E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi negociator, ambasadorët në Presidencë

 Një ditë pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvillon takim me ambasadorin e Spanjës dhe përfaqësuesin e delegacionit të KE-së për të diskutuar mbi situatën politike në vend. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur dje se kreu i shtetit, Bamir Topi priti ambasadorin  Manuel Montobio de Balanse me cilësinë e Presidencën së radhës së BE-së dhe përfaqësuesin e Delegacionit të KE në Tiranë, Luixhi Bruza. Sipas njoftimit për shtyp, dy diplomatët e lartë i shprehën kreut të shtetit shqiptar qëndrimin e BE-së mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe komentuan rekomandimet e rezolutës së miratuar dje nga Asambleja Parlamentare e KiE mbi Shqipërinë. Topi, sipas Presidencës, në këtë takim vlerësoi angazhimin serioz të Asamblesë së KiE dhe "lexoi me vëmendje rezolutën e miratuar dje nga kjo Asamble mbi situatën politike në Shqipëri duke shprehur në të njëjtën kohë keqardhjen që një debat i tillë mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri të zhvillohet në Strasburg, në një kohë që Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste të anëtarësuara në këtë institucion përfaqësues evropian". Kreu i shtetit ka theksuar në këtë takim se "po ndjek me vëmendje situatën mbas zgjedhore në Shqipëri, mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar". Kreu i shtetit ka theksuar "arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në BE, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të gjitha institucioneve për të vazhduar reformat e rëndësishme dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë". Asamblesë e KiE kërkon që kreu i shtetit shqiptar, Topi të luajë rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës politike. Ndërsa pardje, kreu i KE-së, Lohan dhe ambasadori spanjoll kanë pasur një takim me kryeministrin Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›