë kutitë",- tha Xhaçka.


Në të kundërt, duke mos hapur kutitë, Xhaçka shtoi se Berisha pranon se qeveria e tij është ilegjitime, duke thelluar edhe më shumë krizën, që ka mbërthyer vendin. "Të hapë kutitë, përndryshe për Sali Berishën nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje", - shtoi ajo.


Edhe deputeti tjetër i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi dje se Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tjerë të PD-së kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve. "Kjo është një tjetër krizë, me të cilën përballet sot vendi ynë.


Sot Shqipëria, fatkeqësisht, qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve. Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet, kundër vullnetit të popullit të tij",- tha ai.

*****************************************

Barrot: Mbështesim heqjen e vizave për Shqipërinë

TIRANË - Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Zhak Barrot, gjatë një bisede telefonike që zhvilloi dje me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha theksoi se instanca e Bashkimit Evropian, ku ai bën pjesë do të mbështesë Shqipërinë për liberalizimin e vizave.


Komisioneri për Sigurinë dhe Drejtësinë, Barrot, siguroi Kryeministrin Berisha për liberalizimin sa më të shpejtë të regjimit të vizave. Me gjithë deklaratat e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian për mbështetje për liberalizimin e vizave ndaj Shqipërisë, kërkesa e tyre kryesore ka qenë plotësimi i standardeve evropiane.


Mosarritja e standardeve evropiane nga ana e Shqipërisë, si mospajisja në kohë e të gjithë qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, si dhe aplikimi i cunguar i mjeteve teknologjike në pikat e kalimit kufitar, kanë qenë disa nga arsyet që Shqipëria mbeti jashtë liberalizimit të vizave, në raport me vendet e tjera të rajonit si Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat përfituan nga ky proces.

Ndërkaq, po në kuadër të proceseve integruese evropiane, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka marrë mbështetjen e Kryeministrit të Greqisë, Jorgo Papandreu, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


Gjatë Ministerialit të OSBE-së, që zhvillohet në Athinë, Kryeministri grek theksoi se Greqia do të angazhohet për konkretizimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, si dhe heqjen sa më shpjet të regjimit të vizave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›