Shuhet “pengu” i familjes Këlcyra
Dje është ndarë nga jeta Shega Këlcyra, pinjollja e vetme e Oxhakut Këlcyra që mbeti në Shqipëri gjatë regjimit komunist në moshën 16-vjeçare. E shkolluar në Itali dhe me një inteligjencë natyrale, ajo shihej gjerësisht prej familjes Këlcyra dhe jashtë saj si vajza e fortë që do rigjallëronte Oxhakun Këlcyra. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Këlcyrë, në vitin 1939 përfundoi një shkollë murgeshash te Rruga e Durrësit në Tiranë. Më pas shkoi në Itali në shkollën e njohur “Poggio Reale” dhe ishte bashkënxënëse me vajzën e Mbretit të Belgjikës dhe më vonë Mbretëresha e fundit e Italisë, Maria Fose. Në vitin 1943 ndërpret studimet për shkak të bombardimeve dhe kthehet në Fier, ku e përfundon shkollën me mësues privat nën kujdestarinë e Padre Dameli-t. Në vitin 1945 kthehet në Këlcyrë dhe pak kohë më vonë burgoset me 7 vjet burg nga regjimi komunist si vajzë e njërit prej bejlerëve të njohur të Këlcyrës. Pas daljes nga burgu i tmerrshëm i Kalasë së Gjirokastrës u kthye në Këlcyrë. Zyrtarët e atëhershëm lokalë, të indoktrinuar nga regjimi, në përpjekje për ta poshtëruar figurën e saj intelektuale dhe origjinën e saj familjare e vunë të punonte si pastruese e pazarit të Këlcyrës dhe banjave publike. Largohet nga Këlcyra për në Kavajë në fillim të viteve gjashtëdhjetë, por sërish ishte e detyruar të punonte në terren. Kështu, ajo punoi në ndërtim, në bujqësi, dhe në fund përfundoi si punëtore në varrezat publike të Kavajës. Iu ndalua të përdorte mbiemrin Këlcyra, edhe përpara se sa të martohej me disidentin Bedri Rusi, po ashtu i dënuar 20 vjet me burg nga regjimi komunist. Vajzë e Muhamet Bej Këlcyrës dhe Nafije Vrionit, Shega rrezatonte një karakter të fortë dhe një inteligjencë natyrale deri në fund të jetës së saj.
Babai i saj, Muhamet Bej Këlcyra, është ndoshta beu më i famshëm i Oxhakut Këlcyra. Ai e mori drejtimin e Oxhakut në moshë fare të re dhe e mbajti deri në vitin 1939. Ai është një dëshmitar i madh i historisë së Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të ‘20. Është njeriu që ka kundërshtuar përfshirjen e Këlcyrës në qeverinë e Vorio- Epirit në vitin 1914, çka e ka paguar me djegien e sarajeve prej ushtrisë greke. Ishte një mik i Princ Vidit dhe më pas i Fan Nolit. Duke qenë beu i fundit zyrtar i Oxhakut të Këlcyrës dhe xhaxhai i Ali Këlcyrës, Muhameti i qëndroi larg politikës së ditës, por nuk është se shpëtoi prej saj. Disa herë mori ndëshkime politike, për shkak të autoritetit të madh që gëzonte në jug dhe ruajtjes së pavarësisë së tij familjare. Vdiq në vitin 1940, në Fier dhe më pas u varros në Këlcyrë. Gruaja e tij, Nafija, dhe Shega u fyen dhe persekutuan pas vitit 1945. Ato u nxorën nga shtëpitë e tyre në Këlcyrë, dhe për gati tri ditë u lanë në mes të rrugës pa bukë, pa strehë dhe pa ndihmë. Autoriteti i madh që kishte në njerëz familja Këlcyra bëri që ato gra të mbijetonin dhe të ngjallnin respekt në shoqëri.
Komunistët u treguan burracakë dhe burgosën pa asnjë shkak Shegën që komunizmi e gjeti 16-vjeçare. Një vajzë e shkolluar, me tri gjuhë të huaja, inteligjente dhe shumë e lidhur me vendin e saj, përfundoi në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe më pas në kalvarin e vuajtjeve nga Këlcyra në Kavajë. Ajo ishte “pengu” i familjes Këlcyra, pengu që komunistët mbajtën në burg për t’u hakmarrë ndaj një Oxhaku që i dha dinjitet, por dhe e shpëtoi disa herë në histori Jugun e Shqipërisë. Ajo ishte po ashtu “pengu” i Ali Këlcyrës, pinjollit të fundit mashkull të asaj familjeje që nuk e mori dot me vete kur iku në vitin 1944, por e la në dorë të atyre që do të vinin në pushtet. Ajo ishte dhe mbeti “pengu” i Hana Këlcyrës, e cila, siç ka dëshmuar në kujtimet e saj, ka jetuar me idenë e ritakimit të Shegës, për 45 vjet. Shega mbetet po ashtu dhe “pengu” real i ndërgjegjes së demokracisë së re shqiptare, e cila nuk mundi të rehabilitojë asgjë nga jeta e saj. I vetmi ngushëllim i saj i madh ka qenë dekorimi i Ali Këlcyrës nga presidenti, Bamir Topi, me propozim të zonjës Topalli një vit më parë. E kërrusur nga vitet dhe vuajtjet ajo u ndje e respektuar më shumë se kurrë në jetën e saj atë ditë. Dhe kishte arsyet e veta. Pas vitit ‘90 vazhdoi një lloj armiqësie ndaj familjes Këlcyra, e ushqyer dhe nga meskinitetet e pushtetarëve të rinj. Pronat e tyre u shpërdoruan, u vodhën dhe kurrë nuk iu kthyen Shegës dhe Hanës, dy trashëgimtareve të vetme të familjes Këlcyra. Ajo u ritakua me Hana Këlcyrën, vajzën e Ali Këlcyrës, në vitin 1991 në Vjenë, ku Hana jetonte prej viteve gjashtëdhjetë dhe punonte në ambasadën amerikane atje. Por, pas pak kohësh u rikthye në Shqipëri, me shpresë se për të do të niste një jetë e re. Tetëmbëdhjetë vitet e lirisë së Shegës ishin tetëmbëdhjetë vite me brenga dhe makthe për pafuqinë e saj për të vënë në vend emrin e familjes dhe dinjitetin e trashëgimisë së saj. Iku e lënduar nga të gjithë, nga ata që e burgosën dhe poshtëruan në diktaturë dhe nga ata që e braktisën dhe injoruan vuajtjet dhe familjen e saj në liri.