E Shtunë, 31 Tetor 2026

“8 motrat” e Botërorit,shanset drejt finales



Leonard Karaj

Tetë skuadra për një trofe. “Tetë motra” që do të provojnë me pozitivitetet dhe defektet e tyre të shkojnë deri në finalen e 11 korrikut në Johanesburg. Por sa shanse dhe cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të këtyre skuadrave? Në një vështrim analitik “zbërthejmë” tetë skuadrat që nga dita e nesërme do të kërkojnë të eliminojnë njëra-tjetrën për të marrë trofeun 5-kilogramësh. BRAZILI
Pika më e fortë: Kolektiviteti
E pëbeshueshme ta mendosh, por futbolli brazilian i këtij Botërori është më pak individualist dhe më shumë i ekuilibruar, i kujdeshëm dhe cinik. Pas Uruguajt, Brazili është ekipi që ka pësuar më pak gola, kjo tregon për një mbrojtje të fortë dhe për një mesfushë ndoshta jo me shumë fantazi por absolutisht shumë herë më të fortë fizikisht. Pastaj po të shikosh atje përpara Robinjon, Luis Fabianon e Kakanë, Brazili ka qenë dhe mbetet gjithnjë Brazil.
Pika më e dobët: Kaka
Paradoksale, por sipas analistëve të shumtë sportivë Kaka është lojtari që ka rënë më pak në sy tek kjo skuadër ndërkohë që duhej të ishte e kundërta. Ndërkohë që po këta specialistë të futbollit pohojnë se nëse një lojtar si Kaka arrin të futet mirë në lojë, atëherë kthen gjithçka në favor dhe nuk është çudi që prej këmbëve të tij të udhëtojë drejt Brazilit trofeu i gjashtë i Kupës së Botës.
Pse kualifikohet e pse jo
Brazili mund të arrijë deri në finale dhe më pas edhe ta fitojë atë për një fakt fare të thjeshtë: është Brazili. Që në start kjo skuadër ishte favoritja kryesore dhe e ka treguar duke fituar të gjitha takimet deri tani, por ja që të njëjtën gjë ka bërë edhe Holanda ndaj për të shkuar në finalen e 11 korrikut duhet më shumë se ca histori që mbart me vete.
HOLANDA
Pika më e fortë: Roben-Shnajder
Janë dy kandidatë për fitimin e “Topit të Artë”. Kaq mjafton për të kuptuar rëndësinë e këtyre dy lojtarëve. Në fakt edhe gjatë këtij sezoni ishin dy lojtarët që bënë diferencën në krahasim me të tjerët edhe në klubet ku aktivizohen, Bajerni i Mynihut dhe Interi. Shnajder është ndër të vetmit fantazistë në botë që mund të vertikalizojë me një takim të topit pa u menduar dy herë. I shpejtë dhe i zoti për të dribluar më shumë se një lojtar kundërshtar. Roben shënon me një rregullueshmëri impresiononte duke synuar gjithnjë cepin më të lartë të portës.
Pika me e dobët: Sulmuesi
Van Persi? E kush e ka parë. Huntelar? Luan duke ecur. Lëviz shumë pa top por nuk di të shënojë rregullisht, atë që në fakt duhet dhe e ka ekskluzivisht një sulmues “pykë”. është edhe Kajt si sulmues i dytë, por në të shumtën e rasteve luan në anësore dhe mundohet veçse për të ngjitur lart linjën e sulmit.
Pse kualifikohet e pse jo
Holanda mund të shkojë deri në fund këtij Botërori pasi është një skaudër moderne, që luan një futboll të shpejtë dhe mjaft taktik. Ka një mbrojtje të mirë (ka pësuar vetëm dy gola me penallti) dhe kundër kanë vetëm dy pengesa: Brazilin dhe historinë e përballjeve. Edhe skuadra më e mirë e viteve 1974 dhe 1978 nuk arriti që të çojë në atdhe një Kupë Bote, por më optimistët besojnë se kjo skaudër çuditërisht është më e mirë se ajo e 30 viteve më parë.
ARGJENTINA
Pika më e fortë: Talenti
Maradona ka në dorë një skudër plot me talente. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për “Topin e Artë” Lionel Mesi, por edhe për Higuain, Milito, Tevez dhe për një mesfushë mjaft kualitative.
Pika me e dobët: Romero dhe Demikelis
është shumë e çuditshme sesi Maradona u ka dhënë besimin këtyre dy lojtarëve ndërkohë që në ato pozicione Argjentina ka lojtarë të tjerë shumë herë më të mirë. Andujar, i cili nuk merret në konsideratë nga trajneri është ndër më të mirët në botë, ndërsa për Demikelsin mjaft ndeshje finale me Interin për ta lënë jo vetëm jashtë këtij Botërori, por edhe jashtë kësaj kombëtareje. E megjithatë Maradona këmbëngul për këtë lojtar në qendër të mbrojtjes dhe nga ana tjetër Gjermania natyrisht falënderon.
