E Diel, 1 Nëntor 2026

Në familjen Peci, ku një hapje sysh e ushtarit në spital mban pezull të tijtë

22/02/2012  Kryqi në mur ndez shpresën te Zoti. “Sandri nuk është vetëm”

Kur Aleksandri përpëliti lehtë sytë në shtratin e spitalit, u duk sikur dërgoi një sinjal shprese e drite për Mrikën që nuk e lëshon kollaj lotin prej syrit. Nëna takon të sajtë, fikson sytë në shprehjet e fytyrës, dëgjon tingujt e frazave “do shpëtoj mos ki merak” dhe mendja nuk i qëndron në Bathore, por fluturon atje në spital, ku i biri dergjet me tri plagë të rënda e lufton me vdekjen. U përgjigjet njerëzve me një “faleminderit” dhe nxiton të takojë të tjerët, duke hedhur hapa të shpejtë. Porosit disa vajza që të sjellin më shumë karrige, tavolina, raki dhe kafe. Miqtë i pret Jaku që shpeshherë mbledh të dyja duart bashkë. Fraza më e përdorur prej tij mbetet “Me shpresë te Zoti”, ashtu siç e rrëfen heshturazi këtë ndjesi edhe kryqi i verdhë, i varur mu në murin kryesor, në të majtë të portës. “Ka marrë një plagë në qafë dhe një në brez”,-rrëfën 60-vjeçari Jak Peci. Kur dikush i pati thënë se i biri i hapi sytë, pas ndërhyrjes kirurgjikale, lajmi u përhap shpejt. Më tej punëtori i firmës së ndërtimit thotë se, “Kemi folur me këta të ushtrisë dhe na japin shpresa se do të bëhet mirë”. Pyetjes se si e mori vesh lajmin i përgjigjet “nga televizori” dhe “na lajmëruan nga ushtria”. Motra e vogël, 18-vjeçarja Ina ende ua përmend prindërve natën e së hënës, kur nuk i besohej se i vëllai kishte vdekur. Me rrezen e dashurisë për vëllain Ina ua kishte larguar atyre jo vetëm mendimet, por edhe pritjet e mortit. Ajo iu jep shpresë të sajve. Megjithatë, familja me prejardhje nga Lekbibaj e Tropojës, banuese prej 15 vitesh në Bathore, dje mbeti e pakompletuar deri para orës 14.00, sepse prisnin Bashkimin, djalin tjetër të shtëpisë, të vinte nga Italia, ku ndodhet prej vitesh si emigrant. Një motër tjetër më e madhe, emigrante në Greqi, ishte nisur prej andej, për tiu gjendur pranë familjes. Të dy, Bashkimi dhe motra tjetër nuk i rreshtin telefonatat për të mësuar ndonjë të re. Miq të tjerë ishin edhe prindërit dhe e fejuara e Sandrit që u qëndronin pranë krushqve në këto ditë të vështira. Dasma ishte planifikuar pasi Sandri të kthehej nga Afganistani, ku sigurisht do të fitonte shumë lekë. Arturi, djali i tezes së Aleksandrit, emigrant në Greqi thotë se, “Sandri ishte nisur në Afganistan sepse e kishte qejf ushtrinë. Mua më kanë lajmëruar me telefon. Thonë që tani është më mirë, por akoma sdimë gjë të saktë”. Pritjet janë për të mira. E keqja nuk përfytyrohet, ose të paktën largohet me mendje nga gjithkush që e përmend, qoftë edhe pa dashje. Fytyrave u ka ikur dhimbja. Pak metra tutje shtëpisë 1-katëshe ndërtohet një kishë e madhe, ndërsa në të hyrë të rrugicës është qendra e krishterë “Roberto Antonio”. Dje në orën 17.00 ishin të gjithë të ftuar në “Lutje për Sandrin”, ku ata që dëshironin mund të ndiznin ndonjë qiri në kishë e të kërkonin prej Zotit, me anë të lutjes, shërimin e shpejtë të Aleksandër Pecit. Ngado ambient katolik, si një kundërpërgjigje ndaj botës që i njeh të gjithë shqiptarët si myslimanë. Në rrethrrotullimin që merr për në Bathore valëvitet prej 6 muajsh një flamur gjigand shqiptar që dukej sikur ishte vënë aty nga një parandjenjë krenarie kombëtare që do të mbështillte këtë atmosferë trishtimi e shprese bashkë. Kompletimi i këtij petku të pashpjegueshëm kulmoi rreth orës 13.30, kur në rrugicën e ngushtë mësynë nja 5 a 6 makina që sollën Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Dalja e Bamir Topit nga makina u shoqërua nga sytë e dhjetëra kurreshtarëve që vëzhgonin sesi krerët e shtetit zbarkojnë ndër ta vetëm në raste fatkeqësisht. Pak më parë ata i vizitoi edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe ai i Arsimit, Myqerem Tafaj. Vizitat, si një rutinë e bezdishme, shoqërohen me shikime në sy që familjarët ua derdhin lumë atyre që dinë më shumë për shëndetin e Sandrit. Si përgjigje marrin gjithnjë fjalët “është mirë, do bëhet më mirë”. Pas largimit të makinave zyrtare, jeta vijon në Bathore, ashtu me ato rrugët me gropa, me njerëz tufa-tufa, me gra me shami e pantallona, me ndonjë pyetje të tipit “A gjete punë sot?”, me dyqanet me lista, me fëmijë që kthehen natën vonë pasi kanë shitur paketa, me nxënës dhe studentë që vijnë nga shkolla dhe sigurisht me shumë djem të rinj që përpiqen të gjejnë ndonjë mik për të shkuar ushtar në Afganistan, për tu paguar aq mirë sa Sandri, por jo për të pasur fatin e tij, ende të papërfunduar, dergjur në shtretër spitalesh, me mjekë e aparatura te koka...

