Dosjet me shkelje, "mosmarrëveshje" Ministri- Prokurori
KONTROLLI
Inspektimi i kryer nga Ministria e Drejtësisë në akuzën e kryeqytetit kishte konstatuar 300 dosje me shkelje
Organi qëndror i akuzës pretendon se më pak se gjysma e të pretenduarve kanë shkelje dhe do të diskutohen në Këshillin e Prokurorisë
TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama merr në shqyrtim raport kontrollin e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë i kryer ndaj prokurorëve të kryeqytetit mbi shkeljet e konstatuara në punën e tyre për një periudhë rreth tri vjeçare.
Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të institucionit qendror të akuzës, që saktësuan se ky raport kontrolli është verifikuar në terren edhe nga grupi i punës së ngritur nga kryeprokurorja Rama.
Nga verifikimi i këtij raporti, inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë arritur në përfundim se ka shkelje në 130 dosje penale për të cilat duhet të ketë edhe masa disiplinore. "këto shkelje janë konstatuar në punën e 34 prokurorëve të kryeqytetit, të cilët duhet të përgjigjen në Këshillin e Prokurorisë për shkeljet, e madje ndaj tyre pritet të propozohen edhe masa disiplinore",- thanë burimet. Në fund të këtij raporti, Ministria e Drejtësisë, kishte dhënë edhe rekomandimet e saj, duke propozuar masa disiplinore për 34 prokurorë të ndryshëm.
Në këto masa kërkohej që 12 prej prokurorëve të gjetur me shkelje të "transferoheshin"; 12 të tjerëve t'i jepej "vërejtje me paralajmërim", e për 10 të tjerë "shkarkim nga detyra". Raporti, pritet që pas verifikimeve t'i kalojë për shqyrtim Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, ku do të merren në shqyrtim dosjet e konstatuara me shkelje dhe vetë prokurorët duhet të raportojnë një nga një.
Ata duhet të paraqesin pretendimet e tyre mbi shkeljet e konstatuara që do të shqyrtohen, para vendosjes së masës së mundshme. "Ministria e Drejtësisë kishte konstatuar 300 dosje me shkelje, por nga verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme, rezultoi se Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë bërë edhe gabime në vlerësimin e punës.
Në disa dosje janë konstatuar edhe shkelje të papërfillshme, që nga inspektorët e Prokurorisë janë hequr si masa shkeljesh. Në përfundim të këtij raporti, është konstatuar se vetëm në 130 dosje nga 5700 të kontrolluara ka shkelje, çka do të thotë se nuk janë në një masë shqetësuese.
Kjo tregon se Prokuroria e Tiranës, ka qenë korrekte dhe e suksesshme në punën e saj, pasi vetëm 6 % e volumit të punës, është konstatuar me shkelje"-thanë zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, për të cilët ky nivel është normal, në një volum kaq të madh pune.
Sipas raportit, objekt i kontrollit në dosjet penale, kanë qenë cilësimi i veprës, pushimit të çështjeve, pezullimit të dosjeve si dhe afatet procedurale.
Ky kontroll, është shtrirë në një periudhë kohore nga viti 2006 deri në mars 2009. Kontroll i Ministrisë së Drejtësisë, u shoqërua me debate të mes Prokurorisë dhe ekzekutivit, ku kjo e fundit u akuzua për ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve Kushtetuese.
Ndërhyrje kjo e konstatuar në rastin e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç, i cili për disa muaj u hetua për akuzën e "pastrimit të parave", pasi kishte blerë me çmime qesharake 14 hektarë tokë në fshatin Rina në Porto Romano të Durrës. Aty parashikohet ndërtimi i një TEC-i për prodhimin e energjisë.
5700 dosje penale të hetuara nga Prokuroria e Tiranës për gjatë viteve 2006- 2009, u kontrolluan nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, për disa muaj me radhë në istitucionin e akuzës, për të konstatuar shkelje të mundshme në punën e saj
300 dosje nga totali i kontrolluar ishin gjetur me shkelje nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë gjatë veprimeve verifikuese në dosjet e Prokurorisë së Tiranës, për punën e kryer prej saj në një hark kohor prej tri vitesh
130 dosje janë konstatuar me shkelje nga Prokuroria e Përgjithshme, pas verifikimeve të raportit të dërguar nga Ministria e Drejtësisë në organin qëndror të akuzës në vend, duke dërguar edhe rekomandimet përkatëse