Rama: Votimi elektronik është utopi
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste iu përgjigj dje Kryeministrit Berisha, në lidhje me votimin elektronik. Rama u shpreh dakord në parim, por tha se për kushtet e Shqipërisë ai mbetet një utopi. "Nuk kam asnjë kundërshtim në parim, nuk kam asgjë kundra, por jam absolutisht i bindur se është një utopi e parealizueshme në realitetin shqiptar. Ne jetojmë në një vend, i cili është kaq larg rrugëve të zhvillimit, është kaq larg rrugëve të modernizimit, saqë të hapësh një bisedë për këtë çështje, në kushtet që Shqipëria ka sot dhe në kushtet që Shqipëria mund të garantojë, është njësoj si të flasësh për seksin e engjëjve, ndërkohë që nga të katër anët ka vetëm shkatërrim, rrënim dhe kërcënim", u shpreh Rama, gjatë komunikimit të përjavshëm me gazetarët në selinë rozë. Duke komentuar deklaratat e Kryeministrit Berisha, Rama e akuzoi atë për çrregullime mendore. "Sa më shumë e dëgjoj zotin Berisha, aq më shumë shqetësohem për ekuilibrin mendor të kësaj Qeverie dhe për raportin tërësisht të deformuar dhe të pa tolerueshëm që ky pushtet ka me të vërtetën, që ky pushtet ka me problemet e njerëzve, që ky pushtet ka me këtë vend ku të gjithë bashkë jetojmë", u shpreh Rama.
Hetimi
Në bashkëbisedimin e tij, kreu socialist preku çështjet e debatueshme të ditëve të fundit. I pyetur rreth deklaratës së kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, për djegien e kutive të votimit të 28 qershorit, Rama tha se hetimi i zgjedhjeve duhet të nisë nga KQZ dhe kryetari i saj. "Kryetari i KQZ është subjekt për organet e drejtësisë dhe një nga arsyet pse transparenca duhet të bëhet, pse kutitë duhet të hapen, pse hetimi duhet bërë i plotë dhe i pakushtëzuar, është që në Shqipëri procesi zgjedhor të mos jetë peng i një kategorie obskurantësh që i shërbejnë verbërisht pushtetit të manipulimit dhe të vjedhjes së votave në Shqipëri", u shpreh Rama. Sipas tij, opozita nuk do të heqë dorë nga hetimi i zgjedhjeve, pasi aty është zanafilla e çdo të keqe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. "Rruga e protestave nuk është një aksion partiak e politik, për të realizuar interesin e një pale, por është e vetmja rrugë për të garantuar interesat e vendit dhe interesat e të gjithë qytetarëve. Nuk është thjesht rruga e një force, apo e një koalicioni i forcave politike, por është rruga e çdo qytetari që sot e shikon përditë e më të tkurrur hapësirën e tij të jetesës dhe të mundësive për të jetuar më mirë", u shpreh Rama.
Kriza
Kreu socialist tha dje se protestat e opozitës do të kenë në qendër të tyre, përveç transparencës edhe keqqeverisjen e vendit nga maxhoranca aktuale. Rama fajësoi "keqqeverisjen dhe mos vetëdijen e Qeverisë së Kryeministrit Berisha për ta fshehur krizën, çka çon ekonominë shqiptare, sipas tij, "buzë greminës" ndërsa vazhdon të mashtrojë me shifrat për rritje ekonomike. "Duke dëgjuar paradën e shifrave ekonomike, ndjemë të gjithë shqetësimin për nivelin më të lartë të pavetëdijes, lidhur me atë që po i bën vendit keqqeverisja dhe kriza që po thellohet më shumë duke u fshehur", tha Rama, duke shtuar se shifrat e dhëna dje nga Berisha për importin dhe eksportin janë të rreme. Rama, duke iu referuar shifrave konkrete, tha se janë rritur ndjeshëm çmimet e ushqimeve, ndërkohë që në 6 mujorin e ardhshëm do të ketë dhe një rritje të papunësisë. Ai paralajmëron Qeverinë për rrezikun që mund të ketë një huamarrje e re, e cila në kushtet ekonomike të vendit tonë vetëm sa do të çonte ekonominë shqiptare drejt humnerës. "është paralajmëruar marrja e një borxhi tjetër, në kushtet kur të gjitha zërat e arsyes paralajmërojnë rrezikun e një huamarrjeje të re, të papërballueshme për momentin që ndodhet vendi ynë. Dua të rivë theksin në faktin se thellimi i rrugës në larjen e borxheve me borxhe po precipiton makinën e ekonomisë shqiptare drejt humnerës".