Berisha: Kutitë s’hapen, nuk shpërblejmë bojkotin
ADI SHKEMBIKryeministri Sali Berisha reagon një ditë pas miratimit të rezolutës në Këshillin e Evropës, duke i bërë thirrje opozitës të pranojë çdo kusht të saj me përjashtim të hapjes së kutive. Në një konferencë për mediat, kreu i Qeverisë garantoi pakicën se futja e saj në Parlament do të shoqërohet me ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor. Megjithatë, sipas kreut të Qeverisë, "asnjë njeri i lirë nuk mund të kërkojë shpërblim për bojkotin, sepse shpërblim për bojkotin do të thotë të legjitimosh doktrinën e revolucionit permanent, gjë e cila është jashtë çdo lloj koncepti. Nuk mund të ketë shpërblim për bojkotin, por respekt të plotë dhe hapësirë të nevojshme për opozitën, në përputhje me rregullat e lojës". I pyetur nëse është i gatshëm të ulet në një tryezë bisedimesh me inicimin e Presidentit Topi, Berisha tha se pranon çdo negociatë të kujtdo që nuk prek vendimin e gjykatave. "Cilido që mund të japë kontributin e tij në këtë drejtim, as nuk është i paragjykuar, as nuk është i keqpritur. Por kam konstatuar se asnjë, qoftë edhe një individ i vetëm, nuk ka pranuar kurrë që të pranojë rinumërimin e votave dhe shqyrtimin politik të vendimit të gjykatave. Kjo është e papranueshme. Në këtë kontekst, nuk është çështje e imja, por në qoftë se Presidenti e gjykon se mund të bindë zotin Rama për t'u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor, që janë respektimi i gjykatave, unë e mirëpres pa asnjë hezitim dhe jo vetëm të Presidentit, por të cilitdo", theksoi më tej kryeministri. Ai u shpreh i vendosur për zbatimin e Kushtetutës pas datës 4 mars, kur përfundon edhe afati brenda të cilit deputetët e opozitës duhet të bëjnë betimin, teksa iu përgjigj negativisht propozimit të Pëllumb Xhufit, që posti i Presidentit dhe Prokurorit të Përgjithshëm t'i jepen opozitës si kusht që ajo të futet në Kuvend. Duke komentuar zërat se PS-ja mund të futet në Parlament vetëm sa për të bërë betimin dhe më pas të vazhdojë bojkotin, kreu i Qeverisë tha se "përsa i përket këtij vendimi, nuk mendoj se mund të marrin një vendim të tillë, pasi do të ishte një absurditet madhor. Se kjo është si të thuash, do të shkoj një natë nuse, por të nesërmen do të kthehem".