E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Më 2 korrik shqiptarët gjunjëzuan diktaturën

TIRANE- Partia Demokratike organizoi mbrëmjen e sotme një miting në ‘Qytetin Studenti’ në kujtim të 20-vjetorit të hapjes së ambasadave, që pasoi dhe rënien e regjimit komunist.
Mitingu nisi me fjalimin e kreut të mazhorancës i cili e quajti 2 Korrikun, ditën kur shqiptarët nisën marshimin e e lirisë dhe gjunjëzuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës Diktaturën komuniste.
Berisha theksoi se 20 vite më parë, mijëra të rinj shqiptarëu vërsulën si luanë dhe shembën murin shqiptar të Berlinit.

“Dy korriku dita kur mijëra të rinj shqiptarë u vërsulën si luanë të vërtetë dhe shembën murin shqiptar të Berlinit. Ata i dhanë mesazhin Europës dhe botës se ky komb nuk ka të ndalur, se ky komb është i gatshëm për cdo sakrificë për lirinë dhe dinjitetin e tij. Ata i dhanë shpresë popullit të pashpresë dhe i dhane zemer njerëzve të cilëve terrori u kishte kallur frikën” u shpreh Berisha përpara personave të mbledhur në sheshin Demokracia në Qytetin Studenti.

Flaka e lirisë që ndezën heronjtë e 2 korrikut nuk u shua kurrë, tha Kryeministri duke kujtuar se "vetëm pak muaj më vonë, në dhjetor të vitit '90 do të shpërthente uragani i fuqishëm i lirisë".
"Nën udhëheqjen e Azem Hajdarit, tribunit të lirisë do të themelohej në 'Qytetin Studenti' Partia Demokratike dhe do të niste pluralizmi politik. Ky uragan do të zhdukte më pas me votën e lirë, regjimin më të egër që Europa do ta fiksonte si regjimin e Hitlerit të pasluftës, regjimin e Enver Hoxhës", tha Berisha.
Sot ne përulemi me nderim të madh para heronjve të 2 korrikut që shkallmuan dyert e lirisë, tha Kryeministri ndërsa theksoi se "20 vjet pas këtyre ngjarjeve, vendi është shekuj larg Shqipërisë së viteve '90". 

Shqipëria që 20 vite më parë ishte e rrethuar me tela me gjemba, tha Kryeministri "sot është në prag të lëvizjes së lirë pa viza në mbarë Europën".
"Vendi që 20 vite më parë ishte vendi i lirisë dhe të drejtave të ndaluara, sot është vendi i shtetit ligjor, institucioneve të lira e demokratike. Ky 20 vjetor na fton të bashkohemi në përpjekjen tonë të ndershme e fisnike për të shndërruar sa më parë në realitet, ëndrrën tonë europiane", tha Kryeministri Berisha.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›