Pse kualifikohet e pse jo
Argjentina ashtu sikundër Holanda janë të vetmet skuadra që i kanë fituar të gjitha ndeshjet e këtij Botërori. Por duke parë ndeshjen ndaj Meksikës nëse Maradona nuk do të bëjë disa ndryshime në linjën e mbrojtjes, atëherë Gjermania e “vogëlushëve”, e cila nuk niset si favorite mund t’i bëjë një surprizë të pakëndshme Diegos.
GJERMANIA
Pika e fortë: Sulmi
Me nëntë gola të shënuar, është skuadra e dytë me më shumë gola, pas Argjentinës me dhjetë, në Kupën e Botës. Klose shënon me një mesatare të shkëlqyer, kur krahasohet me rastet që i krijohen. Podolski shndërrohet në një yll kur luan me kombëtaren, ndërsa Tomas Myleri është pa diskutim një nga talentet e rinj që kanë hedhur bazat për t’u bërë të paharrueshëm. Pas tyre është Mesut Ozil, ai që do jetë më i përfoluri në futbollin botëror për shumë vite në vazhdim. I jashtëzakonshëm dhe i pamarkueshëm.
Pika e dobët: Mbrojtja
Një prej emrave më problematikë përballë Argjentinës mund të jetë Mertesaker. Bën gafa dhe është shumë i ngadaltë. është i fortë në luftën në ajër, por pikërisht ndaj Argjentinës, ky element nuk u duhet shumë. Lojtarët e tjerë, përveç Lahmit, nuk kanë shpejtësinë dhe eksperiencën e duhur për të përballuar “një tren shpejtësie”, siç janë sulmuesit kundërshtarë në çerekfinale.
Pse kualifikohet e pse jo
Gjermanët kanë treguar se janë të freskët fizikisht dhe mund të dominojnë ndaj kundërshtarit në këtë aspekt. Janë të aftë të finalizojnë me sukses ato pak raste që mund të krijojnë. Nëse vendosin të sulmojnë, atëherë do kenë shumë vështirësi. Kanë probleme për të përballuar kundërsulmet e kundërshtarit, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë si Mesi e Tevez. Lëv duhet të gjejë taktikën perfekte, në të kundërt...
SPANJA
Pika e fortë: Kolektiviteti
Askush, as Brazili dhe Argjentina, arrin ta mbajë topin aq shumë sa Spanja. Teknikisht, spanjollët janë një skuadër e jashtëzakonshme, e talentuar, e shpejtë dhe shumë mirë e organizuar. Kampionët e Europës janë një ekip i ngjeshur mes reparteve, gjë që favorizon rifitimin e topit në një zonë mjaft të rrezikshme për kundërshtarët. Vila është një sulmues i jashtëzakonshëm, ndërsa Torresi; më të mirë se ai nuk kemi parë ende. Ksavi është fantazisti më i mirë në botë dhe Iniesta bën diferencën në fushë.
Pika e dobët: Mungesa e korrektësisë
Forca e madhe e Spanjës është edhe pika e dobët e saj. Lojtarët e Del Boskes e pëlqejnë shumë lojën e tyre dhe shpeshherë preferojnë të zhvillojnë një ndeshje të bukur, sesa të tregohen konkretë dhe të fitojnë. Deri në momentin që rival është Kili, gjithçka është në rregull, por kur përballë mund të kenë Brazilin ose Argjentinën është e këshillueshme që të zbaviten më pak dhe të shënojnë më shumë.
Pse kualifikohet e pse jo
Të paktën teorikisht, Spanja është skuadra me më shumë cilësi së bashku me Argjentinën. Ka gjithçka për të arritur në finale dhe për të fituar, por hesapet kombëtarja e Del Boskes do fillojë t’i bëjë në gjysmëfinale, ku rivalet do të jenë me të vërtetë të forta. Vetëm një gjë duhet theksuar: një skuadër europiane nuk ka fituar kurrë një Botëror jashtë Europës, ndoshta kjo statistikë do e ketë një domethënie.
PARAGUAJ
Pika e fortë: Entuziazmi
Ndoshta amerikano-jugorët janë ekipi më i dobët nga 8 të mbeturat në garë për Botërorin, por entuziazmi mund t’u japë atyre shtysën e nevojshme për të bërë ndonjë hap tjetër përpara. Formacioni i Gerardo Martinos është solid në repartin mbrojtës (deri tani kanë pësuar vetëm një gol) dhe nuk janë keq as në mesfushë.
