E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Leka Zogu i Pare mbeshtetes i lirise se shqiptareve

Kryeministri, Sali Berisha deklaroi të enjten në mbrëmje, se "Leka Zogu i Parë përfaqëson një jetë të tërë atdhedashurie të pakufishme dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm, në mbrojtje të lirisë së shqiptarëve, por dhe mbështetje të madhe për shqiptarët në Kosovë".
"Shpreh nderimin tim më të thellë për Leka Zogun e Parë", tha kryeministri Berisha, pas homazheve që zhvilloi në rezidencën mbretërore në Tiranë, në nderim të Leka Zogut të Parë.

"Mbreti u largua nga Shqipëria, por vazhdoi me vendosmëri të madhe luftën për çlirimin e Shqipërisë. Përpjekjet e legalistëve, qëndresa e tyre që orët e para të pushtimit deri në ditën e fundit të çlirimit të vendit janë një faqe e ndritur atdhetarie, heroizmi dhe qëndrese", theksoi kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë, nënvizoi se pas luftës, ndryshe nga vendet e tjera që dolën nga pushtimi barbar nazifashist, të cilat i rikthyen kurorat mbretërore, ose shpallën referendumet në mënyrë që popujt të shpreheshin, kjo nuk ndodhi në Shqipëri.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se në mënyrën më arbitrare një Kongres ndaloi monarkun e shqiptarëve të kthehej në vendin e vet, gjë e cila zgjati siç dihet, gjatë gjithë jetës së tij dhe mbreti vdiq në Paris.

Duke i'u referuar referendumit të zhvilluar në Shqipëri për kthimin e monarkisë, Berisha tha se, shqiptarët janë dëshmitarë që ata shprehën masivisht qëndrimin e tyre në respekt të mbretit Leka dhe në favor të tij, por siç dihet ai referendum u mbajt në kushtet e një rebelimi të egër komunist dhe e vërteta është se nuk mund të thotë askush që rezultati është ai që u shpall. "Kjo çështje nuk është e mbyllur", deklaroi Kryeministri Berisha më tej në fjalën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›