“Viti 2011, i suksesshëm në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike”
Vazhdon punimet konferenca, “Karta e Adriatikut”. Ministri Bujar Nishani, prezanton rezultatet
“Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare, kanë shënuar suksese të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve”, deklaroi dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë konferencës “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga parlamenti i Shqipërisë, në Tiranë.
Në përballjen me luftën kundër trafikut të drogës, Nishani tha se “gjatë periudhës 1993-2000, kultivimi i kanabisit ishte problematik gati në të gjithë territorin e vendit. Por masat parandaluese dhe shtrënguese të marra nga Qeveria Shqiptare vitet e fundit, kanë sjell minimizimin e fenomenit në pjesën më të madhe të territorit të vendit tone”.
Si rezultat i këtyre masave, vijoi më tej ai, kultivimi i lëndëve narkotike, ka pësuar një rënie të theksuar në vitet e fundit. Gjatë 2009, është konstatuar një ulje prej 14 për qind, e bimëve narkotike të kultivuar krahasuar kjo me vitin 2008, si dhe një ulje 29 për qind me 2007. Viti 2010 ka shënuar një rekord për të gjithë periudhën analizuese, 36.5 për qind e rasteve dhe 70.3 për qind më pak bimë të kultivuara në 2009. Gjithsej në 2010 janë konstatuar 178 raste të kultivimit, me 37216 bimë që janë asgjësuar. Nga ana tjetër, rreth 18.5 për qind e rasteve të zbuluar për vitin 2009, ndërsa në 2010, kjo shifër shkon 44.4 për qind të rasteve të kultivimit.
Lidhur me luftën kundër trafikimit të drogës, ministri i Brendshëm, bëri të ditur se, “gjatë tre viteve të fundit, janë kryer 31 operacione anti drogë të përbashkëta, me autoritetet e vendeve të tjera, ku vetëm në Shqipëri u arrestuan 50 persona. Ndërsa po të përmbledhim të dhënat, rezulton që nga 2005-2009, janë kryer 53 operacione ndërkombëtare të përbashkëta me 100 të arrestuar, ndërsa vetëm gjatë 2010, janë kryer 34 operacione me 62 të arrestuar”.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në fund të fjalimit të tij, vlerësoi si tepër të rëndësishëm lëvizjen e lirë drejtë Bashkimit Europia, të vendeve të “Kartës Adriatikut A5”, si dhe lëvizjen e lirë brenda vendeve të kësaj aleance, për këtë Shqipëria ka arritur një marrëveshje të tillë me Kosovën.
“Jemi në negociata për të arritur këtë edhe me Malin e zi dhe Maqedoni, për të cilat shpresoj që së shpejti ti nënshkruajmë ato”, përfundoi ministri Nishani.