E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, sukses në luftën kundër korrupsionit, ngjiti 20 vende në klasifikimin botëror për 2008


Mëse dy muaj më parë “Transpareny International”, publikoi raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2008

TIRANE - Shqipëria ka bërë hapa përpara në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur në vendin e 85 nga vendi i 105 që ishte një vit më parë.
“Transparency International” bëri publike në javën e fundit të shtatorit, rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit CPI 2008, i cili për vitin 2008 rendit 180 vende. “Transparency International” vë në dukje se 10 vende shënuan përmirësim të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, mes tyre Shqipëria, Qiproja dhe Gjeorgjia, ndërsa Britania ishte mes pesë vendeve bashkë me Bulgarinë, Burundin, Maldivet dhe Norvegjinë, ku pati një rënie të ndjeshme në këtë aspekt.  
Shqipëria së bashku me Turqinë janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor ku gjatë dy viteve më të fundit ka rënë dukshëm perceptimi i korrupsionit.  Kjo del në pah nga raporti vjetor i korrupsionit i publikuar të martën në Berlin nga “Transparency International”. Indeksi i transparencës (Indeksi i perceptimit të korrupsionit) në Shqipëri është rritur nga 2,9 (2007) në 3,4 (2008).
Reformat antikorrupsion kërkojnë transparencë dhe pjesëmarrje të gjerë të institucioneve të pavarura, të shoqërisë civile, medias dhe të çdo qytetari të këtij vendi në procesin e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të tyre. Një drejtësi e pavarur dhe profesionale është një komponent i rëndësishëm në betejën antikorrupsion, thuhej në publikimin e TI-s.
TI-a vlerëson përpjekjet që po bëhen brenda sistemit të drejtësisë në drejtim të rritjes së pavarësisë, por nënvizon se ka ende shumë rrugë për të bërë për çlirimin e vetë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni dhe rritjes së pavarësisë së tij nga politika në respekt të ligjit”, theksohet në raportin e “Transparency International”.
“Transparency International” thekson se Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2008, demonstron qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë, ashtu si për të gjitha vendet e Evropës Juglindore, të cilat janë vlerësuar me notën nën 5, që tregon se ato ballafaqohen me nivele serioze të perceptimit të korrupsionit. Vendi ynë është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003, ku është vlerësuar me 2.5 pikë. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4 pikë. Që prej këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të përgjithshme, duke arritur së fundmi në 2008 me 3.4 pikë.

Sipas “Transparency International”

Viti 2003 / Shqipëria renditej në vendin e 92 nga 133, me koeficientin 2.5
Viti 2004 / Shqipëria renditej në vendin e 108 nga 145, me koeficientin 2.5
Viti 2005 / Shqipëria renditej në vendin e 126 nga 159, me koeficientin 2.4
Viti 2006 / Shqipëria renditej në vendin e 111 nga 163, me koeficientin 2.6
Viti 2007 / Shqipëria renditej në vendin e 105 nga 180, me koeficientin 2.9
Viti 2008 / Shqipëria renditej në vendin e 85 nga 180, me koeficientin 3.4

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›