Ruçi: Ndëshkimi i Ballës, njolla e fundit e turpit e këtij Kuvendi
Partia Socialiste e cilëson si të turpshme ndëshkimin e bërë nga ana e Kuvendit ndaj deputetit socialist, Taulant Balla dhe masën paralajmëruese ndaj deputetit Sajmir Tahiri. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në konferencën e djeshme për shtyp tha se "Vendimi i djeshëm ishte një vendim i turpshëm i kësaj maxhorance, që përdor pushtetin e vjedhur për të fshehur vjedhjet e pushtetit. Një maxhorancë që nuk di të përgjigjet me argumente, por zgjedh përjashtimin e dëbimin. Vendimi i djeshëm ishte veçse njolla më e fundit e turpit që u vendos në këtë Parlament nga Kryetarja e tij, që do të mbahet mend si kryetarja e zheleve dhe rreckave, e komanduar me sms nga një Kryeministër i papërgjegjshëm. Sali Berisha dhe Kryetarja e Parlamentit shqiptar u dhanë shqiptarëve dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë provën më të qartë se në ç'derexhe është katandisur parlamentarizmi në Shqipëri". Sipas Ruçit, vendimi për penalizmin e Ballës është i pajustifikueshëm, po ashtu edhe për Tahirin. "Nëse ka një politikan në Shqipëri, që duhej përjashtuar jo për dy javë, por për një legjislaturë të tërë, ky është vetëm një deputet që e ka emrin Sali Berisha. E si ka mundësi që një deputet na u përjashtoka për dy javë sepse Kryeministrit nuk i vikan për mbarë fjalët e tij, ndërkohë që vetë Sali Berisha mund të vjellë vrer, të shpifë e të shajë, të merret me fëmijët apo me familjen, apo me jetën private të kujtdo deputeti e kundërshtari politik?!", tha Ruçi. Sipas tij, me vendimin e pardjeshëm "Sali Berisha tregoi qartë se ai nuk e do opozitën në Parlament, se ai nuk është i interesuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sali Berisha vërtetoi mbrëmë se pasi vodhi zgjedhjet e 28 qershorit, ka zgjedhur të vendosë nën diktatin e tij të gjitha institucionet e këtij vendi, deri dhe Parlamentin e madje edhe opozitën e këtij vendi". Kuvendi në seancën e së enjtes përjashtoi deputetin e PS-së, Taulant Balla për dy javë nga pjesëmarrja në seancat parlamentare, për shkak të fjalimit që mbajti në Kuvend. Ndërsa Byroja e Kuvendit paralajmëroi socialistin Tahiri, për fjalët e lëshuara në adresë të Kryeparlamentares Topalli.