E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja "Gërdeci", prokuroria ankimim në gjykatën e Apelit

TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për çështjen "Gerdeci".

Burime nga prokuroria e Tiranës bënë të ditur se prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar rrëzimin e tij si dhe vendosjen e masave për të pandehurit që kishte kërkuar në pretencën e saj.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dha vendimin për çështjen "Gerdeci", me 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

Gjykata e Tiranes vendosi 94 viteve burg në total për të akuzuarit, ndërsa shpalli të pafajshëm dhjetë të pandehur si dhe rrëzoi akuzën për vrasje për cdo një prej tyre. Në pretencën e saj, Prokuroria kishte kërkuar masa më të ashpra dënimi për të pandehurit, ndër to tre burgime të përjetëshme.

Të pandehurit e procesit akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars te vitit 2008, në fshatin Gërdec, afro 18 kilometra larg Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ish- fabriken e demontimit të armëve dhe municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumica punëtorë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
Nga shperthimi i fuqishem, i shkaktuar nga eksplodimi i sasive të mëdha të barutit, pati dëme të shumta materiale në zonën përreth, sidomos në banesat e banorëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›