Grabitet nga maskat supermarketi
SARANDE - Si asnjëherë më parë, fenomeni i grabitjes me armë po kthehet në tmerrin e bizneseve dhe qytetarëve në Sarandë. Vjedhja e dytë brenda një kohe të shkurtër me armë zjarri dhe maska është shënuar në orët e para të mëngjesit të së hënës. Këtë herë objekt është bërë një supermarket në lagjen numër 4, në bllokun rreth ish-markatos. Vetëm 50 metra larg banesës së familjes Shalari, ku më datën 16 tetor, dy maska të armatosura grabitën 2 milionë lekë, grabitësit kanë vepruar sërish. Ka qenë ora 22:30, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në supermarketin në pronësi të shtetasit Kujtim Llanaj. Njëri prej autorëve mbante në dorë një armë zjarri, pistoletë tip "TT". Pasi kanë goditur me mjete të forta duke plagosur pronarin Llanaj, grabitësit kanë arritur të marrin rreth 120 mijë lekë të xhiros ditore, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në mjediset e supermarketit, ka pasur survejim me kamera sigurie dhe gjithë skena është filmuar. Policia ka siguruar filmimin e kamerave dhe pas këqyrjes së tyre dhe dëshmive të pronarëve po punon për identifikimin e autorëve. Janë ngritur postblloqe në të gjitha pikat kyçe të qytetit. Grupi kriminal dyshohet se është i përbërë nga persona, banues në Sarandë, me precedentë penalë. Në opinion publik në qytet, vjedhjet e kryera prej muajit qershor e që po vazhdojnë ende, po shkaktojnë panik. Ndër rastet e rënda regjistrohet ai i një muaji më parë, kur u sulmua një banesë nga persona të maskuar dhe të armatosur. Ata grabitën 2 milionë lekë dhe dhunuan tre prej femrave të shtëpisë. Brenda muajit tetor u shënuan 20 raste vjedhjesh në biznese e banesa, shumica gjatë orëve të natës nga persona të maskuar. sh.d