Biografia e N/tetar Aleksandër Jak Peci

Ministria e Mbrojtjes njofton zyrtarisht se “Nëntetar Aleksandër Jak Peci, ka lindur më 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr. 1001. Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më datën 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Special Ujore në Batalionin e Forcave Speciale. Nëntetar Aleksandër Peci ishte një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij. Nga data 16.01.2012, nëntetar Peci është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan”.

Kamza e shpall “Qytetar Nderi”

Aleksander Peçi është shpallur “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Kamzës. I plagosuri nga sulmi i djeshëm në Afganistan është propozuar të marrë këtë status prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe më pas ka garantuar mazhorancën e plotë të votave. Kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, i dha certifikatën familjes Peçi, ku dëshmohej se i dashuri i tyre Peçi ka marrë titullin “Qytetar Nderi” i Kamzës. Bashkia Kamëz ndërkohë ka ndarë fondin prej 1 milion lekësh të vjetra për familjen Peçi.

TIRANË- Kapiteni Feti Vogli, kontingjent i “Eagle 4” në Kandahar për 6 muaj do ta përfundonte misionin dhe do ti përkushtohej familjes që përbëhej nga bashkëshortja Alva dhe vajza 3-vjeçare, Egi. Ata jetonin pranë “Freskut”. Ndërkaq, në shtëpinë e tij, në fshatin Shpatë të Baldushkut në Tiranë janë hapur dyert e mortit, që prej orës 20:00 të mbrëmjes të së hënës. E ëma, Qanija, ende po kalon gjendje të vështirë nga lajmi i kobshëm që iu përcoll nëpërmjet telefonit, ndërsa një mjek kujdeset për shëndetin e të moshuarës që mezi po i përballon këto orë të vështira. Lajmin për humbjen e vëllait të madh po e përjeton me dhimbje të madhe edhe e motra e tij, Flogertam, që tani i duhet të kujdeset për nënën. Ndërsa babai i tij, Bedriu dhe vëllai Florenci kanë gjetur forcë që të përballojnë humbjen dhe presin ngushëllimet e të afërmve të tyre. Florenci tashmë është i vetmi që do të kujdeset për familjen, edhe pse ka siguruar vetëm një punë si kamerier, diku pranë fshatit. Ndërsa nëna, babai dhe motra e tij janë aktualisht të papunë. Gjatë gjithë ditës së djeshme, në këtë shtëpi pati vizita nga krerët më të lartë të shtetit, ndërsa lidhur me procedurat për organizimin e ceremonisë së varrimit të Kapiten Feti Vogli, në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur komisioni që merret me organizimin e ceremonisë. “Komisioni Qendror për dhënien e Statusit Dëshmor i Atdheut i ka akorduar Kapiten Feti Voglit, statusin Dëshmor i Atdheut. Varrimi i Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit. Lidhur me kohën dhe detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore do të ketë komunikime të mëvonshme, pasi të jetë përcaktuar koha e mbërritjes në atdhe të trupit të Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Vogli”,-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Vogli, për humbjen e Kapitenit Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës në Kandahar, Afganistan. Avokati i Popullit dhe institucioni që ai drejton, në këto momente të dhimbjes, janë me mendje dhe me zemër pranë familjarëve dhe të afërmve të Kapiten Voglit, bashkëshortes zonjës Alva dhe vogëlushes 2-vjeçare Egi. Kapiten Vogli ra në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Biografia e Kapiten Feti Vogli

