E Diel, 1 Nëntor 2026

Alia: Pas rënies së Murit të Berlinit nuk donim të braktisnim socializmin



Ish-kreu i fundit komunist dhe njëkohësisht ish-Presidenti i parë i postdiktaturës, Ramiz Alia, përgjatë një interviste për “Deutche Welle” shpjegon situatën politike menjëherë pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, siç njihet ndryshe, hapja e ambasadave të huaja për azilkërkuesit shqiptarë. Sipas Ramiz Alisë, me gjithë erën që po frynte pas rrëzimit të Murit të Berlinit, komunistët shqiptarë nuk kishin ndonjë mendje të braktisnin socializmin. Duke bërë një përshkrim të ngjarjeve më kulmore të asaj kohe, Alia shpjegon, sipas mënyrës së tij, arsyet e izolimit të tejzgjatur të Shqipërisë si dhe pranon një sërë gabimesh, si ekzagjerimin me luftën e klasave, goditjen e fesë, dënimet e persekutimet e kundërshtarëve etj. Po kështu, ish-Presidenti thotë se është dakord që dosjet e komunizmit të hapen, që njerëzit të njohin bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, por jo me qëllimin që të merret hak.

Deutche Welle: Zoti Alia, 20 vjet më parë, në Tiranë, mijëra qytetarë vërshuan në ambasada në shenjë të kundërshtimit të hapur ndaj diktaturës komuniste. Si e përjetuat ju atë ngjarje historike?
Ramiz Alia: 2 korriku, futja e 5 mijë vetëve në ambasadat e huaja, është një ngjarje që padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit. Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur për neve, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi. Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuelar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me Qeverinë. Pra, me ndërhyrjen e zotit de Kuelar u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe Qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin. Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ.
Deutche Welle: Zoti Alia, ndërkohë rënia e Murit të Berlinit, vetëm një vit para ngjarjes së ambasadave ne Tirane, kishte ngjallur shpresa të mëdha edhe në Shqipëri. A e kuptuat ju se rënia e atij muri ishte një sinjal i qartë që edhe socializmit shqiptar po i vinte fundi?
Ramiz Alia: Këtë ide që të hiqnim dorë nga socializmi nuk e kishim. Rënia e Murit të Berlinit, ose më mirë përmbysja e sistemit komunist në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik krijoi edhe tek ne një shqetësim, flas për Udhëheqjen tonë. Unë në atë kohë padyshim mendova që duheshin bërë ndryshime në vend. Dhe ne filluam të marrim disa masa për një demokratizim të mëtejshëm të jetës së vendit tonë. Pra, duke hequr dorë nga disa dogma edhe nga fusha e ekonomike dhe nga ajo politike si dhe nga disa vendime, që ishin marrë më përpara. Por e theksoj që të gjitha ato masa që po merrnim për demokratizimin e vendit nuk çonin në likuidimin e shtetit, në likuidimin e sistemit socialist. Midis masave të ndryshme vendosëm që në shtyp të linim mendimet e lira që të publikoheshin, të shfaqeshin mendime të ndryshme, ku pati në atë kohë artikuj të ndryshëm që dolën dhe nuk u morëm masa kundër këtyre njerëzve, përkundrazi pati diskutime mbi to. Natyrisht, ishte një rrugë që ne kërkonim të kapërcehej kjo fazë, jo duke forcuar sistemin e diktaturës së proletariatit, por përkundrazi, duke e dobësuar atë, duke hequr dorë nga ajo, por pa rrezikuar, pa hequr dorë nga socializmi.
Deutche Welle: Zoti Alia, komunizmi provoi të ishte një ideologji dhe sistem që dështoi. A mendoni se i hytë një rruge të gabuar?
Ramiz Alia: Unë mendoj që nuk mund të konsiderohet e gabuar; sepse ne i hymë një rruge: ndërtimit të socializmit në vendin tonë.
Deutche Welle: Ajo që ju e quani ndërtimi i socializmit rezultoi në një politikë ekstreme e izolimit të Shqipërisë nga e gjithë bota. Pse ju trembnin kontaktet me botën?
