E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, do të ulet numri i përfituesve

21/02/2012  Kujdesi Social: Në 2011, u rritën fiktivisht, gjoba komunave nëse nuk reduktojnë fondin

ELBASAN- Disa komuna në qarkun e Elbasanit kanë rritur fiktivisht numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike si favor në këmbim të votave. Kanë kryetarët e komunave dhe bashkive që kanë rikandiduar, të cilët kanë aplikuar këtë rritje sipas Shërbimit Social Shtetëror në qarkun e Elbasanit. Megjithëse nuk bën të ditur emrat e përfituesve, drejtoresha e këtij Institucioni Brunilda Dulja thotë se këto njësi vendore janë paralajmëruar që këtë vit të ulin numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike ose të justifikojnë nëpërmjet dokumentacionit përfituesit.

Ndihma ekonomike

“Nga institucioni që unë drejtoj në mënyrë periodike kontrollohen vendimet për ndihmën ekonomike të këshillave të komunave dhe të bashkive. Ka një rritje të cilësisë dhe performancës së këtyre kontrolleve duke vënë re edhe probleme. Kështu gjatë kontrolleve kemi konstatuar disa komuna, të cilat kanë pasur tendencën të rrisin numrin e përfituesve. Ky numër është bërë për shkak të favoreve elektorale dhe jo për të mbërritur tek familjet që kanë vërtet nevojë. Ne u kemi lënë detyrë këtyre komunave të ulin numrin e përfituesve të shtuar gjatë zgjedhjeve”. Dulja sqaron se Elbasani ka rreth 13% të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, por kjo sipas saj nuk vjen nga rritja e varfërisë, por duke qenë se Elbasani është qarku i dytë më i madh në vend me 450 mijë banorë. Qarku i Elbasanit përbëhet nga 450 mijë banorë dhe marris ndihme ekonomike në bazë të pjesëtarëve në familje rreth 12 mijë banorë. Por ndërkohë drejtues të komunave të kontaktuar sqarojnë se rritja ka ardhur nga shtimi i emigrantëve të kthyer dhe i familjeve të varfra. Ata pranojnë se situata e vështirë ekonomike ka ndikuar që shumë familje të kërkojnë të futen në skemë për shkak të problemeve të mëdha që po hasin. Edhe Bashkia Elbasan njofton një rritje të përfituesve të ndihmës ekonomike. Skema e ndihmës miratohet çdo muaj nga këshillat bashkiakë e komunalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›