E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Luftë pa kompromis krimit, domosdoshmëri për heqjen e vizave

Qeveria gati të finalizojë 320 projekte për rrugët që do ndërtohen. Shefi i ekzekutivit ngarkon me përgjegjësi të gjitha institucionet, për të fshirë nga memoria e shqiptarëve kronikat e zeza të krimit të organizuar


Menjëherë pas kthimit nga Belgjika, vendi i cili ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe që ka dhënë garanci të plota për hyrjen e Shqipërisë në zonën e lirë të Schengenit brenda këtij viti, kryeministri Sali Berisha i jep një sinjal të pastër Brukselit, se autoritetet shqiptare do plotësojnë çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e integrimit me BE-në. Kryeministri u shpreh sot për përshkallëzim të luftës kundër krimit. Në mbledhjen e Këshillit Ndërinstitucional, kreu i qeverisë shqiptare shtroi si detyrë parësore për të gjitha institucionet, luftimin e krimit të organizuar. Sipas Berishës, liberalizimi i vizave shton edhe më tepër përgjegjshmërinë e qeverisë për të luftuar fenomenin e krimit. “Lufta kundër krimit të jetë objektivi kryesor i të gjitha institucioneve të vendit për të fshirë nga kujtesa e publikut europian kronikat e zeza nga Shqipëria. Në këtë periudhë janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishme dhe një prej tyre është edhe memorandumi i nënshkruar nga disa ministri për të shqyrtuar problemet e përbashkëta. Duhet të jemi të vetëdijshëm që rezultatet e arritura sërish nuk janë pasqyruar në opinionin publik europian i cili ka në mendje kronikat e zeza të mediave të tyre për boset mafioze shqiptarë. Përpjekja e përbashkët nuk mund të ketë objektiv më kryesor sesa sigurimi i jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë”- u shpreh kryeministri Sali Berisha. Shefi i ekzekutivit garantoi se krimi i organizuar në vend do shtypet me të gjitha format dhe mjetet, në mënyrë që Shqipëria të marrë notën pozitive nga kancelarinë perëndimore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›