E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gati të ulem në tryezën e Topit

 Aristir Lumezi"I gatshëm të ulem në një tryezë dialogu, nëse e thërret presidenti Topi". Kryetari socialist Edi Rama tha dje se është dakord për një tryezë politike, nëse e thërret Presidenti Topi për të shmangur krizën politike në vend. Por, nënvizon se nuk ka asnjë dialog pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve. "Unë jam gati për dialog në tryezën e Presidentit të Republikës dhe do të jem aty personalisht, në rast se Presidenti do të angazhohet të ulë palët në tavolinë. Sali Berishës i bëj apel të bëjë të njëjtën gjë, pa u vonuar dhe pa u fshehur pas lojërave të fjalëve", u shpreh Rama në përgjigje të deklaratës që kreu i maxhorancës bëri pak orë më parë. Kryesocialisti gjatë një komunikimi me gazetarët, përsëriti pozicionin e opozitës për hetim të zgjedhjeve. "Dua të theksoj, që Partia Socialiste nuk bën asnjë hap mbrapa dhe nuk fillon asnjë lloj dialogu me qeverinë në sallën e Kuvendit, pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve dhe për rivendosjen e të gjitha garancive demokratike në këtë vend", u shpreh Rama. Për BlushinKreu socialist i cilësoi deputetët socialistë që mendojnë ndryshe në PS si të sponsorizuar nga Sali Berisha. "Publikisht i them Sali Berishës të mos investojë më për baltë mediatike dhe për blerje deputetësh opozitarë. Nuk e shpëtojnë dot nga ballafaqimi me popullin opozitar as manovrat me delegacione të sponsorizuara opozitarësh që nuk janë në opozitë me të por me Partinë Socialiste, as angazhimi i Fatosit dhe Ilirit bashkë, për t'i çuar në prehër deputetë të Partisë Socialiste, as kërcënimet groteske me dara e me pinca për dhëmbët e aleancës punisto-mafioze. Sali Berisha duhet ta dijë mirë se opozita nuk është numra, por është kauzë", u shpreh Rama. Rezoluta e KiEKryesocialisti u ndal në pikat e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Rama duke ndarë të njëjtin qëndrim me rezolutën e miratuar dje nga Asambleja Parlamentare e KE-së në Strazburg, pranon se bojkoti i opozitës nuk është diçka e mirë për krizën në të cilën ndodhet vendi. Nga selia rozë ai akuzon kundërshtarin politik, Sali Berisha si përgjegjës, dhe si i vetmi njeri që ka në dorë fundin e këtij bojkoti. "Shqipëria është në krizë dhe sot nuk e themi vetëm ne, por dhe ndërkombëtarët nëpërmjet zërit të KE. Kriza politike është e thellë dhe po thellohet përditë. Dhe po paralizon jetën e vendit. është një krizë e shtrirë në shtetin shqiptar, në ekonomi, në demokracinë e vendit tonë. Bojkoti nuk është diçka e mirë, këtë e dimë edhe ne. është një ilaç i hidhur, i vetmi që na ka mbetur për të mos lënë që gangrena e zgjedhjeve të na dëmtojë. Bojkotin tonë e ka vendosur Berisha dhe ai mund t'i japë fund",- deklaroi lideri socialist. Për kreun socialist hapja e kutive të votimit të 28 qershorit, është jetësore për opozitën, prandaj ai shprehet se në të kundërt opozita do të qëndrojë në protesta. "Ne sot e gjithë ditën kemi vetëm një rrugë, nuk kemi dy; o të garantojmë lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në këtë vend, duke garantuar që çka ndodhi të mos përsëritet më kurrë, ose të largojmë qeverinë përmes protestave demokratike, si në çdo vend ku bie garancia e votës së lirë. Por të jemi të qartë, ne nuk duam të marrim pushtetin përmes rrugës, duam t'i mbyllim përfundimisht rrugë marrjes së pushtetit përmes deformimit të votës", u shpreh Rama. Duke këmbëngulur te kërkesa e opozitës për hapjen e kutive, kreu socialist tha se ajo nuk bie ndesh me vendimet e gjykatave. "Nuk kemi qëllim të përmbysim gjykatat. Gjykata nuk ka marrë vendim që parlamenti nuk lejohet të hetojë çfarë ka në kutitë e votimit. Hapja e kutive është e drejtë e patjetërsueshme dhe kjo është e drejtë e çdo qytetari për t'u informuar lidhur me dokumentet që gjenden në kutinë e votimit dhe për fatin e votës së tij. Ato janë dokumente, Nuk janë as sekrete shtetërore dhe as dokumente në hetim", tha Rama.Bllokohen investimet e KQZQeveria i ngrin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fondet e buxhetit të vitit 2010 për zërin e investimeve. Rreth 3 milionë lekë të parashikuara për fondin e investimeve janë bllokuar nga ana e qeverisë deri në një moment të dytë. Fondi i investimeve sipas drejtoreshës së Financave, Mirela Gega është bllokuar për sa kohë nuk do të jepet një shkresë e dytë nga Agjencia Kombëtare e Shpenzimeve. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi u shpreh se është e kotë që ne të miratojmë një buxhet të tillë në një kohë që qeveria na e ka ngrirë një fond të tillë. "Nuk e kuptojmë se hajde bëjmë një buxhet e mbajmë në letër ç'kuptim ka kur s'ka fonde?. Qeveria pezullon planifikimin e institucioneve të pavarura nuk arrij ta kuptoj një gjë të tillë. Kur do shkrihen këto fonde? Më mirë thoni se s'kemi investime për vitin 2010", u shpreh Subashi. Kryekomisioneri Arben Ristani ka theksuar se "fondi i ngrirë na ka ardhur që kur është livruar buxheti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›