Ramiz Alia: Pro izolimit ishte një zgjedhje e jona. Qysh në ’48 jugosllavët kërkuan të vënë shtypjen mbi ne. Kërkuan që Shqipërinë ta shndërronin në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pra nuk iu mjaftonte Kosova, po donin edhe Shqipërinë ta fusnin në suazën e shtetit të tyre, të federatës së tyre jugosllave. Në vitet ’60 filloi kontradikta tjetër me rusët, e cila nuk ishte vetëm në plan ideologjik, por ishte në plan kombëtar. Ne mbronim lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, sepse Hrushovi u lidh me Titon dhe bashkëpunoi me Titon dhe i dha të drejtë Titos në synimet e tij ndaj Shqipërisë. Pra ne pamë një rrezik, që po i kërcënohej vendit tonë. Tashmë jo vetëm nga Tito, por edhe nga rusët dhe ky ishte edhe shkaku që u prishëm me të. Më vonë ndodhi që u prishëm edhe me Kinën, kjo prishje erdhi sipas mendimit tim, për fajin tonë. Nga Kina nuk patëm asnjë kërcënim, siç kishim nga jugosllavët apo rusët. Përkundrazi ne u treguam brutalë, sepse ne u zemëruam pse Kina po realizonte marrëdhëniet e saj me SHBA-në.
Deutche Welle: Por ju nuk e kishit kuptuar që nga izolimi me botën po mjerohej populli, vendi?
Ramiz Alia: Këtë pyetje ma kanë bërë edhe të tjerët lidhur me izolimin. E vërtetë është që ne u izoluam, por edhe italianët, fqinjët tanë, çfarë bënë për ne shqiptarët, iu drejtova disa politikanëve italianë gjatë një takimi. Ne nuk e ndihmonim dot Shqipërinë, sepse e konsideronim Shqipërinë zonë të influencës sovjetike. Dhe nuk na e mbante. Izolimi nuk ishte faktor vetëm i yni. Ne kemi faj, por edhe të tjerët nuk bënë asgjë për të na dhënë dorën.
Deutche Welle: As Gjermania? Si është parë Gjermania federale gjatë kohës së diktaturës? Ju jeni dëshmitar i përpjekjeve tw saj për t’u afruar me Shqipërinë, kam parasysh këtu ardhjen e Shtrausit dhe të Gensherit?
Ramiz Alia: Ardhja e Shtrausit në vitin 1984 sigurisht që ishte një eveniment me rëndësi për ne. Me rëndësi në dy aspekte, edhe në aspektin politik, sepse të vijë nga Gjermania një delegacion i atij niveli ishte një sinjal pozitiv për politikën shqiptare, por ishte me rëndësi edhe nga pikëpamja ekonomike. Sepse edhe në atë kohë mendonim që me Gjermaninë mund të kishin marrëdhënie të mira ekonomike. Gjë që do ta lehtësonte zhvillimin e vendit tonë në atë periudhë, që ishte shumë e vështirë për ne. Vitet ’80 kanë qenë më të vështirat në ekonominë shqiptare. Në vitin ’84 ishte edhe më keq. E pritëm mirë ardhjen e Shtrausit. Këtu duhet të sqaroj një gjë. Shtrausi nga ana e tij mbajti qëndrim shumë korrekt, si nga ana politike, ashtu edhe ekonomike me Shqipërinë. Ne, natyrisht nisur edhe nga interesi ynë, i ngritëm Shtrausit çështjen e reparacioneve të luftës, të dëmshpërblimeve. Ju e dini që Shqipëria ka qenë totalisht e angazhuar në luftën kundër fashizmit. Edhe unë që po ju flas, që 15-16 vjeç kam qenë në LANç dhe në atë kohë janë vrarë njerëz dhe janë shkatërruar rrugë, ura, fshatra dhe nuk kemi pasur asnjë reparacion nga ana e Gjermanisë. Lufta ka qenë kundër fashizmit dhe ne kërkuam dëmshpërblime që është legjitime, por Gjermania edhe Shtrausi e kundërshtoi, jo pse kundërshtoi luftën tonë, përkundrazi ai ishte shumë dakord me luftën, por ai nisesh me faktin se me mbarimin e luftës, zonat sovjetike duhet t’i plotësonte Bashkimi Sovjetik. Ka qenë një marrëveshje mes tyre. Kjo bëri që të zgjasnin bisedimet me Shtrausin, sepse ne këmbëngulnim me arsyetimet tona. Më në fund Shtrausi i dha më duket 20 milionë marka falas Qeverisë shqiptare dhe 20 milionë të tjera si kredi në fushën e industrisë, mjekësisë.
Deutche Welle: Zoti Alia, nga biseda me Shtrausin, a u fol edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve? Cila palë ishte iniciatore, Shqipëria apo Gjermania?
Ramiz Alia: Në atë kohë kur diskutuam ne e shtruam problemin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe ai ishte dakord me këtë. Bisedimet me Shtrausin ndodhën në vitin 1984 dhe pasojat e saj kanë vazhduar më tej. Ka pasur një grup përfaqësuesish shqiptarë që kanë shkuar në Bon, në Vjenë deri në vitin 1987 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Në këtë vit erdhi në vendin tonë Hans Ditrih Gensher, ish-ministri i jashtëm i Gjermanisë.
