E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: “Ndryshimet e propozuara për ligjin e SHISH-it, antikushtetuese”



Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë me argumente se propozimet për ligjin e Shërbimit Informativ të Shtetit janë antikushtetuese dhe antidemokratike. Deputeti Ilir Gjoni bëri të ditur dje se ndryshimet e propozuara prekin katër nene thelbësore të ligjit aktual, dhe konkretisht: detyrat e SHISH-it, ato të drejtorit të tij, statusin e drejtuesve, si dhe bashkëpunimin e këtij shërbimi me ato partnere. Projektligji për SHISH-in është miratuar në mënyrë të fshehtë pa votat e opozitës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ndryshimet e bëra në këtë ligj nga ana e qeverisë, deputeti Gjoni i ka konsideruar një përpjekje të radhës të kryeministrit Berisha për të uzurpuar, për interesa politike dhe personale, këtë shërbim.

Ndryshimet
Deputeti Gjoni, propozimin për vendosjen e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe njëherë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, e ka konsideruar si dëshirën e kryeministrit Sali Berisha. Sipas Gjonit, Berisha synon që të vendosë në krye të SHISH-it persona më të besuar, për të realizuar synimet e tij personale, politike. Ndërkaq, Gjoni amendamentin e nenit 3, ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, e ka cilësuar të gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë. Ai sqaron se sipas Kushtetutës dhe ligjit organik të SHISH-it, ai është organ informativ që mbledh informacion për çështje që lidhen me sigurinë. “Mbrojtja e Sigurisë Kombëtare është një nocion shumë më i gjerë që realizohet edhe nga institucione të tjera. Ligji aktual nuk e pengon këtë shërbim që të jetë pjesë e mbrojtjes së Sigurisë Kombëtare”, - u shpreh deputeti Gjoni. Sipas tij, amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj veprimtarie kriminale. Një propozim tjetër ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda, sipas Gjonit është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative. Ai tha se ky propozim synon ta vendosë SHISH-in në vartësinë e Policisë. Gjoni sqaron se këto dy shërbime kanë objekt pune të ndryshme dhe të pavarura nga njëri-tjetri.
Nga ana tjetër, Gjoni shprehet se termi “të mbështesë veprimtarinë e forcave policore” është tepër i gjerë dhe lë vend për interpretim. Sipas tij, po kaq absurde është edhe shtesa në paragrafin “d”, ku SHISH ngarkohet të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera. Gjoni sqaron se ky propozim e komprometon rëndë pozitën e Kryeministrit, pasi ai kërkon të mare kompetencat e Drejtorit të SHISH.
Reagimet
Projektligji për SHISH-in ka hasur jo vetëm në kundërshtime brenda vendit, por edhe nga ndërkombëtarë. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Ky draft është marrë në shqyrtim edhe nga Misioni Europian për Asistencën Ligjore, EURALIUS. Ndërkaq, ekspertët e huaj që kanë monitoruar reformën ligjore kanë ngritur shqetësimin se ky institucion i sigurisë kombëtare rrezik të bjerë në varësi politike. Gjithashtu, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ekspertët e misioneve të huaja janë shprehur kritikë në disa pika të draftit që kanë të bëjnë me misionin e SHISH-it, mandatin dhe raportet e tij me politikën dhe institucionet e tjera.

Propozimet antikushtetuese sipas PS-së

Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe njëherë, të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, është antikushtetues.

Amendamenti i nenit 3, ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë.

Amendamenti tjetër i nenit 3, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj veprimtarie kriminale.

Propozimi tjetër i këtij neni, ku thuhet se SHISH ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative.

Është e panevojshme edhe shtesa në paragrafin “d”, ku SHISH ngarkohet të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.

Amendamenti ku SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm, lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin “Për informacionin e klasifikuar”.

I paargumentuar dhe i pavend është edhe amendamenti i bërë në nenin 5, paragrafi “a”, ku drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›