Opozita në kërkim të legjitimitetit
Edi Lesi Kursi i fortë politik i misionarit në krye të PS-së, Edi Rama, solli shumë për politikën shqiptare. Rekorde të reja u shënuan në drejtim të konfliktit, destabilizimit, manifestimit në rrugë, bojkotit, etj. Mirëpo, ajo që po ndodh për herë të parë në historinë tonë të pluralizmit, është se, si kurrë ndonjëherë po shtrohet pyetja, a është opozita legjitime apo jo? Cila opozitë ka të drejtë, ajo e Ramës, apo e Blushit? Andaj, të gjithë janë me sy e veshë në Rinas, nga ku do të vijë haberi. Opozitarët e ndarë pritet të kthehen në atdhe me përgjigjen që zgjidh këtë dilemë. Në avionin e parë që prek pistën e aeroportit ndoshta gjendet edhe zgjidhja e rebusit politik të socialistëve dhe krejt vendit. Zakonisht është legjitimiteti i qeverive që vihet në pikëpyetje. Maxhorancat jo rrallë janë të ligjshme, pra nga ana ligjore qëndrojnë, siç ndodhi me shumicën e sotme e cila mori vulën juridike nga të gjitha institucionet që certifikojnë një proces zgjedhor, por mund të kenë probleme me legjitimitetin që ka të bëjë me, sa e pranueshme është ajo te qytetarët dhe sa e ndjejnë ata se duhet t'i binden këtij autoriteti. Në këtë sens, Rama nisi herët të tregojë se Qeveria e pas 28 qershorit nuk është legjitime. Se ai filli i hollë i perceptimit, që e mban një pushtet të lidhur me qytetarët, është i këputur. Fushata në rrethe dhe arritja e pikës së zenitit me protestën tri ditore në sheshin qendror të Tiranës, duket se justifikoi deri diku qëndrimin radikal të PS-së. Pra dha shenja të delegjitimitetit të establishmentit në fuqi. Në këtë e sipër, maxhoranca tregoi muskujt në të njëjtin mejdan, duke mbledhur më shumë njerëz në mbështetje të saj. U përdorën afërmendsh mjete dhe instrumente që ishin vajisur më parë nga vetë opozita me bashkitë dhe pushtetin që ajo gëzon. Sigurisht makineria e ekzekutivit tregoi që ka më shumë fuqi motorike dhe rezultati ishte i qartë. Legjitimiteti i cenuar nga protestat e opozitës u arnua sa hap e mbyll sytë nga një shumicë dërrmuese që brohoriti për qeverinë. Pas kësaj, formacioni që udhëheq Rama nuk u shfaq i shkurajuar. Përkundrazi. Ngriti çadrat para Kryeministrisë, dhe po kërkon t'i vendosë ato diku tjetër. Si nomadët në shkretëtirë që janë vazhdimisht në kërkim të një oazi, opozita rend të gjejë pika të tjera nga ku mund të shthurë pëlhurën e maxhorancës. Tani thirren në nevojë Këshilli i Evropës, SHBA ku Rama gjendet së fundmi për vizitë, e kështu me radhë. Kthimi në Kuvend nuk duket të jetë pjesë e axhendës. Dikush thotë se opozitarizmi bëhet kudo, nuk ka nevojë për zyrë, në kuptimin e adresës. Megjithatë, të gjithë e dinë se Parlamenti është vendi ku opozitarizmi maksimizohet dhe ku një qeveri nëse nuk është legjitime merr goditjet më të forta.Lëvizjet e fundit për fat të keq kanë filluar të duken si të dëshpëruara, si përpëlitjet e fundit përpara dhënies fund të bojkotit. Një problem pothuaj teknik të dërgatës sonë në Këshillin e Evropës, opozita kërkon ta përkthejë sikur ka kontinentin e vjetër në anën e saj. Harrohet një gjë, se Strasburgu thërret delegacionin shqiptar, për shkak se ai formacion gjendet në Parlamentin e vendit anëtar. KiE nuk fton sekretarët e partive atje. Pret dhe kërkon praninë në Asamblenë Parlamentare, të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, së një vendi. Pra, burimi i kanalit të komunikimit Tiranë-Strasburg, qëndron te mandati i marrë nga populli dhe te mandati që ushtrohet. Kemi një opozitë që nuk e njeh këtë burim, porse nga ana tjetër sillet sikur KiE të jetë domeni i saj. Sjellje në kufijtë e qesharakes. Në të njëjtën kohë, në një qendër tjetër të rëndësishme të botës për vendin tonë, në mos më relevantja, pra Bashkimi Evropian, kemi grupimin anti-Rama brenda PS-së, që gjendet edhe ai në kërkim të legjitimitetit për kthimin në Kuvend dhe mbarimin e bojkotit. Jo rastësisht, më shumë lajm ngjan se Ben Blushi është në Bruksel, sesa Rama në Uashington.E gjitha kjo ka bërë që të largohet vëmendja nga pyetja e fillimit, nga ku nisi kursi i fortë i Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit. A është apo jo legjitime maxhoranca e sotme? Në fakt pyetja ka bërë rrikoshet, duke u kthyer mbrapsht në dyert e selisë rozë. A është legjitime sjellja e saj dhe cila PS ka të drejtë, ajo që do të hyjë në Kuvend, apo ajo që nuk do të hyjë, ose më saktë që do të hyjë më vonë…