"Gërdeci", Gjykata e Lartë pushon çështjen ndaj Fatmir Mediut

Gjykata e Lartë mori vendimin për pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu. Vendimi u bë publik mesditën e së hënës pas seancës së radhës që po zhvillohej në këtë institucion. Në arsyetimin e saj
gjykata konstaton se nuk ka asnjë element që implikon dhe fajëson pozicionin e ish-ministrit të mbrojtjes në ngjarjen e Gërdecit.
Në vlerësimin e gjykatës mungojnë provat që ai të ketë kryer një vepër penale ashtu siç pretendohej nga pala e akuzës. Më herët, avokatët e ish-ministrit u përplasën me familjarët e viktimave të Gërdecit pasi këta të fundit paraqitën një CD me pretendimin se aty ndodheshin provat për implikimin e Mediut në ngjarje.