Unë e takova vetë personalisht. çështja kryesore e bisedimeve me të ishte që Shqipëria duhet të futet në organizmat ndërkombëtarë. Ai këshilloi që ne të futeshim në KSBE dhe unë menjëherë i thashë “dakord”. Fakt është që vitin tjetër, kur u mblodh KSBE –ja, ne dërguam ministrin e Jashtëm Reis Malile dhe ne u pranuam si kandidat, sipas rregullit që ishte, dhe pastaj jemi futur përfundimisht. Pra, me Gensherin kemi bërë hapin e parë për të dalë nga izolimi. Ky është një eveniment për ne, por edhe për mua personalisht në takimin me Gensherin.
Deutche Welle: Zoti Alia, pse e shndërruat socializmin, që u përpoqët të ndërtoni në Shqipëri, në një përndjekje të egër me ekzekutime dhe me krijim të armiqve imagjinarë, që rezultoi deri në vrasjen e shokëve tuaj të luftës?
Ramiz Alia: Ka shumë faktorë të ndryshëm. Unë mendoj se edhe faktori i jashtëm luan rol. Pasi në fund të fundit, në vendin tonë hidheshin edhe diversantë. Ne jemi vend i vogël, një bandë diversantësh që vinte turbullonte fshatra të tërë. Por në radhë të parë, kjo e gjitha ka të bëjë me ideologjinë, me konceptin tonë ideologjik. Luftën e klasave ne e kishim, sepse derisa ne thoshim që jemi për rrugën socialiste të zhvillimit, përjashtonim borgjezinë, përjashtonim të pasurit, agallarët, pronarët e mëdhenj, ndaj tyre bëhej luftë klase. Unë megjithatë nuk e justifikoj edhe pse bëhej nga rrethanat e vendit. çfarë nuk justifikoj tjetër? Veçanërisht teprimet që kemi bërë me këtë luftë klasash, zgjatjen e saj. Sepse kjo mund të ishte e tillë në fillimet tona, por më pas mund të mos ishte kështu, mund të ishte ndryshe. Unë nuk e justifikoj luftën e brendshme, që kemi pasur brenda gjirit tonë. Mos harro disa grupe që janë dënuar, pushkatuar apo internuar, për këto mendoj se ishte e tepërt. Nuk është në të mirë edhe të zhvillimit shoqëror. Këto kanë qenë dobësi, gabime tonat. Mohimi i institucioneve fetare ishte i tepruar. Janë bërë gabime. Një nga masat pas ’90 ishte rivendosja e institucioneve fetare. Kjo nuk ishte bërë mirë dhe ne menjëherë i rikthyem hoxhallarët, priftërinjtë.
Deutche Welle: A duhen hapur dosjet e komunizmit? A duhet zbardhur e kaluara komuniste dhe të mësohet e vërteta?
Ramiz Alia: Unë për dosjet nuk mendoj kurrë se duhen mbajtur mbyllur. Dosjet duhen mbajtur hapur dhe që e vërteta të dalë në shesh, por jam i rezervuar në qoftë se njerëzit nisen nga koncepti që të marrin hak. Kjo është e gabuar, nuk na duhet gjë të ringjallim hakmarrjen, grindjet, të cilat nuk kanë më vlerë. Megjithatë unë jam plotësisht dakord që ato dosje të hapen, të njihet kush kanë qenë njerëzit që kanë bashkëpunuar me organet e Sigurimit.
Deutche Welle: Ju zoti Alia, e keni nisur procesin e demokratizimit të vendit me Sali Berishën; atëherë një mjek, intelektual, sot Kryeministër, me Fatos Nanon, edhe ai ish-Kryeministër, dikur një intelektual, kur ju ishit President. Në këto 20 vite sa ka ndryshuar Shqipëria, kam parasysh këtu kontributin e këtyre dy liderëve, por edhe të të tjerëve si të Ilir Metës, Edi Ramës, Pandeli Majkos etj.?
Ramiz Alia: Për sa i përket këtyre 20 vjetëve nuk ka dyshim që situata ka ndryshuar. Ajo ka ndryshuar në të tëra aspektet, si politike, kulturore, ekonomike. Por unë mendoj se Shqipëria akoma vuan, vuan pikërisht nga njollat e këtyre 20 vjetëve, të këqijat e këtyre 20 vjetëve. Lufta e klasave ekziston edhe sot. Grevë urie 200 vetë, mijëra të tjerë nëpër rrugë. Pra s’ka paqe, s’ka dialog. Këtë nuk e quaj normale në një shoqëri demokratike 20- vjeçare. Në këto 20 vjet populli ynë ka pasur protesta, pakënaqësi dhe kjo sjellje, ky qëndrim, më duket mjaft negativ për zhvillimin e vendit, imazhin dhe realitetin e Shqipërisë. Nga ana ekonomike Shqipëria ka rënë shumë. Tek ne kriza do të jetë më keq. Një situatë tepër e rëndë, nuk e uroj një situatë të tillë.
Bisedoi: Mimoza-Cika Kelmendi
Deutche Welle

