Sondazhi: Papunësia dhe korrupsioni, shqetësimet kryesore
Papunësia, korrupsioni dhe çështjet e pronësisë mbeten tri problemet kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare për vitin 2008. Në të njëjtin vëzhgim të realizuar 2 vjet më parë nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve si sfidë dhe problem nuk konsiderohet më kriza energjitike dhe tashmë kjo konsiderohet një problem pjesërisht i zgjidhur.
Sondazhi i kryer nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe i bërë publik në Ditën botërore Antikorrupsion adreson shqetësimet kryesore të qytetarëve në lidhje me korrupsionin, institucionet që kanë kontribuar më shumë apo më pak, pengesat për të arritur më shumë në betejën antikorrupsion dhe mënyrat për të rritur efektivitetin e kësaj beteje.
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve konstaton nëpërmjet këtij studimi se shqiptarët kërkojnë një reagim më të madh qytetar ndaj fenomenit të korrupsionit dhe rendisin mungesën e zbatimit të ligjeve si një nga arsyet kryesore për mosluftimin sa duhet të korrupsionit.
Në pyetjen se çfarë do të kërkonit më tepër (për të luftuar korrupsionin), 38% e të anketuarve thonë se duhet më shumë reagim qytetar, 21 % i kanë shpresat te një media profesionale dhe e pavarur dhe afro 17% më shumë transparencë në vendimet e qeverisë. Çështjes se çfarë pengon për të arritur më tepër në luftën ndaj korrupsionit: 36% e qytetarëve rendisin moszbatimin e ligjeve, 18 % mungesën e vullnetit politik dhe 11% kërkojnë reagim më të fortë civil.
Vlerësimet më të larta në kontributin antikorrupsion i shkojnë medias dhe shoqërisë civile. Vota në favor të tyre është shumë e lartë nga të gjithë qytetarët e pyetur.
Shqiptarët mbeten krejtësisht të paqartë mbi rolin e opozitës dhe qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Skepticizëm i lartë vazhdon të mbetet në rolin e sistemit të drejtësisë, përfshi këtu gjykatat dhe prokurorinë.
Tre sektorët me besimin më të ulët të publikut janë Zyrat e Përmbarimit, Doganat dhe Agjencitë e Kthimit të Pronave.
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka realizuar në 5 qytetet kryesore të vendit sondazhin me intervistimin e 1300 qytetarëve. Perceptimi dhe eksperiencat e tyre me fenomenin e korrupsionit dhe funksionimin e shtetit bëhen publike në Ditën botërore Antikorrupsion.