E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Maurer: Gatishmëri për të zhvilluar bashkëpunimin Shqipëri-Zvicër

TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot në një takim sekretarin e shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme, Peter Maurer. Dy zyrtarët në takim vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në planin shumëpalësh edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij sekretari zviceran i shtetit Maurer e siguroi kryeministrin Berisha se Zvicra do të vijojë mbështetjen ndaj Shqipërisë, ndërsa i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria shqiptare po i jep projektit Trans-Adriatik, i cili konsiderohet si projekti më efikas dhe me shumë leverdi ekonomike për furnizimin me këtë lloj energjie të rajonit.

Në përfundim të takimit Maurer, i shprehu kryeministrit Berisha ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qeverisë dhe qytetarëve të vendit të tij, për rënien në krye të detyrës të kapiten Feti Voglit, gjatë misionit të tij në Afganistan.

Më herët, ai zhvilloi një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto i cili vlerësoi rolin aktiv dhe konstruktiv që Zvicra luan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si politikisht ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.

Ndër të tjera në takim u diskutua rreth bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që të zhvillohet sa më shpejt komisioni i përbashkët ekonomik që do të hulumtojë rreth fushave specifike ku interesi është i ndërsjelltë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›