E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Lëshimet që i bëra Ramës në tryezën e Presidentit”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka zgjedhur dje, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, që të zbardhë negociatat e bëra mes tij dhe kryesocialistit Rama në tryezën e presidentit Topi, si dhe në tryezën e përbashkët me Delegacionin e KiE-së. Kreu i qeverisë ka shpjeguar se ky shpjegim i tij vjen si pasojë e akuzave të eksponentëve të PS-së sipas të cilave Berisha nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje me ta. Kreu i qeverisë, në një fjalim të detajuar, ka bërë të ditur se ai ka pranuar dy propozime të bëra nga ndërkombëtarët. Sipas tij, ai ka pranuar që Rama të depozitojë në Prokurorinë e Përgjithshme të gjitha provat që disponon dhe të hetohet procesi zgjedhor, pavarësisht se janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore për të bërë një hetim të tillë. Gjithashtu Berisha ka bërë të ditur se ka pranuar edhe propozimin që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të bërë një sqarim ligjor të kërkesës për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Berisha gjithashtu ka shtuar se të dyja këto lëshime të tij janë refuzuar nga kryetari socialist Rama.
Lëshimet
“Për dy arsye unë do të bëj disa sqarime. Arsyeja e parë është se këto janë akuza të pabaza dhe arsyeja e dytë është se në konceptin tim, qytetarët duhet të dinë se çfarë diskutohet pas dyerve të mbyllura. Dyert e mbyllura janë të nevojshme për bisedime, por edhe transparenca ka domosdoshmërinë e saj meqenëse diskutohej për probleme me interes të madh publik, dhe jo për probleme personale”, - ka bërë të ditur Berisha. Ai ka shtuar se në takimet me Presidentin e Republikës ka shkuar për të kontribuar në suksesin e tryezës. “Si Komitetit Presidencial, ashtu edhe ndërmjetësit e mëparshëm të një profili të lartë, u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e Ekzekutivit. Dhe Prokuroria e shtetit ka të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat, të cilat ajo mendon se i duhen për të kompletuar hetimin. Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht, kjo nuk u pranua nga zoti Rama. Ndaj dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje, nuk ishte për shkakun tim”, - ka bërë të ditur Berisha lëshimin e parë që ai ka bërë për socialistët. Më pas ai ka sqaruar se Rama ka refuzuar edhe që çështja t’i kalojë Komisionit të Venecias. “Atëherë u sugjerua dhe u shpreha i gatshëm që Gjykata, në vullnetin e saj të pavarur, sepse nuk mund t’i imponohet absolutisht, t’i kërkoja një ‘amicus curiae’ Komisionit të Venecias. Por, përderisa ekziston një vendim gjykate, nuk mundet qeveria, në asnjë lloj rrethane, që të nisë betejën me Gjykatën e vet Kushtetuese. Qeveria është e detyruar që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk u pranua, prandaj dhe po bëj një sqarim për të gjithë shqiptarët, një sqarim për socialistët, se në rast se ata hyjnë në Parlament pa marrëveshje, jo se unë nuk dëshmova një vullnet të plotë për marrëveshjen. Ndaj edhe u detyrova që të bëja këtë sqarim, si rrjedhim i akuzave të pabazuara, se ne u futëm në Parlament pa marrëveshje, se Berisha nuk ofroi”, - është shprehur kryeministri.
Debati me Ramën
Berisha gjithashtu ka zgjedhur të zbardhë edhe debatin që ka pasur me Ramën përsa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e komisioneve parlamentare hetimore. “Zoti Rama e quan të mirëfilltë dhe të pakundërshtueshëm interpretimin që ai i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e lexon vendimin në një mënyrë të atillë që i jep 100 për qind të drejtë të hetojë, pa asnjë kufizim. Mu drejtua, ç’është e vërteta, jo pak, por dy-tri herë. ‘Më gjej ti ku vendimi citon gjykatën’. U detyrova të marr vendimin, t’i lexoj paragrafin ku thotë se: ‘Pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave’. Gjykatat nuk janë për këngë, gjykatat janë për të dhënë vendime, gjykatat këtë aktivitet kanë. Pasi ia lexova, pati një ndërhyrje për mendimin tim logjike nga ana Presidentit të Republikës, i cili i rikujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i kujtoi se Gjykata Kushtetuese është garanti i Kushtetutës në Shqipëri”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit. Në përfundim ai shprehu dëshirën që opozita të ndjekë punimet e Kuvendit në mënyrë aktive, ndërsa garantoi se do të shqyrtohen të dy projektligjet e PS-së, por në përputhje me Kushtetutën, duke qenë i prerë në fjalën e tij se nuk mund të ketë marrëveshje për të hapur kutitë.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›