E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillen pa prindërit dy motrat e tragjedisë së Beratit

 

BERAT - Dy motrat, viktimat e tragjedisë së familjes Kajo janë përcjellë dje në banesën e fundit, pa praninë e prindërve, të cilët ndodhen në spital me plagë të shumta. Megi dhe Kelima Kajo, 5 dhe 15 vjeçe, humbën jetën nga flakët që shpërthyen në banesën e tyre në lagjen "Muzakaj" të Beratit, si pasojë e një bombole gazi. I ati i tyre dhe vëllai ndodhen në Spitalin Ushtarak, për shkak të shkallës së lartë të djegies, ndërsa e ëma, në atë të Beratit, pasi përveç djegies ka dhe një këmbë të thyer. Bashkë me familjarët e viktimave, pjesëmarrës në ceremoninë mortore ishin dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Ata kanë bërë të ditur dje se, Bashkia do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e funeralit si dhe do të ndihmojë, në bashkëpunim me bizneset, të mbijetuarit e familjes Kajo. Pas tragjedisë së madhe që ndodhi në familjen Kajo, dje kanë mbërritur në Berat dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe deputetë të Kuvendit. Pikërisht zv. ministri Ferdinand Poni dhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe kanë ngushëlluar të afërm të viktimave. Sipas Ponit, familja Kajo do të ketë mbështetjen e qeverisë si financiarisht, edhe nga ana e mjekimit të së lënduarve që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Ai i ka lënë detyrë prefektit të Beratit, Kostandin Lefto, që menjëherë kjo familje të ndihmohet financiarisht, për të lehtësuar sadopak pasojat që la tragjedia. Pas kësaj ngjarjeje, bashkia ka urdhëruar nisjen e një kontrolli në pikat e shpërndarjes së gazit, për të verifikuar sa zbatohen kushtet teknike.                             d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›