Ambasadat, çfarë shkruante elita e shtypit botëror

Pjesët e mëposhtme janë marrë nga shkrime të gazetave më prestigjioze të botës, të cilat kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, apo në “kështjellën” e fundit të stalinizmit, siç e epitetojnë artikullshkruesit.

“Süddeutsche Zeitung”, 4 korrik 1990
Shqiptarët kërkojnë strehë në ambasadat e huaja,
Boni proteston kundër të shtënave të rojeve
“Siç bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hans Schumacher, të hënën në mbrëmje katër refugjatë kapërcyen murin e Ambasadës Gjermane, që u hap në 2 tetor 1987. Rojat shqiptare hapën menjëherë zjarr duke plagosur një burrë, që po trajtohet nga ana mjekësore në ambasadë. Në natën duke u gdhirë e marta gjendja eskaloi në mënyrë të rrezikshme, kur 79 refugjatë hipën në murin e ambasadës dhe çanë me një kamion derën e ambasadës. ...Ambasadori shqiptar, Shpëtim çaushi, u thirr të hënën në Ministrinë e Jashtme për t’iu dorëzuar protesta e qeverisë gjermane, e cila menjëherë iu nis Tiranës. Qeveria gjermane kërkon lejimin e udhëtimit të lirë për refugjatët në vendin e zgjedhur nga ata... Ndërkohë që 20 refugjatë kanë gjetur strehë në Ambasadën e Italisë, siç njoftohet nga Ministria e Jashtme në Romë. Gjendja ndryshon me orë. Forcat shqiptare të sigurisë janë përpjekur disa herë të nxjerrin refugjatët nga ambasada.”

“Frankfurter Allgemeine Zeitung:” 4 korrik 1990
Shqiptarët kërkojnë strehë në ambasadat e huaja
“Eksodit masiv i kanë paraprirë trazira dhe demonstrata në kryeqytetin shqiptar, të cilat para së gjithash drejtohen kundër ligjit të ri të pasaportave, thuhet në agjencitë e lajmeve. Sipas informacioneve të Qeverisë greke, në këto trazira ka pasur edhe viktima, si edhe mjaft të plagosur. Agjencia Shtetërore Shqiptare e Lajmeve tha të martën se rreth 300-400 “huliganë” kanë hyrë në ambasada. Familjarët e “huliganëve” i ndihmuan ata të hyjnë në ambasada, duke goditur me gurë forcat shqiptare të sigurisë, njofton Agjencia Shqiptare.”

“The Guardian” 4 korrik 1990
Tirana zien
“Një lloj urtësie bërë si zakon, deri më tani na thoshte versionin se shqiptarët ishin kaq të nënshtruar, saqë vendi i tyre mund të mbeste një shtet socialist edhe për disa dekada të tjera. Tanimë këtë nuk e beson më askush”.

“Die Welt”, 5 korrik 1990
“Ora e stalinizmit mori fund!”
“Zëdhënësja për politikën e jashtme të fraksionit të CDU/CSU në Bundestag, Michaela Geiger, i kërkoi Tiranës të pranojë më në fund se “ora e stalinizmit edhe në Shqipëri ka marrë fund!”... Një avion civil do të dërgojë nga Gjermania krevate dhe mallra humanitare për refugjatët. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Cobog, hodhi poshtë zërat, sipas të cilave, Boni po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të një avioni ushtarak drejt Tiranës.”

“Neue Zürcher Zeitung”, 7 korrik 1990
Presion ndërkombëtar ndaj Shqipërisë për t’i lënë të lirë të lëvizin refugjatët e ambasadave
“Bashkësia Europiane, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Cuellar dhe ministri i Jashtëm gjerman, Genscher kanë kërkuar një zgjidhje humane për burrat, gratë dhe fëmijët në të dhjetë përfaqësitë diplomatike, ndër to edhe Ambasada Gjermane në Tiranë. Edhe të enjten vazhdoi eksodi. “Dera e ambasadës është ende e hapur”, u tha në Bon. Bashkësia europiane ka kërkuar mosprekjen e refugjatëve dhe të familjeve të tyre dhe është shprehur e shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.”

