E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani, kundër borxhit në euro nga bankat



Borxhi duhet marrë nga jashtë, në më-nyrë që bankat të kreditojnë bizneset. Banka e Shqipërisë është shprehur qartë dje se nuk është dakord me veprimin e Ministrisë së Financave, për të mbuluar borxhin e buxhetit me bono në euro në tregun vendës. Guvernatori Fullani, e tha qartë dje, se pavarësisht shumës, do të ishte më produktive, që borxhi i Qeverisë në euro, të financohej nga bankat e huaja dhe jo nga ato vendëse. Guvernatori zbuloi se nga ankandi i së hënës, për shitjen e 25 milionë eurove në formën e bonove, rreth 14 milionë u blenë nga jorezidentët, pra nga banka të huaja. Por sërish ai synoi të tregonte se do të ishte më mirë, që këto para të shkonin për kreditimin e bizneseve dhe jo të bilancit të Qeverisë. "Natyrisht, Banka e Shqipërisë gjykon që huamarrja e brendshme prej 25 milionë euro nuk do të ketë ndikim në parametrat makroekonomikë të vendit. Një pjesë e saj, rreth 14 milionë euro, u sigurua nga jorezidentët me pjesëmarrje në ankand. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon që huamarrja duhet të drejtohet drejt tregjeve të jashtme, për t'i lënë hapësirën e nevojshme tregut shqiptar për kreditim". Sipas tij, kujdesi i madh duhet bërë për lejimin e zhvillimit të tregut privat, i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike të vendit.
Të ndryshojë buxheti
Por kjo nuk është kritika e vetme e Fullanit për Qeverinë. Duke u ndalur te buxheti, Guvernatori kërkoi një ndryshim të menjëhershëm dhe realist të të ardhurave dhe shpenzimeve. Kjo në mënyrë që deficiti buxhetor, të mos ndikojë në normat e interesit dhe në kreditimin e ekonomisë. "Duke ndjekur me vëmendje ecurinë aktuale dhe të pritshme ekonomike, si dhe duke vlerësuar me shqetësim implikimet e saj për treguesit fiskalë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Ulja e presionit në tregjet e brendshme financiare do të ndihmojë në kontrollin e normave afatgjata të interesit, duke lehtësuar aksesin e sektorit privat në tregun e kredisë. Në këtë kontekst, rishikimi i planifikuar i Buxhetit të vitit 2010 duhet të bazohet në një plan realist të të ardhurave buxhetore, duke parashikuar njëkohësisht masat e nevojshme korrektuese për pakësimin e shpenzimeve publike dhe kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor".
Ekonomia
Ekonomia reale shqiptare po ecën me ritme shumë të ulta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë për një zhvillim të ngadaltë të ekonomisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2010. Fullani nënvizoi dje se ka një ecuri të dobët të kërkesës së brendshme. "Ecuria e shpenzimeve konsumatore gjatë gjysmës së parë të vitit ka vijuar të ndikohet nga burime të kufizuara të financimit dhe nivele të ulëta të besimit të konsumatorëve". Nga ana tjetër, banka tregoi se ka rënie të shitjeve me pakicë, remitancave dhe kredisë për konsum, si dhe ngadalësim i treguesve të punësimit. "Këto tregues dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të konsumit privat gjatë muajve të parë të vitit. Kontributi i investimeve private në rritjen ekonomike vlerësohet të jetë negativ. Niveli i ulët historik i shfrytëzimit të kapaciteteve të lira në ekonomi, shkalla e ulët e treguesve të besimit të bizneseve, tkurrja e importit të mallrave të ndërmjetëm dhe kapitale, si dhe ngadalësimi i kredisë, sugjerojnë se niveli i investimeve ka qenë i ulët në këtë periudhë".
Bilanci i pagesave
Të dhënat e bankës, për pjesën e parë të vitit, tregojnë për një reduktim të ndjeshëm të financimit të huaj. Sipas Fullanit, remitancat vlerësohen të jenë tkurrur me 6.7 për qind gjatë kësaj periudhe, duke financuar vetëm 40.6 për qind të deficitit tregtar. "Megjithëse investimet e huaja direkte kanë pasur një ecuri pozitive, duke regjistruar një rritje vjetore prej rreth 26 për qind, suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare ka arritur të financojë vetëm 41.2 për qind të deficitit korent. Ky suficit ishte rreth 63 për qind më i ulët, në krahasim me një vit më parë. Qëndrueshmëria afatgjatë e pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë mbetet një dobësi, e cila meriton vëmendje të vazhdueshme në nivelin e hartimit dhe të zbatimit të politikave ekonomike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›