E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Masat e këtij viti për turizmin

Kryeministri kërkoi që të ngrihen ekipe shëndetësore në zonat ku ka popullim më të madh siç janë plazhet publike. Gjithashtu, ai kërkoi që doganat të ofrojnë shërbime sa më të mira ndaj turistëve, ndërsa policia rrugore të jetë shoqëruese në çdo rrugë.

Gjithashtu, Berisha tha se duhet të ngrihen stacione policore në zonat ku ka përqendrim më të madh të turistëve. “Turizmi përbën sektorin më kryesor të punësimit. Turizmi shqiptar në sezon punëson 170 mijë vetë në të gjithë vendin. Ky punësim përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Në tërësi këto janë të përkohshëm, studentë, të cilët me fitimet e tyre lehtësojnë barrën e familjeve të tyre. Është e nevojshme t’iu jepen orientime”, tha Berisha.

Ai kërkoi nga bashkitë dhe komunat që të punësojnë dhjetëra e qindra punonjës të përkohshëm, për pastrimin e territoreve. “Të bëjnë gjithçka që në këtë sezon turistik, Shqipëria të paraqitet më e pastër si asnjëherë. Të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, të marrin masa për denoncimin dhe ndjekje penale për të gjithë ata që bëjnë krime ndaj mjedisit. Toleranca duhet të jetë zero. Askush nuk duhet të pasurohet duke kërcënuar shëndetin e të tjerëve. Është e pamjaftueshme miqësia shqiptare, që miliona turistë të kenë atë që meritojnë”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë tha se zyrat e turizmit, duhet të jenë të hapura dhe të promovojnë potencialet turistike. “Ato duhet të bashkëpunojnë ngushtë me agjencitë e turizmit. Ky sezon duhet të jetë më i bukur turistik dhe më masiv në historinë e vendit. Unë kam shumë besim se të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale”, u shpreh. Ai vuri theksin tek turizmi malor, duke kërkuar që ky lloj turizmi të jetë në vëmendje të veçantë. “Edhe një herë z. Bumçi, bashkë me Ministrinë e Brendshme dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, duhet të kujdeseni për turizmin malor. Edhe një herë, fluksi drejt apeleve është më i madh se kurdoherë”, shtoi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-27 12:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›