E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kutitë nuk hapen, dhe sikur Enver Hoxha të çohet nga varriNga TemaNga Kruja kryeministri sërish e krahason veten me Skënderbeun. “Vendi nuk ka bërë hapa kaq të mëdhenj që prej periudhës së Skënderbeut” Kryeministri, Sali Berisha, përsër

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Kutitë nuk hapen, dhe sikur Enver Hoxha të çohet nga varriNga Tema

Nga Kruja kryeministri sërish e krahason veten me Skënderbeun. “Vendi nuk ka bërë hapa kaq të mëdhenj që prej periudhës së Skënderbeut”

Kryeministri, Sali Berisha, përsëriti dje se nuk ka ndërmend që të hapë kutitë e votimit. Ai tha se kjo nuk do bëhet, edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri.

“Natyrisht, duke mbetur gjithmonë i hapur dhe ftues për zotin Rama, që të rikthehet në parlament, të vazhdojmë dialogun, të vazhdojmë bashkëpunimin për reformat dhe procesin e integrimit, pasi të gjitha këto tingëllojnë si një anakronizëm për të bllokuar heqjen e vizave apo për të bllokuar vendimin për statusin e kandidatit dhe këto vendime janë marrë tashmë dhe nuk ka më pengesë, dua t’i them këtu nga Kruja e Skënderbeut një gjë: Jam dhe do të mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit jetik, të rëndësishëm të opozitës dhe për bashkëpunim me të. Por, jo vetëm me qen të rrahur dhe me kocka mafioze të tipit Gramoz Ruçi, por edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë apo mund të shkelmosh shtetin ligjor. Jo, kjo nuk mund të ndodhë, ndaj edhe mos i mashtro njerëzit për karrigen tënde, por hajde të ulemi në parlament të vazhdojmë reformat, se vendimet e gjykatave janë të paprekshme. Ka vendosur gjykata që nuk mund të ketë rinumërim dhe atë vendim e ka marrë si kundër teje, ashtu edhe kundër meje. Edhe ne kërkuam rinumërimin e Fierit dhe gjykata e hodhi poshtë. Atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të punojmë së bashku për zgjedhjet e ardhshme. Janë edhe rreth 1160 ditë, gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe ne, të dashur qytetarë dhe qytetare, jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që ju gjatë 6-mujorit të parë të keni vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, pra të lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Këtë prisni ju, këtë kanë dëshiruar baballarët tuaj, këtë kanë dëshiruar gjyshërit dhe stërgjyshërit, këtë kanë pritur shqiptarët në dhjetëra dhe qindra vite, këtë po e shndërrojmë në realitet”, - tha Berisha.

Duke folur nga Kruja, ku shpesh ai gjen vendin për ta krahasuar veten me Skënderbeun, ai tha se që nga koha e Skënderbeut nuk janë bërë kaq shumë hapa për vendin.

“Ky vit ka qenë një vit i madh në historinë tonë, vit në të cilin ne, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, shënuam hapat më të mëdha, arritjet më historike, në drejtim të integrimit tonë në botën e lirë, integrimit tonë në NATO, integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Në prill ne patëm ngjarjen më historike që nga pavarësia e Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; më 28 qershor fitoren më historike pas 22 marsit të demokracisë shqiptare, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që qeveris sot; më 16 nëntor vendet anëtare të Bashkimit Evropian pranuan kërkesën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian; gjatë tetorit dhe nëntorit u mor vendimi politik për heqjen e vizave, sapo Shqipëria dhe shqiptarët të plotësojnë kushtet teknike. Kurrë ndonjëherë në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk kemi pasur vendime kaq të mëdha dhe pozitive për secilin prej nesh, për Shqipërinë në tërësi, për shqiptarët në tërësi”, - tha Berisha.

Gjatë fushatës zgjedhore Berisha pati deklaruar në Krujë se do ia bënte Ramës më keq se Skënderbeu turqve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›