E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Eja të duhemi", mbrëmje poetike në Teatrin e Metropolit

TIRANË- Në vazhdim të traditës së mbrëmjeve poetike, Teatri i Metropolit sjell sot një mbrëmje ndryshe "Eja të duhemi", me në qëndër gruan.

Mbrëmja do t’i kushtohet vargjeve të poeteshës Vojsava Nelo. Gjithçka ndërtohet në një oborr mbretëror, në fron qëndron mbretëresha dhe rreth saj vajzat e oborrit, secila prej tyre është në kërkim të paqes.

Gjatë kësaj mbrëmje do të përcillen mesazhe ndërgjegjësuese, sensibilizuese e humane, duke vënë në qendër respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave. Regjisorja Arjeta Dhima, gjatë konferencës së sotme për shtyp, tha se kësaj here është menduar që në skenë të luhet me simbolin, kurorat e dafinës dhe degët e ullirit, të cilat do të jenë të pranishme në skenë. "Dominon fuqishëm sinqeriteti dhe pastërtia në mënyrën e të shprehurit, madhështia dhe thjeshtësia, të gjitha këto të shoqëruara me përlotje. Poetja jonë shkruan ëmbëlsisht eja të duhemi, duke i thënë shumë qartë mesazhet e saj mbi dashurinë, të bukurën", tha regjisorja.

Poezitë do të interpretohen nga aktorët Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Fatos Sela, Rozi Kostani, Anila Bisha, Kastriot Rramollari. Muzika e kostumografia i janë përshtatur simbolikës së performancës poetike. Kostumet e punuara nga Enisa Arapi do të jenë në tonalitetin e ngjyrave të bardha dhe të florinjta. Muzika është bazuar vargjeve që shprehin aktorët, e cila do të jetë live, shoqërim në violinçel nga Iljard Shaba.

Mbrëmja poetike “Eja të duhemi” është një bashkëpunim i Qendrës Kulturore "Tirana" (Teatri i Metropolit) me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në kuadër të sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit publik kundër dhunës ndaj gruas.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›