Kapiten Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, ka një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi. Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore. Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak kariere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si: Medalja e Karierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007. Medalje për shërbime të shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010. Nga data 16.012012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Shpërndanin dokumente për studentët. Kabuli në protestë pas djegies së 70 kuranëve

Masakra pas sherrit mes ushtarëve

të NATO-s dhe policit afgan, kapet

Mariglen Mulla

Teksa në Baldushk dhe Bathore përjetohet dhembje e shpresë për një ushtar shqiptar të vrarë dhe tjetri në gjendje kome, në Afganistan po dalin detajet e para të ngjarjes. Referuar gjigandit mediatik CNN, masakra ka nisur pas një sherri mes policit afgan dhe njërit prej ushtarëve të koalicionit të NATO-s, teksa po shpërndanin disa dokumente për studentët e zonës. CNN nuk saktëson se cili ka qenë shkaku i nisjes së sherrit dhe cili e nisi i pari, por njofton se është kryer një arrestim për këtë incident, çka e konfirmon edhe Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri. Konfirmohet se i arrestuari është efektiv i policisë afgane dhe jo taleban i maskuar si polic. Bashkë me 2 ushtarët shqiptarë, këtë vit, 44 efektivë të NATO-s janë vrarë në Afganistan. Ndërkaq, orët e fundit në Kabul të Afganistanit ka nisur një përleshje e ashpër mes vendasve dhe ushtarëve amerikanë të NATO-s, për shkak të djegies së 70 kuraneve, por nuk ka pasur implikime të ushtarëve shqiptarë.

Arrestimi i autorëve

Ndërsa për incidentin që përfshiu tanët Ministria e Mbrojtjes njoftoi se, “Më datën 20.02.2012 në orën 16.30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak, Grupi i Parë Special i Kontingjentit “EAGLE 4”, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të policisë afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evakuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit”.

Digjen kuranët, zemërohet Kabuli

Mediat e huaja njoftojnë se më shumë se 2,000 afganë të zemëruar protestuan të martën kundër djegies së 60 deri në 70 kuranë dhe materiale të tjera fetare islame në një bazë ajrore amerikane. Ata kërkuan të takohet me presidentin e vendit. Gjenerali amerikan John Allen, komandant i lartë në Afganistan, kërkoi falje dhe urdhëroi një hetim për incidentin, të cilën ai e quajti si të paqëllimshëm. Incidenti ka ushqyer një ndjenjë kundër të huajve. Ngjarja ndodhi jashtë fushës së “Air Bagram”, në veri të Kabulit, në krahinën Parwan. Turma ulëriste me zemërim. “Vdisni të huaj”.

Minsitria e Mbrojtjes: Po përgatitet ceremonia shtetërore

Hapen dyert e mortit në shtëpinë e Feti Voglit, “Dëshmori i Atdheut”

Takimi i përbashkët Imami-Arvizu

“SHBA-të janë pranë familjeve të ushtarëve”

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë takimit me ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, në konferencën e përbashkët për shtyp, deklaroi se SHBA solidarizohet me këtë humbje tragjike, ndërsa shtoi se Kapiten Feti Vogli ra në krye të detyrës, siç bien trimat shqiptarë. Imami tha se, “Shpresoj që do ta kapërcejmë këtë humbje tragjike. Ambasadori Arvizu përcolli solidarizimin e SHBA dhe mbështetjen e popullit amerikan për këtë humbje tragjike. Sigurisht që i urova shërim të shpejtë për ushtarët amerikanë të plagosur gjatë sulmit”. Ministri tha se, humbja e komandos Vogli është edhe çmimi që Shqipëria duhet të paguajë për të siguruar paqen e sigurinë e saj. “Kapiten Feti Vogli luftoi me përsosmëri dhe profesionalizëm, ra në në krye të detyrës. Kapiten Fetiu dha jetën si trim, siç vdesin burrat shqiptar, si hero. Ky është çmimi i shtrenjtë që populli shqiptar paguan për lirinë, paqen dhe sigurinë e tij”, tha Imami. Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu deklaroi se qeveria e SHBA-ve dhe populli amerikan gjenden pranë familjeve të Kapitenit Feti Vogli dhe Nëntetarit Aleksandër Peci. “Unë sot kam pasur nderin që të takohem me famljen e kapiten Voglit dhe Nëntetar Pecit. Në emër të qeverisë amerikane dhe popullit amerikan ofruam para së gjithash mbështetjen tonë për familjet dhe për ata burra kurajozë që drejtohen nga gjeneral Gjunkshi”,-deklaroi ambasadori. Arvizu theksoi domosdoshmërinë që në këto momente të vështira të bashkohen forcat në mbështetje të misionit të përbashkët që Shqipëria ka në Afganistan më forcat amerikane.

