E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Jemi të gatshëm që të shqyrtojmë pretendimet e opozitës, me kusht që ato të jenë ligjore

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, shprehu sot gatishmërinë për të shqyrtuar pretendimet dhe kërkesat e opozitës lidhur me procesin zgjedhor, me kusht që kërkesat e tyre të jenë ligjore. Në një prononcim për mediat pranë Kryesisë së Kuvendit, Patozi ftoi Partinë Socialiste të jetë e pranishme nesër në seancën parlamentare, ku do të shqyrtohet projektligji për ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2009, duke  "garantuar dhe siguruar PS-në se ftesa jonë për rikthimin e tyre në Parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. Ne duam opozitën në Parlament për të pasur një debat politik në institucionin më të lartë të shtetit, për të vijuar reformat e ndërmarra për të cilat ka nevojë jetike vendi, por mbi të gjitha ne duam opozitën dhe PS-në në Parlament për të shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitet të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e raportit të OSBE-ODIHR”, tha Patozi, i cili shprehu ndërkohë gatishmërinë "të shqyrtojmë dhe trajtojmë të gjitha kërkesat dhe pretendimet e opozitës, por vetëm me një kusht që këto të jenë në përputhje dhe në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit”. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i përbërë nga 65 deputetë, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare që prej 7 shtatorit, kur dhe nisi punimet Kuvendi i ri. Ata e kushtëzojnë praninë e tyre në parlament me transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›