E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Bosnje-Hercegovinës, zotit Nikola Špirić

Sot, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, zotin Nikola Špiri

ć. Pas bisedimeve, të dy personalitetet dhanë një konferencë për shtyp për mediat e pranishme:

Kryeministri Berisha: "Edhe njëherë dua ti uroj mirëseardhje të përzemërt, Kryeministrit të Bosnje Hercegovinës, të një vendi mik, zotit Nikola Špirić.

Jam i sigurtë se kjo vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme përbën një kontribut madhor në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Me Kryeministrin Špirić patëm një diskutim të hapur dhe konstruktiv, mbi të gjitha për mundësitë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ne konstatojmë se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera , por se ka një volum të madh pune të madh për të bërë, në mënyrë që këto marrëdhënie të shtrihen dhe të progresohen me shpejtësi në të gjitha fushat, ndaj dhe ramë dakord të hartojmë një plan të përbashkët pune në mënyrë që të shënojmë rezultate konkrete në intensifikimin e marrëdhënieve. Ministritë tona të jashtme dhe ministritë e brendshme do të angazhohen që të nënshkruajnë të gjitha marrëveshjet e nevojshme për ripranimin, në mënyrë që të heqim sa më shpejt vizat për qytetarët e dy vendeve tona. Ne besojmë se liberalizmi i vizave ka një rëndësi shumë të madhe në bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi do të lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik dhe sidomos bashkëpunimin në fushën e turizmit. Shqipëria ofron potenciale të mëdha turistike verore. Bosnje-Hercegovina është një nga vende e turizmit dimëror më të zhvilluar të rajonit, natyrisht jo vetëm dimëror, por edhe të llojeve të tjera.

Inkurajimi i investimeve mes dy vendeve tona është me një interes shumë të madh, ndaj dhe ministritë tona të Ekonomisë, Tregtisë dhe të Financave do të nënshkruajnë të gjitha marrëveshjet për bashkëpunimin ekonomik të suksesshëm mes dy vendeve. Fusha të tjera të rëndësishme janë fusha e arsimit, shkencës e kulturës.

Në të dy vendet tona jetojnë pakica. Në Bosnje-Hercegovinë është një pakicë shqiptare, e respektuar dhe që gëzon të drejtat që i garantojnë Konventat ndërkombëtare. Ne Shqipëri ekziston një pakice boshnjake , e cila ka kontributin e vet të çmuar në këtë vend dhe gëzon të gjitha të drejtat që i takojnë. Të dy vendet tona punojnë intensivisht në projektet e mëdha të këtij shekulli për to, integrimi në NATO dhe në BE. Unë shpreha kënaqësinë e madhe që Bosnje-Hercegovina firmosi pjesëmarrjen në kartën e Adriatikut 3, me bindjen më të thellë se kjo firmosje do të shpejtojë në tërësi procesin e anëtarësimit të plotë të Bosnje-Hercegovinës në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Të dy vendet kanë firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe do të punojnë seriozisht për zbatimin e saj. Presim liberalizmin e vizave gjatë vitit të ardhshëm. Por ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm këtë proces bashkëpunimi rajonal. Ne mbështesim, shpalosjen e EULEX në Kosovë dhe në tërësi bashkëpunimin rajonal. Edhe njëherë dua ta falënderoj përzemërsisht Kryeministrin Špirić, i sigurtë se kjo vizitë zyrtare përbën një kontribut thelbësor në marrëdhëniet e ardhshme mes dy vendeve dhe popujve tanë."

Kryeministri Bosnje Hercegovinës, zoti Nikola Špirić: "Dua të falënderoj nga zemra Kryeministrin e Shqipërisë dhe të gjithë anëtarët e kabinetit të tij për këtë mikpritje të shumë të ngrohtë në Shqipëri. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë që ne të shkëmbejmë eksperiencat tona për integrimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Të dy palët ramë dakord që bashkëpunimi që ne do të kemi në drejtim të integrimit në NATO do ti hapë rrugë bashkëpunimit edhe në fusha të tjera mes dy vendeve tona.

Qëllimi i parë i marrëdhënieve mes dy vendeve tona është që ne së bashku të kemi marrëdhënie shumë miqësore në nivelin politik dhe ajo që ne ndajmë se bashku është dhe integrimi në BE dhe në NATO. Këto dy qëllime të përbashkëta që ne kemi për integrimin në NATO dhe në BE përbëjnë themelin e bazës së bashkëpunimit tonë të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve .Do të dukej e pavend që ne kërkojmë të kemi liberalizmin e vizave për sa i përket zonës Shengen, ndërkohë që ne ende nuk kemi liberalizuar vizat mes dy vendeve tona. Kështu që ne iu kemi lënë detyrë dy ministrive, Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Sigurimit të Bosnjes që të nënshkruajnë marrëveshjen e ripranimit dhe gjithashtu të punojnë për marrëveshjen e liberalizimit të vizave mes dy vendeve. Liberalizmi i vizave mes dy vendeve tona do të kontribuojë shumë në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të bizneseve. Kjo do të sjellë më shumë investitorë të Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithashtu ne duhet të rrisim bashkëpunimin ne dhe fushat e tjera si në, energji, dogana, kulturë, shkencë e sporte. Ne duhet të bëjmë marrëveshje, të cilat nuk do të jenë thjesht marrëveshje në dukje, por duhet të jenë të tilla, që ne thelb do të krijojnë më shumë lehtësira për qytetarët e dy vendeve tona.

Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Bosnje-Hercegovinë dhe rekomandimi ynë është që edhe Bosnje-Hercegovinë të hapë ambasadën e saj në Tiranë. Bosnje-Hercegovina shpreson se zgjidhja e çështjes së krizave ndërkombëtare dhe lokale të behet vetëm në mënyrë demokratike. Ne jemi vendi që kemi një përvojë shumë të keqe për sa i përket zgjidhjes së krizave në forma jo demokratike. Kjo është dhe arsyeja që ne po i kushtojmë shumë rëndësi dhe vëmendje zgjidhjes së krizave në rajonin tonë, dhe shpresojmë që këto kriza të zgjidhen vetëm në mënyrë demokratike.

Së fundi, dua të theksoj se i bëra një ftesë Kryeministrit Berisha për të bërë një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë dhe shpresoj se pas kësaj vizite ne shumë shpejt do të diskutojmë për arritjet konkrete mes dy vendeve tona."

Pyetje: Zoti Spiric, a ka vendi juaj një qëndrim të ri për sa i përket pavarësisë së Kosovës?

Kryeministri Spiric: Qëndrimi zyrtar i Bosnje-Hercegovinës është se çdo gjë që mund të ndodhë në Kosovë, ajo patjetër do të ketë ndikimin e saj edhe në Bosnje-Hercegovinë. Dhe mendoj se kjo ka qenë një politikë e mirë dhe një politikë e mençur. Kjo politikë mbetet akoma e njëjtë, nuk ka ndryshuar ende. Ne vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim se çdo gjë duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare. Dhe paralelisht, jam i mendimit, se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të intensifikohet akoma më tej. Mendoj se edhe pozicioni i Kosovës duhet të jetë po ky, t'i referohet dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›