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”, 9 korrik 1990
Pas ndryshimeve në Qeveri rriten shpresat për hapjen e rrugës për udhëtim
“Pas lëshimeve nga Qeveria shqiptare dhe ndryshimeve në Qeveri (me ndryshimet në Qeveri kihet parasysh largimi nga detyra i ministrit të Brendshëm, Simon Stefani dhe atij të Mbrojtjes, Prokop Murra. Red.) pritet një zgjidhje e shpejtë e problemit të refugjatëve... Qeveria gjermane vazhdon të përpiqet të bindë Tiranën të lejojë lëvizjen e lirë të 5000 refugjatëve, është shprehur Ministri i Jashtëm gjerman, Genscher, për radion e landit të Hessenit... Ndërkohë mjekët e paktë në misionet diplomatike janë duke punuar pa pushim. Një mjek francez trajton në ditë 60 pacientë, shumica të plagosur gjatë përpjekjes për kapërcimin e gardheve me gjemba të ambasadave. Natën duke u gdhirë e diela një grua e re lindi një fëmijë në ambasadë.

“Kölnische Rundschau”, 13 korrik 1990
Shqipëria para trazirave të përgjakshme
“Që ambasadat në Tiranë dhe veçanërisht ajo e Republikës Federale Gjermane janë të rrethuara nga një kordon i ngjeshur ushtarak, tregon synimin për të parandaluar valë të reja refugjatësh. Në malet e Tiranës, sipas njoftimeve nga vizitorë jugosllavë, qëndrojnë mijëra shqiptarë të gatshëm për të hyrë në ambasadat e huaja dhe në këtë mënyrë të dalin jashtë.... Në mesin e popullit shqiptar sundon një atmosferë e dëshpëruar, shkaktuar nga rritja e mjerimit ekonomik, pasojë e një politike të gjatë izolimi dhe një sistemi të ashpër stalinist.”

“Der Spiegel”, 16 korrik 1990
Pak kozmetikë
Mijëra vetë që zunë ambasadat mund të udhëtojnë jashtë, por shteti i fundit stalinist në Europë mbetet një fuçi baruti.
“Ikje spektakolare nga një vend i padëshiruar: një armatë e tërë anijesh, në mesin e tyre dy anijet italiane “Appia” dhe “Grecia Espresso”, dy tragete greke dhe një anije franceze u futën në portin e Durrësit për të marrë 5000 refugjatët e ambasadave pas dy javësh dramatike. “Aksioni ishte një aventurë e rrezikshme” tha një diplomat në Tiranë. Me më shumë se 3000 refugjatë, Ambasada Gjermane ka qenë më e uzurpuara. Mungonin artikuj ushqimorë, madje uji i pijshëm, gjendja sanitare ishte e tmerrshme. Ambasada e sapongritur gjermane ka pasur vetëm tetë banja....Stuhia e eksodit në ambasada e kujtoi botën në mënyrën më drastike, se pas revolucioneve qytetare në bllokun e shpërbërë lindor, një popull gati i harruar ende jeton nën kërbaçin stalinist.”

“Newsweek”, 10 shtator 1990
Ne tehun e revolucionit
Shqipëria do të shpërthejë, pyetja e vetme është se kur
“Pak më shumë se dy muaj kur mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e huaja dhe siguruan kalim të sigurt për në Perëndim, vendi nga jashtë duket i qetë. Por një tur gjashtëditor përmes vendit nxjerr në pah gjendjen e dëshpërimit dhe protestës së heshtur, që mund të shpërthejë në çdo moment... Ka pasur incidente, megjithatë shpesh jashtë syrit të vëzhguesve perëndimorë. Në Përmet autoritetet nxorën trupat e tre burrave, që ishin vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Greqinë. Trupat parakaluan për tri orë nëpër rrugë. Dezertorët e tjerë e morën mesazhin.
Diplomatët në Tiranë fillimisht spekuluan se Alia mund të ushtrojë “opsionin bullgar” të ndryshimit gradual nga lart. Por tanimë ata shohin çfarë ka ndodhur në Rumani dhe në sheshin Tiananmen. “çështja nuk është si, por kur do të vijë revolucioni”, tha një zyrtar i huaj...”
Përgatiti: Lindita Arapi
Deutche Welle

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›