E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Shqiptare dhe Italiane bashkepunim te suksesshem

Operacioni më i fundit policor ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane, zhvilluar me datë 24 nëntor 2011, gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ardian Nurcellari (Ostrovica), 45 vjeç, i kërkuar në shtetin italian për vrasje të trefishtë dhe largim nga burgu, është pasqyruar gjerësisht dhe në shtypin italian, duke e cilësuar si një bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet policive të të dy vendeve.

“Personeli i Shërbimit për bashkëpunimin ndërkombëtar të Policisë - Interpol Roma, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare kanë arrestuar në Tiranë 45 vjeçarin, i arratisur nga burgu i Ternit më 15 gusht 2010. Ky shtetas ishte përgjegjës për vdekjen e tre vajzave të reja, të cilat humbën jetën në një përplasje ballore me një mjet Jeep drejtuar prej tij.” – theksuan mediat Italiane.

Falë këtij bashkëpunimi u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi në Kamëz, Tiranë dhe tashmë ai ndodhet i burgosur në pritje të ekstradimit në Itali.

Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane ka bërë të mundur realizimin gjithnjë e më me sukses të këtyre lloj operacioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›