E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Marrëveshje për Sheshin



Erald Kapri

Kryeministri Sali Berisha ofroi dje mundësinë e bashkëpunimit me kreun e bashkisë, Edi Rama, për zgjidhjen e konfliktit mbi ndërtimin e sheshit "Skënderbej". Kreu i Qeverisë në një konferencë për shtyp tha se është i gatshëm që të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës, por kërkoi që projekti i kësaj të fundit të respektojë ligjet e vendit. "Qeveria shqiptare, duke e konsideruar sheshin 'Skënderbej' si kryesheshin e vendit dhe kombit, është e disponueshme të kontribuojë dhe të ndihmojë Qeverinë vendore të Tiranës, në të gjithë procesin e rindërtimit të sheshit", tha Berisha. Kryeministri pohoi më tej se Instituti i Monumenteve të Kulturës ka kërkuar të respektohen disa rregulla, që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të sheshit. "Qeveria mbetet plotësisht e gatshme për një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, për një kontribut parësor, cilido që të nevojitet, pasi një shesh ka Tirana kryesor, një shesh ka Shqipëria kryesor dhe detyrimisht Qeveria është e gatshme të ofrojë të gjitha burimet e nevojshme, në mënyrë që kjo të dalë si një rindërtim i një kryevepre. Ajo është një kryevepër në vetvete, ka pësuar gjymtimet e veta të mëdha me goditjet që i dha tregut gjatë diktaturës, por ai ka qenë një projekt shumë i madh", tha Berisha. I pyetur nga media, nëse do të merret iniciativa e bllokimit të punimeve në sheh nga Qeveria, Kryeministri tha se kjo pikë mbetet e fundit, pasi fillimisht do të kërkohet të realizohet një marrëveshje. "Dëshira jonë dhe qëndrimi ynë është shumë i hapur, të arrihet në një marrëveshje, në përputhje të plotë me respektimin e të gjitha atributeve dhe kompetencat e Qeverisë vendore. Nuk mund Qeveria qendrore të ketë qëndrim tjetër. E fundit gjë që ne do të dëshironim të na imponohej është një qëndrim i tillë. E them ketë më një sinqeritet të madh. Këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë thelbësore", deklaroi Berisha.
Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i Qeverisë e cilësoi si parësore zgjidhjen e trafikut të Tiranës. Sipas tij, projekti i Bashkisë së Tiranës do të bllokojë trafikun, në një kohë kur unazat e kryeqytetit nuk janë ndërtuar ende. "Sot problemi numër një i Tiranës është trafiku, ta katranosim më tutje?! Jo. Pra, unë u qëndroj atyre që thashë, por nëse ka një gjë që do të prekë në lëkurë çdo qytetar të Tiranës, do të jetë trafiku", tha Kryeministri. Berisha u shpreh më tej se, projekti duhet të konsultohet, veçanërisht me Institutin e Monumenteve të Kulturës. "Instituti i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga rrasat e Shkëlzenit dhe të ruajë blloqet, me të cilat është ndërtuar sheshi. Se nga i gjeti ky rrasat e Shkëlzenit, nuk e di. Mua më çmall, por problemi im është se sheshi është i gjithë shqiptarëve dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës e ka gjykuar me vend që të ruhet identiteti, duke ruajtur blloqet", shtoi kreu i Qeverisë. Në fund të fjalës së tij, kreu i Qeverisë tha se i ka ofruar kreu të bashkisë mundësinë për një projekt të përbashkët që të inaugurohet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas Kryeministrit, ky projekt është refuzuar nga Edi Rama, pasi nuk dihet ende rezultati i zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. "Unë i kam ofruar zoti Rama që të bëjmë një gjë madhështore për 100-vjetorin e Pavarësisë. Nuk bie dakord, pasi nuk dihet rezultati i zgjedhjeve. Ajo dihet. Megjithëse unë dua të vë sistem elektronik, ai filloi të kundërshtojë prapë. Punën e votave ai e ka problem, por nuk kam çfarë t'i bëj. Pra, hajde t'i lemë ato, me kutitë të merremi veçmas. Sheshin e Tiranës nuk mund ta bësh si kutia, pasi ai është edhe sheshi i Shqipërisë", mbylli konferencën për shtyp Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›