Berisha: Lufta kundër korrupsionit, mënyra më e mirë për të luftuar varfërinë
Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën “Zhvillimi dhe bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”
"Lufta kundër korrupsionit është mënyra më eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen" deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë punimeve të Konferencës “Zhvillimi dhe bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në Konferencën “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe Organizata “Interaction”. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë që kanë prokurimet elektronike në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. "Shqipëria është i vetmi vend që zbaton vetëm prokurime elektronike. Këto para kanë rëndësi sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua ONE STOP SHOP për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2 të tretat e tyre", tha Kryeministri Berisha. Ai u u fokusua mbi rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me mbështetjen jetike të Millenium Challenge Corporation. Duke vlerësuar ndihmën bujare që qeveria e SHBA-së i ka dhënë Shqipërisë përmes Millenium Challenge, Kreu i Qeverisë nënvizoi se "këto fonde dhanë një ndihmë të madhe për zhvillimin e vendit. Këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi", tha Kryeministri Berisha. Në punimet e kësaj konference ishin të ftuar të referonin mbi luftën kundër varfërisë edhe liderë të tjerë nga vendet që kanë përfituar nga programet e ndihmës së Millenium Challenge Corporation. Millenium Challenge Corporation, agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, bazohet në parimin se ndihma më eficente ndaj këtyre vendeve është forcimi i një qeverisjeje të mirë dhe investimi tek njerëzit që promovojnë rritjen ekonomike. “InterAction” është organizata-aleancë më e madhe në SHBA, e cila mbledh në gjirin e saj 180 Organizata Joqeveritare dhe e cila bashkëpunon ngushtë me qeveritë, por edhe me komunitetet lokale për të mundur varfërinë dhe për të rritur cilësinë e jetesës për njerëzit.
...