Për shantazh, lihen në burg shik-asi e tatimori
GJIROKASTËR - Shkalla e Parë e gjyqësorit ka dhënë masën "burg pa afat" për Laert Brahon dhe Adriatik Çalajn, të arrestuar tri ditë më parë nga policia e Gjirokastrës. Drejtuesi i seancës, Guxim Boçi, ka dëgjuar argumentet e servirura nga prokurori i çështjes Gjon Fusha, i cili për 30 minuta rresht, ka përcjellë për trupin gjykues të gjitha faktet që sipas tij i bëjnë fajtorë dy zyrtarët e institucioneve shtetërore, për veprën penale të korrupsionit pasiv. Organi i akuzës kërkoi mbajtjen në qeli të Brahos dhe Çalajt, pasi kjo bazohet edhe në të dhënat që janë bërë të njohura nga grupi hetimor, ku i përfshin ata direkt në formën e shantazhit ndaj pedagoges së Universitetit të Gjirokastrës. Pas fjalës së prokurorit Fusha, avokati i dy të pandehurve Arjan Sotiri, kërkoi dje nga drejtuesi i seancës gjyqësore Guxim Boçi, ndjekjen në gjendje të lirë për oficerin e SHISH-it dhe zyrtarin e Tatim-Taksave të Gjirokastrës, pasi ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga ana e drejtuesit të seancës gjyqësore, i cili në përfundim ka vendosur që dy të rinjtë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit, deri në fillimin e procesit të rregullt gjyqësor. Masa e arrestit ishte parashikuar të zhvillohej ditën e sotme, pasi avokatët e të pandehurve nuk ishin njohur me provat materiale të klientëve të tyre deri mëngjesin e të dielës. Dy të arrestuarit nga ana e tyre, gjatë vlerësimit të masës së sigurisë nuk janë pyetur fare nga trupi gjykues ndonëse ishin prezentë, pasi fjala e tyre u përfaqësua nga ana e avokatit Arjan Sotiri. p.n