E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lufta kundër korrupsionit përparësia më serioze e qeverisë

Si rezultat i kësaj lufte, janë kursyer mbi 4 miliard dollarë dhe Shqipëria, nga grupi i 24 vendeve me korrupsionin më të lartë në botë, në raportin e Transparency International, ka lënë mbrapa 95 vende.

Kryeministri Berisha, i pyetur sot pasdite, gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, nëse qeveria ka arritur të mbajë premtimet në luftën kundër korrupsionit, tha se kjo luftë ka qene përparësia më serioze e qeverisë dhe se si rezultat i saj, janë kursyer mbi 4 miliard dollarë dhe Shqipëria, nga grupi i 24 vendeve me korrupsionin më të lartë në botë, në raportin e Transparency International, ka lënë mbrapa 95 vende.

Në komentin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Lufta kundër korrupsionit për këtë qeveri ka qenë përparësia më serioze. Duke e konsideruar korrupsionin një kancer që duhet luftuar në mënyrën më aktive çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, dua të paraqes dy nga arritjet më madhore në këtë fushë. Së pari, reformat për parandalimin e tij dhe ndëshkimi i rasteve të korrupsionit i bënë të mundur qeverisë, me gjithë uljen dramatike të taksave, që në tre vjet, të mbledhë 3.2 miliard dollarë më shumë sesa paraardhësit tanë, të kurseje në prokurimet publike më shumë se gjysmë miliard euro, të kursejë nga shpenzimet operative mbi 300 milion euro dhe të marra së bashku, për aq sa korrupsioni ka të bëjë me paratë, janë mbi 4 miliard dollarë të shpëtuara. Së dyti, ka një ‘watch dog’ botëror dhe ky është Transparency International, raportet e të cilit faktojnë se në tre vjet, Shqipëria, nga grupi i 24 vendeve me korrupsionin më të lartë në botë, ka lënë mbrapa 95 vende të planetit dhe siç thotë raporti, qeveria ishte kampione në reformat e saj. Këto janë rezultatet.

Beteja e parë është fituar, lufta vazhdon me vendosmëri të madhe. Po punohet me intensitet të madh për përballim total të tij nëpërmjet reformave. Mendoj se një nga drejtimet themelore është se duhet të forcojmë rolin e shoqërisë civile në monitorim, pasi nuk ka zëvendësim për rolin e shoqërisë civile dhe mediave në këtë betejë. Por, siç kanë faktuar raporte të panumërta të brendshme dhe të jashtme, mediat vuajnë nga fenomeni i kapjes, gjë që kufizon rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Shoqëria civile duhet të ketë një rol lider në monitorimin e të gjithë administratës në sektorin publik në raport me ketë fenomen. Unë jam i vendosur që të bëj çdo përpjekje për forcimin e rolit të saj. Një pjesë të mirë të fondit që qeveria ka kaluar për OJQ-të, uroj dhe dëshiroj që Bordi do ta shpërndajë atë, t’ia përkushtojë atyre OJQ-ve që do të mbikëqyrin e monitorojnë luftën kundër korrupsionit."

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›