LSI kërkoi sot nga drejtuesit e Universitetit të Vlorëstë regjistrojnë studentët

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi sot Rektoratit dhe Senatit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë që, në përputhje me rregullat e pranimit dhe regjistrimit, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të fillojë regjistrimin e rreth 400 kandidatëve për studentë. Zëvendësekretari i LSI-së, Besjan Pesha, u shpreh sot në një konferencë për shtyp, se "respektojmë autonominë e universiteteve shqiptare, por është e papranueshme që vendimet e Universitetit të merren me korrespondencë, në fshehtësi dhe pa bërë asnjë lloj transparence për publikun”. Sipas tij, “vendime të tilla shumë të rëndësishme duhet të koordinohen me MASH në të ardhmen, në mënyrë që të evitohen gabime të rënda, që cënojnë pa të drejtë të ardhmen e qindra të rinjve dhe familjeve të tyre”. Strukturat drejtuese të Universitetit të Vlorës kanë vendosur si kusht që studentët me notën mesatare të shkollës së mesme më të ulët se 6 nuk do të mund të regjistrohen në këtë Universitet edhe pse në bazë të konkurrimit kanë fituar të drejtën e studimit pranë këtij institucioni të arsimit të lartë. Ndërkohë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka publikuar një urdhër për regjistrimin e të gjithë maturantëve që rezultojnë fitues, pavarësisht mesatares. Ai ka theksuar se rektorati i këtij universiteti duhet të plotësojë këtë urdhër, duke i regjistruar të gjithë maturantët fitues, emrat e të cilëve janë në listën e APRIAL-it.
...