Leon Panetta Imamit

Telefonata e sekretarit amerikan

“Vlerësojmë sakrificën tuaj”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, i telefonoi dje ministrit Arben Imami pas vrasjes së Kapitenit Feti Vogli në Afganistan dhe plagosjen e N/tetarit Aleksandër Peçi. Paneta shprehu ngushëllimet për humbjen e Kapitenit, duke thënë: “Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit”. Ndërkaq, ai shtoi se “Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë”. Panetta u shpreh se “SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar”. Imami falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e SHBA-ve dhe populli i madh amerikan ka dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura. “Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kurajë dhe profesionalizëm të lartë”, u shpreh Imami, duke i konfirmuar Panettës angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.

Kryeministri Berisha

“Të vendosur për të dhënë

kontributin tonë për paqen”

Kryeministri Berisha ripërsëriti dje sërish qëndrimin e Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në Afganistan. Kur foli në konferencën për qeverisjen elektronike, Kryeministri Berisha iu referua edhe ngjarjes në Afganistan ku si pasojë e një sulmi u vra komandoja shqiptare Feti Vogli dhe u plagos nëntetari Aleksandër Peçi. “Dua ta falënderoj ambasadorin për ngushëllimet që paraqiti për kapitenin që ra në kyre të detyrës. Kjo ngjarje e dhimbshme për vendin, por ne mbetemi të vendosur të japin kontributin tonë në këtë vend, pasi paqja dhe stabiliteti i të cilit është i rëndësishëm për botën dhe Evropën”,- theksoi Berisha. Më herët ai vizitoi familjen e kapiten Feti Vogli, të cilëve u shprehu ngushëllimet.

Jozefina Topalli

“Ke rritur një djalë hero dhe

bashkohet gjithë Shqipëria”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një vizitë në familjen Vogli, ku shprehu dhimbjen e thellë në emrin e saj personal, por dhe të Kuvendit të Shqipërisë, për humbjen e jetës së Kapitenit Feti Vogli, të rënë në krye të detyrës në Kandahar, Afganistan. Kryetarja e Kuvendit shprehu pikëllimin dhe ngushëllimet më të sinqerta ndaj nënës, babait, vëllait, bashkëshortes e familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe nderimin sublim për Kapitenin Vogli, i cili me misionin e tij paqeruajtës, përfaqësoi të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë, si vend i NATO-s, duke sakrifikuar jetën e tij të re. “Ke rritur një djalë hero-i tha Kryetarja e Kuvendit, nënës së kapiten Voglit-dhimbja e zemrës së nënës është e pakufi, por sot me këtë dhimbje bashkohet e gjithë Shqipëria. Ne të gjithë jemi krenarë për misionin heroik dhe paqeruajtës të Fetiut”.

Ali Ahmeti e Hashim Thaçi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet letrave dërguar deri te drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe familjarët e paqeruajtësve shprehën ngushëllimet e sinqerta dhe pikëllimin e thellë për rënien e kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën tragjikisht në Kandahar.

Vizitoi edhe familjen e Voglit

Presidenti Topi interesohet për

shëndetin e ushtarit në koma

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, zhvilloi një bisedë telefonike me Komandantin e Njësisë Speciale “Eagle 4” në Kandahar, Nënkolonel Behar Marën, duke u interesuar me hollësi rreth gjendjes shëndetësore të paqeruajtësit të plagosur, Nënoficerit Aleksandër Peçi, familjen e së cilës e vizitoi në mesditë. Gjatë bisedës me Nënkolonel Marën, pasi shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e Kapiten Voglit, Komandanti i Përgjithshëm vlerësoi lart herozimin dhe vetëmohimin e paqeruajtësve shqiptarë, të cilët shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në luftë kundër terrorizmit në kuadër të NATO-s. Në këtë pikë Presidenti Topi u interesua edhe për gjendjen e ushtarakut amerikan të plagosur në të njëjtën kohë me ushtarakët shqiptarë. Topi zhvilloi dje në mesditë një vizitë në familjen Vogli, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, për të shprehur personalisht pikëllimin e thellë për humbjen e jetës së djalit të tyre të rënë në krye të detyrës, Kapitenit Feti Vogli. Ai tha se, “Jemi këtu në familjen e Kapiten Voglit. Unë u shpreha nga afër ngushëllimet familjarëve të tij, natyrisht me vlerësimet më të mëdha që jepen për një dëshmor, për një profesionist, për një njeri të motivuar, i cili me shumë burrëri përballoi tre misione, në Irak, në Afganistan, duke e prezantuar me një dinjitet të pashembullt të gjithë moralin e Forcave tona të Armatosura”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›