Pranga "spiunit" të Dajtit në polici
Trazhgim Sokolaj
Arrestohet "spiuni" i Dritan Dajtit në Policinë e Shtetit. Maringlen Muça, oficer i lartë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, është arrestuar dje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Oficeri i specializuar në hetimin e vjedhjeve të biznesit, kryente detyrën e inspektorit të zonës së plazhit, ku Dritan Dajti kishte marrë me qira banesën ku i fshihej policisë. Arrestimi i oficerit është bërë në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku Maringlen Muça ishte thirrur për të dhënë sqarime mbi telefonatat e tij me Erges Xhoxhin, kunati i të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë, kishte vendosur më parë masën "arrest me burg" ndaj oficerit të lartë të policisë, i cili akuzohet se ka përkrahur Dritan Dajtin gjatë kohës të qëndrimit të tij në arrati. Arrestimi i inspektorit të zonës së plazhit Maringlen Muça është bërë me akuzën "shpërdorim detyre". Ai është marrë në hetim menjëherë pas masakrës së ndodhur rreth orës 13:30, më 7 gusht 2009, kur Dritan Dajti ekzekutoi katër agjentë të policisë në aksionin për arrestimin e tij. Pasi vrau katër policët, Dajti u arrestua ndërsa policia i bllokoi dhjetë telefona celularë. Verifikimi i aparateve telefonike zbuloi pesë numra që i përkisnin punonjësve të policisë, të cilët kishin komunikuar rregullisht me Erges Xhoxhin, kunati i Dritan Dajtit, i arrestuar bashkë me të kërkuarin ditën e masakrës. Njëri prej numrave që kishte komunikuar më shpesh me kunatin e Dajtit ishte pikërisht ai që i përkiste oficerit Maringlen Muça. Për këtë shkak, hetimet u përqendruan më shumë në drejtim të tij derisa mbrëmjen e 24 orëve më parë, Prokuroria dhe SHKB kanë arritur të marrin miratimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për arrestimin e tij. Dy ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur dhe ka marrë në pyetje oficerë të tjerë të policisë së Durrësit, si dhe një oficer të policisë Dibër, një nga Policia e Gjirokastrës dhe një nga Policia e Krujës. Këta punonjës policie, të cilët kanë pasur komunikime me kunatin e Dajtit, kanë thënë se këtë person ua kishte rekomanduar oficeri i Policisë së Durrësit, Maringlen Muça. Pas këtyre dëshmive, është kërkuar mandat arresti dhe oficeri i vjedhjeve në Policinë e Durrësit është thirrur në prokurori ku i janë vënë prangat në zyrat e prokurorëve që po hetojnë çështjen. Oficeri i Durrësit nuk ka pranuar akuzat. Ai ka thënë se kishte njohje personale me Erges Xhoxhin dhe nuk kishte dijeni se ai ishte kunati i të shumëkërkuarit.
Spiuni i Dritan Dajtit
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se oficeri i policisë Maringlen Muça akuzohet se ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me shtetasin Erges Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit. Komunikimet në fjalë janë kryer pasi 39-vjeçari Dritan Dajti ishte në kërkim ndërkombëtar, që kur ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës. Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi, katër oficerë policie kishin komunikuar me kunatin e Dritan Dajtit, ndërsa njëri prej këtyre, punonjësve të policisë, kishte përdorur dy numra telefoni. Ky person, sipas akuzës, është oficeri i policisë së Durrësit Maringlen Muça, i cili mesazhin e fundit e ka dërguar në adresë të kunatit të Dajtit, vetëm pak minuta para se i kërkuari të qëllonte për vdekje katër agjentët e policisë që tentuan arrestimin e tij. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë se oficeri i Durrësit ka shkelur ligjin pasi kishte dijeni për vendstrehimin e Dajtit, si dhe për faktin se ai ishte person në kërkim por nuk kishte vepruar. "Ai nuk ka vënë në dijeni strukturat e policisë", thanë burimet. Sipas tyre, oficeri Maringlen Muça, fajësohet edhe për ndihmën që i ka dhënë Erges Xhoxhit, në prodhimin e një dokumenti të falsifikuar me emrin Agron Zenelaj, që iu gjet Dajtit pas arrestimit. Me një dokument të tillë i kërkuari prezantohej si nënkomisar i policisë së Korçës, duke shmangur pengesat që mund t'i krijonte policia gjatë lëvizjeve të tij brenda vendit.
"Ndihmoi" Dritan Dajtin mbërrin në Gjykatën e Tiranës dosja e të riut
TIRANE - Mbërrin në Gjykatën e Tiranës dosja në ngarkim të Elvis Karolit, të arrestuarit si shok i Dritan Dajtit. Pas shortit elektronik në këtë institucion, dosja që është dorëzuar nga prokuroria në fund të javës së kaluar i është dorëzuar gjykatësit, Martin Deda për ta shqyrtuar atë. Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij akuzën e mbajtjes pa leje të municioneve dhe lëndëve plasëse, ndërsa ai u prangos më 8 gusht të këtij viti, i dyshuar të kishte lidhje me Dritan Dajtin, autorin e masakrës ndaj policëve në Durrës. Sipas prokurorisë, 21-vjeçari Karoli u prangos disa orë pas ngjarjes së Durrësit, pasi ndaj tij organet e hetimit hodhën dyshime se mund të ishte lidhje e Dritan Dajtit. Këto dyshime u përforcuan në momentin që gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shtatë copë fishekë, një detonator eksplozivi luftarak, një aparaturë që dyshohej se shërbente për plasjen e eksplozivëve, si dhe dy palë dylbi. Por hetimet paraprake nuk arritën të vërtetonin asgjë në lidhje me akuzën e bashkëpunimit të të riut me Dritan Dajtin, duke bërë që hetimi ndaj tij të veçohej nga ai i Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhoxhi. Kështu, dosja në ngarkim të Karolit kaloi për kompetencë në prokurorinë e kryeqytetit, ndërsa Gjykata e Tiranës, tre ditë më vonë gjatë seancës së masës së sigurisë pranoi kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës "detyrim paraqitjeje" për të. Hetimet ndaj tij zgjatën tre muaj, duke bërë që dosja të dërgohej në gjykatë për shqyrtim gjyqësore, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim gjykatësi i çështjes të caktojë datën e parë për zhvillimin e seancës së parë. fa.ma.