E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lepuri juaj fle tek Anastas Angjeli. Ruci: Ju djeg se DASH ftoi Ramën

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë seancës parlamentare se PS po tenton që luftën e brendshme brenda kësaj partie ta sjellë dhe në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci iu kundërpërgjigj duke theksuar se pas deklaratave të kryeministrit fshihet xhelozia që ka për Ramën që udhëtoi në SHBA.

Kryeministri Berisha deklaroi në seancën plenare gjate diskutimit per privatizimin e Albpetrol se socialistët po sjellin në Kuvend, luftën e brendshme. Pak pas fjalës së deputetit Erion Brace, Berisha tha se PS po sulmon ish-Ministrin e Financave Anastas Angjeli me deklaratat që bën sot. Sipas Berishes, diskutimi i PS eshte pa lidhje mbi temen qe po diskutohet.

“Rezulton se gjithë kjo betejë është betejë midis tyre nuk ka të bëjë fare me këtë ligj që kemi bërë ne. Dhe ku fle lepuri? Lepuri fle tek Anastas Angjeli për shkak të udhëtimit të tij të fundit me kryetarin se po i bën axhdendën. Se tani e pranoni se këtë marrëveshje e keni dhënë ju, se puset i keni dhënë ju, tani i pranoni të gjitha dhe kërkoni ta varni në litar Anastasin. Pse se bëtë më parpara këtë ju, apo tani që e mori me vete kryetari në udhëtim. Pse e përdornni sallën për luftra të brendshme, luftën e brendshme mos e sillni në parlament. Po silleni sikur Angjeli ka bërë krim e doni ta piqni në hell. Por, unë ju them: Mos sillni në kuvend luftën e brendshme, mbajeni atë në parti, keni asamblenë tuaj atje bëjini”, tha kryeministri.

Por, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci iu kundërpërgjigj duke theksuar se pas deklaratave të kryeministrit fshihet xhelozia që ka për Ramën që udhëtoi në SHBA.
“Beteja është midis jush. Për të njëjtin problem e merr fjalën Ministri i Ekonomisë, pas tij ngrihet Ministri i Financave që i thotë, ik pirdhu ti se nuk merr vesh, e di se unë jam unë kompetent...Ngrihet Berisha dhe thotë se Berisha është midis nesh, por beteja është midis jush. Se dalin tre veta për një cështje duke mohuar njëri-tjetrin nuk mund t’a përcillni tek opozita.
Axhendën ja ka bërë DASH dhe e di se ju ka djegur shumë se keni 7 vjet në pushtet dhe nuk keni asnjë ftesë nga Departamenti Amerikan i Shtetit”, theksoi Ruci sot në seancën parlamentare teksa diskutohet mbi privatizimin e ‘Albpetrol’.

(d.bonollari/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Kuvend, pr/ligji për Albpetrolin, debati Berisha-Ruci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›