E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Marrëveshja? Rama i rrëzoi të dy propozimet



Kreu i qeverisë Sali Berisha hedh poshtë akuzat se PS hyri në Kuvend pa marrëveshje për shkak se pakti u refuzua nga vetë kryeministri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha, duke zbuluar herë pas here, bisedat që janë bërë në tryezat e negociatave, ka deklaruar se ka qenë kreu i PS-së Rama i cili ka hedhur poshte dy propozimet që do çonin në një marrëveshje. Sipas kryeministrit, Rama refuzoi që të ishte Prokuroria e Shtetit që të hetonte zgjedhjet, dhe më pas rrëzoi edhe opsionin e dytë, që modalitetet për funksionimin e komisionit hetimor parlamentar t'i liheshin në dorë Komisionit të Venecias. "Komitetit Presidencial i Venecias i është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qendrimi që të gjitha problemet që Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë hapjen e kutive, t'ia adresojë Prokurorisë së Shtetit. Prokuroria ka të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat për të kompletuar hetimin. Kjo pranohet nga unë si koncesion pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të zgjedhjeve", shjegoi ai.
Por sipas Berishës ky propozim nuk u pranua nga Rama, ndaj në tryezë u shtrua një opsion tjetër.
"Në tryezë u shtrua opsioni tjetër. U bë e qartë se kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese. Kundërshtia ishte se Rama e quan të mirëfilltë interpretimin që i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për hetim të pakushtëzuar. Dhe unë i lexova vendimin, që nuk lejohej ndërhyrja në vendim të gjykatave. Pasi e lexova ndërhyri Presidenti, që i kujtoi edhe një herë vendimin e Kushtetueses. Ndaj u sugjerua që për këtë çështje t'i drejtohej Komisionit të Venecias. Por kjo nuk u pranua", shtoi më tej kreu i qeverisë.
Më tej, Berisha deklaroi se të dy nismat ligjore të depozituara nga PS-ja do trajtohen sipas ligjit. Ai tha se pret sërish opozitën në Kuvend dhe në të gjitha komisionet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›