Pika e dobët: Mungesa e eksperiencës
Hera e parë nuk harrohet asnjëherë, por shpeshherë paguhet shtrenjtë. Paraguaj nuk kishte arritur kurrë më parë në çerekfinalet e ndonjë Kampionati Botëror dhe entuziazmi mund të shndërrohet edhe në frikë. Amerikano-jugorëve, ndër të tjera, iu mungon edhe një golashënues i rëndësishëm dhe vendimtar: 3 gola në katër ndeshje nuk mund të konsiderohen si një arritje për të qenë krenarë. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e eksperiencës mund të shndërrohet edhe në pikën e dobët të Paraguajt. Përballja me Spanjën nuk do të jetë aspak e lehtë për ta, ashtu siç nuk do ishte edhe për ndonjë ekip tjetër...
Pse kualifikohet e pse jo
Të mendosh që Kombëtarja e Paraguajt mund të vazhdojë rrugëtimin e saj akoma edhe më gjatë në këtë Botëror do të ishte me të vërtetë një marrëzi. Arsyeja? Spanja është shumë më e fortë. Argjentina dhe Gjermania, rivalet e mundshme në gjysmëfinale, po ashtu. Me fjalë të tjera, edhe nëse do të ndodhte ndonjë mrekulli dhe amerikano-jugorët do arrinin të eliminonin ekipin e Del Boskes, nuk do të kishin thuajse asnjë shans të shkonin në finale.
URUGUAJ
Pika e fortë: Mbrojtja
është e vërtetë që grupi i tyre ishte një ndër më të lehtët e kampionatit botëror, ashtu siç është e vërtetë që edhe 1/8-at e finaleve kundër Koresë së Jugut s’mund të konsideroheshin si shumë impenjative. Por, duke pasur parasysh edhe shifrat, Uruguai është skuadra që ka pësuar numrin më të vogël të golave në Afrikën e Jugut. Asnjë në fazën e grupeve dhe vetëm një ndaj koreano-jugorëve. Formacioni i Tabarez është solid, mbrohet shumë mirë dhe nuk është i lehtë për t’u ndeshur.
Pika e dobët: Trajneri
Oskar Tabarez është duke u hakmarrë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Uruguaj i tij luan një futboll modest, por mbi të gjitha po arrin rezultate. Ish-trajneri milanist nga ana tjetër është pikëpyetja më e madhe e kësaj kombëtareje: prej tij mund të presësh gjithçka, madje ai mund të bëjë ndonjë gjë aq të madhe, sa ta lërë me të brendshme skuadrën e tij...
Pse kualifikohet e pse jo
çerekfinalja kundër Kombëtares së Ganës është tamam perfekte për Oskar Tabarez, i cili përpara finales mund të ketë vetëm një garë të komplikuar dhe të vështirë. Kundër Brazilit, e thënë me fjalë popullore, “do të heqë të zitë e ullirit”, por të paktën skuadrat njihen që më parë. Ndërkohë që kundër Holandës ndeshja do të ishte tejet interesante.
GANA
Pika e fortë: Kolektiviteti
Skuadra e fundit afrikane që vazhdon garën në Botëror është një ekip i vërtetë, që luan me pasa të shkurtra, shfrytëzon krahët dhe në 30 metrat e fundit shfaq gjithë fantazinë që ka. Gjendja fizike duket e shkëlqyer dhe Gian vërtet gabon shumë, por mbetet i pazëvendësueshëm për ganezët dhe kjo jo pa arsye. Anan është një arsyetues i shkëlqyer në mesfushë, Boateng vrapon shumë dhe di të hyjë lehtësisht në zonën e rreptësisë së kundërshtarëve. Aiev është i shpejtë dhe i vjen gjithnjë në ndihmë skuadrës.
Pika e dobët: Presioni
Ganezët do të kenë gjithë mbështetjen e kontinentit të zi në dispozicion, por pikërisht për këtë arsye, ata mbajnë mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe. Pika e dobët është “lehtësia e madhe e afrikanëve”, që e shpjeguar me fjalë të tjera do të thotë se ata janë të aftë të bëjnë gjithçka, por edhe të humbasin gjithçka. Deri në momentin që skuadra rivale është Uruguaj, një tjetër ekip i ri dhe pa eksperiencë botërore, “Black Stars” mund të shpëtojë “lëkurën”, por nëse do t’u duhet të përballen me Brazilin dhe Holandën...
Pse kualifikohet e pse jo
S’mund të mendosh që Gana mund të arrijë në finale... Por në futboll nuk i dihet kurrë dhe oreksi mund të vijë gjithmonë duke ngrënë. Sido që të ndodhë, kjo kombëtare është një surprizë e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›