Berisha: Lipotimia më erdhi nga hiperenergjia, gjaku im s’njeh moshë
Kryeministri Sali Berisha flet për gjendjen e tij shëndetësore në mbledhjen e qeverisë
TIRANË Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e qeverisë në një gjendje të përmirësuar shëndetësore. “Ndjehem shumë mirë”,- e filloi fjalën kryeministri Berisha, pamja e të cilit ndryshonte nga tri ditë më parë në ceremoninë e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. “Ajo që pësova në datën 12 dhjetor ishte një episod, sipas mjekëve, por edhe sipas anamnezës sime, pasi edhe ajo ka vlerën e vet, ishte një episod lipotimie i lidhur me një virozë”, - tha Berisha, duke argumentuar se një situatë të tillë ai e kishte përjetuar edhe dy herë më parë. “Ky ishte i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin ’88 dhe në realitet ishte më i forti, gjë që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që gjithçka dolën intact. Pra, ishte në kuadrin e një virozë. Viruse që mesa duket kanë potenciale të ndikojnë ose të krijojnë episod të tillë, por e vërteta është se si virozë ajo nuk ishte e fuqishme. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ajo ishte në kuadrin e një viroze më të fuqishme. Dhe rasti i tretë, që ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, ishte edhe ky në sfondin e një viroze”, - tha ai ndërsa u përpoq që t’i jepte shpjegim kësaj situate. “Shpjegimi për këtë është hiperenergjia. Në tërësi, këto japin temperaturë të lartë, kurse një organizëm që reagon fuqishëm ndaj tyre, reagon me energji të mëdha e krijohen mesa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhur në zvogëlim në fuqitë e tyre. Pra, ndjehem shumë mirë. Nga një check up që u bë, rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet as edhe një pllakë e vetme ateromatoze, ateroskleroketike. Kjo do të thotë, sistem që nuk ka moshë. Kisha bërë një kontroll me të gjitha para dy vitesh, madje desha edhe ta botoj, por e lashë. E bëra përsëri tani dhe u kërkua nëse kishte ndonjë pllakë të vogël kund, por ato ishin të lëmuara, pothuajse siç kanë lindur, natyrisht, jo si të asaj moshe”, - tha Kryeministri. Gjatë kësaj periudhe kreu i ekzekutivit njoftoi se kishte marrë mesazhe urimi nga qytetarë të ndryshëm. “Dua të falenderoj me shumë mirënjohje ata mijëra qytetarë, të cilët më kanë shprehur urimet e tyre dhe t’i siguroj se ato urime kanë pasur tek unë një forcë të vërtetë shëruese, sepse episodet nuk janë vetëm fizike, për shembull, por edhe psikologjike. Kështu që ato ishin për mua ilaçi më i shkëlqyer. Të falenderoj mjekët, të cilët e trajtuan dhe shqyrtuan me shumë përkushtim dhe kompetencë të madhe këtë episod. Ishte edhe një rast për t’u bashkuar me miqtë e mi të vjetër dhe për t’u kthyer në memorien e disa kohërave të punës së përbashkët”, - tha ai. Pak ditë më parë, kryeministri Berisha kaloi një gjendje debolese teksa po mbante fjalimin me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Për këtë situatë të pazakonte, Kryeministria njoftoi se pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. “Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”, - thuhej në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.