Berisha: Libri i Ramës, në prag pensioni politik
Kryeministri Berisha ka ironizuar sërish librin e kreut të PS-së Edi Rama duke theksuar se ky libër botohet në prag të daljes së tij në pension. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha e ka cilësuar atë si një libër kujtimesh të shkruar nga kreu i PS-së në prag të daljes së tij në pension politik.
"Politikanët e vetmja që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtimet përpara se të dalin në pension, dhe kjo po ndodh është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit “kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashki” është i kësaj gjinie, i kujtimeve në prang të pensionit politik” ka theksuar Berisha.
“Shqipëria nuk mund të jetë Shqipëria e kujtimeve. Shqipëria e të ardhmes është ajo dixhitale” ka shtuar më tej Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha shtoi se buxheti i vitit 2012 dot të përqëndrohet tek realizimi i objektivave kryesore të politikës së qeverisë dhe të mbajtjes së premtimeve kryesore të mazhorancës.
"Edhe ky buxhet që është më i madhi në historinë e vendit do të ketë destinacione më kryesore. Së pari rrogat dhe pensionet. Pavarësisht nga një krizë e egër borxhesh që ka pllakosur Evropën dhe botën dinamizmi i ekonomisë sonë na bën të mundur të qëndrojnë sërish në premtimin tonë, në objektivin tonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Kjo përbën një lehtësi të madhe për ne, përbën një avantazh shumë të madh pasi investimi në burime njerëzore është dhe mbetet investimi i të gjitha investimeve”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, viti i ardhshëm do të shënojë rritjen sërish në mënyrë të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve për mbi 820 mijë familje shqiptare.
Ai ka theksuar se buxheti do mbështesë fuqishëm të gjitha projektet për një Shqipëri dixhitale ndërsa u ka kërkuar ministrave ta vendosin atë si projektin më të rëndësishëm.
“Projektet e dixhitalizimit janë jetike për tranparencën, për shërbimet ndaj qytetarit. Viti i ardhshëm duhet të shënojë reformën e sistemit të shëndetësisë, pronës dhe në sistemin e shërbimeve publike, tatimeve etj. Ndaj është e domosdoshme që ju të rishqyrtoni përparësitë duke shpallur përparësi të parë Shqipërinë dixhitale” iu është drejtuar Berisha ministrave.
Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri propozoi edhe emrat e kandidatëve për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Duke vlerësuar për punën e deritanishme të guvernatorin aktual Ardian Fullani, i cili është në fund të mandatit të tij, shefi i qeverisë propozoi emrat: Elisabeta Gjoni, aktualisht Drejtore e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Petraq Milon, këshilltar i kryeministrit si dy kandidatura për këtë post.